Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka paraqitur katër propozime që synojnë mbrojtjen dhe promovimin e paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme. Qëndrimi është bërë publik nga zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, përmes një reagimi në rrjetet sociale.
Sipas saj, propozimet fokusohen në disa parime kyçe që lidhen me marrëdhëniet ndërkombëtare dhe stabilitetin rajonal, veçanërisht në rajonin e Gjirit.
Pika e parë lidhet me ruajtjen e angazhimit ndaj parimit të bashkëjetesës paqësore. Shtetet e Gjirit në Lindjen e Mesme konsiderohen fqinjë të afërt, të cilët nuk mund të zhvendosen, ndaj nënvizohet rëndësia e përmirësimit të marrëdhënieve mes tyre. Në këtë kuadër, propozohet ndërtimi i një arkitekture të përbashkët sigurie që të jetë gjithëpërfshirëse, bashkëpunuese dhe e qëndrueshme, duke forcuar bazat për bashkëjetesë paqësore në rajon.
Propozimi i dytë thekson rëndësinë e respektimit të sovranitetit kombëtar. Sipas qëndrimit kinez, sovraniteti është themelor për mbijetesën dhe zhvillimin e çdo shteti, veçanërisht për vendet në zhvillim, dhe nuk duhet të cenohet. Në këtë drejtim, kërkohet respekt i plotë për sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial të shteteve të Gjirit, si dhe mbrojtja e personelit, institucioneve dhe objekteve të tyre.
Në pikën e tretë theksohet ruajtja e angazhimit ndaj rendit ndërkombëtar të bazuar në ligj. Kina nënvizon nevojën për të mbështetur sistemin ndërkombëtar me OKB-në në qendër, si dhe respektimin e normave dhe rregullave që burojnë nga e drejta ndërkombëtare dhe nga Karta e Kombeve të Bashkuara.
Ndërsa pika e katërt fokusohet në balancimin mes zhvillimit dhe sigurisë. Sipas këtij parimi, siguria konsiderohet si parakusht për zhvillim, ndërsa zhvillimi shihet si garanci për sigurinë afatgjatë. Në këtë kuadër, kërkohet që të gjitha palët të kontribuojnë për krijimin e një mjedisi pozitiv për zhvillimin e shteteve të Gjirit. Kina shpreh gjithashtu gatishmërinë për të ndarë mundësitë që vijnë nga modernizimi i saj dhe për të bashkëpunuar me vendet e rajonit në funksion të zhvillimit dhe stabilitetit.
Lini një Përgjigje