
Një sulm me armë zjarri u raportu në jug të Turqisë, ku një person i armatosur hyri në një shkollë profesionale në zonën e Siverek dhe hapi zjarr.
Sipas mediave lokale, nga të shtënat u plagosën të paktën 16 persona, mes tyre edhe nxënës. Ngjarja shkaktoi panik në ambientet e shkollës, ndërsa në vendngjarje u dislokuan forca të shumta policie, xhandarmërie dhe njësi të operacioneve speciale.
Raportimet paraprake tregojnë se autori qëndroi për një kohë brenda godinës së shkollës, ndërsa autoritetet rrethuan zonën dhe morën masa të forta sigurie për të vënë situatën nën kontroll.
Ndërkohë, mediat lokale publikuan pamje ku nxënës shihen duke u larguar me vrap nga ndërtesa në momentin kur nisën të shtënat.
Sipas mediave turke, autori i dyshuar është një 19-vjeçar, i identifikuar si Ömer Ket, i cili dyshohet se ka qenë ish-nxënës i shkollës. Ai përdori një armë gjahu dhe u neutralizua nga forcat e rendit.
Numri i të plagosurve arriti në 16, prej të cilëve 12 janë nxënës, 2 mësues dhe 2 civilë. Disa prej tyre janë transportuar në spitale në qendrën e provincës, ndërsa të tjerët po trajtohen në spitalin shtetëror të Siverekut.
"Kemi 16 të plagosur. Dy nga mësuesit dhe dy nga nxënësit janë vlerësuar nga mjekët me gjendje të mesme dhe janë dërguar në spitalet e qendrës së provincës. Trajtimi i 12 të plagosurve të tjerë vijon në Spitalin Shtetëror të Siverekut. Ngjarja po hetohet në detaje në të gjitha aspektet e saj. Është konstatuar se autori është ish-nxënës i shkollës, i cili ka ndjekur mësimet deri në klasën e nëntë dhe më pas është regjistruar në arsimin e hapur. Personi, i lindur në vitin 2007, u përpoq të neutralizohej nga policia brenda shkollës dhe gjatë ndërhyrjes qëlloi veten, duke humbur jetën. Shkolla është evakuuar. Aktualisht ndodhemi në Spitalin Shtetëror të Siverekut dhe po zhvillohen hetime të plota për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Prokuroria ka nisur procedurat ligjore, ndërsa ne po shqyrtojmë edhe aspektet administrative. I shprehim ngushëllimet tona të gjithë banorëve të Siverekut, Sanliurfas dhe komunitetit të arsimit. Pavarësisht masave të marra për sigurinë në shkolla, ngjarje të tilla të izoluara mund të ndodhin. Do të kryhen hetimet e nevojshme. Po ndjekim nga afër gjendjen e të plagosurve dhe u urojmë shërim të shpejtë", deklaroi guvernatori i Sanliurfas.

Lini një Përgjigje