Konflikti shoqërohet me dy dinamika paralele: nga njëra anë, operacione intensive ushtarake dhe goditje reciproke; nga ana tjetër, përpjekje të ndërmjetësuara për negociata, kryesisht përmes vendeve të treta.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë hequr përkohësisht dy zyrtarë të lartë iranianë nga lista e personave që synohen për eliminim, ndërsa po shqyrtojnë mundësinë e nisjes së bisedimeve për paqe. Këtë e konfirmuan zyrtarë amerikanë.
Sipas tyre, kryetari i parlamentit iranian, Mohammad-Bagher Ghalibaf, dhe ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi, u hoqën nga lista për një periudhë prej katër deri në pesë ditësh. Ky zhvillim përkon me përpjekjet e presidentit Donald Trump për të hapur rrugën drejt negociatave të nivelit të lartë me qëllim përfundimin e konfliktit.
Ndërmjetës nga Turqia, Pakistani dhe Egjipti po ushtrojnë presion për organizimin e një takimi mes përfaqësuesve të SHBA-së dhe Iranit, për të diskutuar një armëpushim dhe mundësinë e bisedimeve paqësore. Megjithatë, sipas zyrtarëve amerikanë, gjasat për sukses mbeten të ulëta për shkak të dallimeve të thella mes kërkesave të dy vendeve.
Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se koha për Iranin po mbaron për t’u ulur në tryezën e negociatave. Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se SHBA do ta godasë Iranin “më fort se kurrë më parë” nëse Teherani nuk pranon t’i japë fund konfliktit.
Që nga fillimi i luftës, Izraeli ka ndërmarrë një seri sulmesh ajrore ndaj objektivave iraniane, duke eliminuar disa figura të larta të regjimit. Mes tyre përmenden edhe udhëheqësi suprem Ajatollah Ali Khamenei dhe drejtuesi i sigurisë Ali Larijani. Autoritetet izraelite kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë të synojnë udhëheqjen iraniane në kuadër të një strategjie të ashtuquajtur “dekapitim”, e cila është përdorur më parë kundër Hamasit në Gaza dhe Hezbollahut në Liban.
Gjithashtu, ushtria amerikane ka përqendruar operacionet e saj në objektiva ushtarake iraniane dhe kërcënime raketore.
Presidenti Trump ka deklaruar më herët se sulmet fillestare ndaj Iranit kanë qenë aq efektive sa kanë neutralizuar shumë nga pasardhësit e mundshëm të udhëheqjes iraniane, me të cilët mund të zhvilloheshin negociata në të ardhmen. “Eliminuam të gjithë udhëheqjen e tyre dhe më pas, kur u mblodhën për të zgjedhur të reja, i goditëm sërish”, u shpreh ai para gazetarëve.
Përplasja mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka hyrë në një fazë të re dhe më të rrezikshme që nga fundi i shkurtit 2026, kur SHBA dhe Izraeli ndërmorën sulme të koordinuara ajrore ndaj objektivave në Iran. Operacioni, i njohur si “Epic Fury”, shënoi një përshkallëzim të drejtpërdrejtë ushtarak dhe çoi në vrasjen e disa figurave të larta të regjimit iranian, përfshirë edhe udhëheqësin suprem Ali Khamenei.
Pas këtyre sulmeve, Irani u kundërpërgjigj me raketa balistike dhe dronë ndaj objektivave në Izrael, si dhe ndaj bazave amerikane në rajon, duke e shndërruar konfliktin në një përballje të hapur me ndikim në gjithë Lindjen e Mesme.
Në thelb të konfliktit qëndrojnë disa çështje kyçe: programi bërthamor i Iranit, zhvillimi i raketave balistike dhe mbështetja e Teheranit për grupet e armatosura në rajon, si Hezbollah dhe grupet e lidhura me Iranin në Irak, Siri dhe Jemen. Përpjekjet për marrëveshje bërthamore dhe negociata diplomatike kanë dështuar vazhdimisht, duke lënë hapësirë për përshkallëzim ushtarak.
Aktualisht, konflikti shoqërohet me dy dinamika paralele: nga njëra anë, operacione intensive ushtarake dhe goditje reciproke; nga ana tjetër, përpjekje të ndërmjetësuara për negociata, kryesisht përmes vendeve të treta. Megjithatë, diferencat mes kërkesave të SHBA-së dhe Iranit mbeten të thella, duke e bërë të pasigurt çdo përparim diplomatik.
Situata është komplikuar më tej nga rreziku për përhapje rajonale të konfliktit, përfshirë kërcënimet ndaj rrugëve strategjike të naftës si Ngushtica e Hormuzit dhe Bab el-Mandeb, si dhe nga pasojat ekonomike globale, veçanërisht në tregjet e energjisë./ Përshtati "Pamfleti"
Lini një Përgjigje