
Populli serb duket se ka vendosur t’i besoj sërish qeverisjen e vendit, Partisë Progresive Serbe të Vuçiçit.
Mbi 6.5 milionë serbë me të drejtë vote, ju drejtuan ditën e sotme kutive të votimit në të gjithë Serbinë dhe shprehën vullnetin e tyre për të zgjedhur përfaqësuesit për 4 vitet e ardhshme, në Parlament, Bashki dhe Komuna. Pjesmarrja ishte më e lartë se zgjedhjet e shkuara dhe përllogaritet të jetë diku te 56 përqind.
Menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit, nisi procesi i numërimit të votave. Fillimisht do të numërohen votat për Parlament, më pas për krahina dhe ato lokale. Në projeksionet e para të dala, duket se partia e Aleksandër Vuçiçit nuk njeh humbje.
Sipas projeksioneve, me 50 për qind të votave të përpunuara, partia SNS e Aleksandër Vuçiçit ka marrë 46,6 për qind. Nëse vazhdohet me këtë trend, në një parlament me 250 vende, partia e Vuçiçit pretendon të marrë rreth 125 deputetë e vetme, pa përfshirë këtu partitë e koalicionit.
Ndërkohë që koalicioni opozita, “Serbia kundër dhunës” thuhet se ka marrë rreth 23 për qind të votave të numëruara deri më tani.
Socialistët fituan 6.9 për qind të votave, ndërsa koalicioni NADA 4.9 për qind. Befasinë e paraqet lista zgjedhore bartës i së cilës është Dr. Branimir Nestoroviq, i cili ka marrë 4.8 për qind të votave.
Kujtojmë se gjithsej 18 parti dhe koalicione u vunë në përpjekje për të siguruar mbështetjen e rreth 6.5 milionë votuesve. Pragu për të hyrë në parlamentin prej 250 vendesh është 3 për qind.
Në fjalën e tij nga selia e partisë pas mbylljes së votimeve, Aleksandër Vuçiç tha se është pothuajse i sigurt për fitoren e Partisë së tij Progresive Serbe në zgjedhjet parlamentare.
“Kur flas për një fitore bindëse, mendoj se lista (SNS) do të jetë afër shumicës absolute, ose do të ketë një shumicë absolute. Mendoj se ky është një kusht i rëndësishëm që Serbia të vazhdojë në rrugën e prosperitetit”, tha Vuçiç.
Gjithashtu dhe Ana Brnabić, kryeministre e Serbisë dhe e besuar e bordit të SNS-së së Beogradit, u shfaq tepër entuziaste në fjalimin e saj para selisë së partisë.
Duke folur lidhur me projeksionet e para, ajo u shpreh e sigurt se partia e tyre, SNS do të ketë më shumë se 125 mandate e vetme.
Nga ana tjetër, koalicioni opozitar i cili mesa duket nuk bindi aq sa duhet, është shprehur se kanë fituar kryeqytetin e Serbisë.
Po ashtu, deputeti shqiptar nga Lugina e Preshevës, Shaip Kamberi, ka probabilitet të lartë të ruajë mandatin e tij dhe të vazhdojë advokimin në Parlamentin e Serbisë, për respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë.
Kujtojmë se këto ishin zgjedhjet e dyta parlamentare brenda një periudhe dy vjeçare, të cilat erdhën si shkak i episodeve të dhunës, të ndodhur në disa shkolla në Beograd, që më pas nxitën një reagim të madh mbarë popullor.
Vlen të theksohet se vitet e fundit Serbia është shoqëruar nga një paqëndrueshmëri politike, pasi këto janë gjithashtu zgjedhjet e pesta që janë organizuar në Serbi prej vitit 2012.
Por pavarësisht gjithë kësaj, populli serb duket se ka vendosur t’i besoj qeverisjen e vendit, sërish Partisë Progresive Serbe të Vuçiçit, së bashku me partnerë në koalicion./Pamfleti
Lini një Përgjigje