Ndërsa lideri amerikan përgatitet për vizitën e tij zyrtare në Pekin, balanca e fuqisë ka pësuar një rrotullim tektonik që tregon se Uashingtoni nuk i mban më të gjitha kartat në dorë. Në këtë lojë shahu gjeopolitike, Kina e di se fitorja kërkon një kujdes kirurgjikal, ndërsa Trump kërkon me ngulm një triumf spektakolar që do ta gdhendte emrin e tij në analet e historisë botërore...
Tre vjet më parë, marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës gjendeshin në pikën e tyre më të ulët, të tensionuara nga një sërë mosmarrëveshjesh diplomatike dhe shqetësimet në rritje për një konflikt të mundshëm mbi Tajvanin. Administrata e Joe Biden vendosi atëherë të përdorte çdo lloj mundësie për të krijuar një raport personal mes presidentit amerikan dhe homologut të tij Xi Jinping, me shpresën se kontaktet e drejtpërdrejta mund të stabilizonin marrëdhëniet, edhe ndërsa Uashingtoni zbatonte masa të ashpra si kontrolli i eksporteve teknologjike.
Udhëheqësi kinez, i cili po vizitonte San Franciskon atë nëntor për forumin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor, pranoi një takim dypalësh në rezidencën luksoze Filoli. Kur Biden e priti mysafirin në derë, i tregoi në telefon një fotografi të Xi-ut ë ri, të bërë pranë urës Golden Gate plot 38 vite më parë.
Xi Jinping, zakonisht i rezervuar dhe formal, u duk i kënaqur nga ky gjest, ashtu siç buzëqeshi kur Biden komplimentoi limuzinën e tij Hongqi, një makinë imponuese me stil retro të epokës së Maos, e sjellë posaçërisht nga Kina, dhe e krahasoi atë me mjetin e tij presidencial të blinduar rëndë.
Por, sipas Sarah Beran, këshilltares kryesore të Shtëpisë së Bardhë për Kinën në atë kohë, atmosfera miqësore u kthye shpejt në siklet gjatë një shëtitjeje private në kopsht, ku dy liderët thuajse nuk folën fare ndërsa ecnin përmes lëndinave të mirëmbajtura. Qëllimi ishte të tregohej se marrëdhënia ishte stabilizuar. Por ironikisht, dëshira për t’i fotografuar të dy presidentët vetëm bëri që të mos me ta kishte përkthyes, kështu që ata realisht nuk mund të komunikonin dot.
Atmosfera e përzemërt u zbeh edhe më shumë pasi Xi u largua, kur një gazetar e pyeti Biden-in nëse i ftuari i tij ishte diktator dhe ai u përgjigj pozitivisht, duke shkaktuar një reagim të dukshëm shqetësimi te sekretari i shtetit Antony Blinken.
Në fund, të dyja palët kërkuan stabilitet dhe vizita arriti objektivat e saj, por ajo tregoi edhe një herë se sa vendimtare mund të jenë marrëdhëniet personale mes liderëve në përcaktimin e drejtimit të marrëdhënieve dypalëshe.
Javën e ardhshme, rëndësia e këtij faktori do të shfaqet sërish kur Donald Trump, i cili shpesh mburret me lidhjen e tij të ngushtë me homologun kinez, të nisë një vizitë dyditore në Pekin.
Ai do të mbërrijë atje në një kohë kur Shtetet e Bashkuara dhe Kina po konkurrojnë ashpër për dominim në tregti, teknologji dhe ndikim global. Tetorin e vitit të kaluar, Xi dhe Trump u takuan në Korenë e Jugut dhe ranë dakord për një armëpushim në luftën tregtare.
SHBA-ja hoqi gradualisht tarifat që kishin arritur në 125 për qind, pasi Pekini e kufizoi furnizimin me minerale kritike të nevojshme për prodhimin e produkteve të teknologjisë së lartë.
Aftësia e Kinës për t’iu kundërvënë ofensivës tarifore amerikane shënoi një moment të rëndësishëm në konkurrencën strategjike midis një superfuqie në ngritje dhe hegjemonit ekzistues, duke shkatërruar imazhin e Shteteve të Bashkuara si një fuqi e gjithëpushtetshme.
Sipas Victor Shih, profesor i ekonomisë politike kineze në Universitetin e Kalifornisë, nuk është më e vërtetë që Amerika i mban të gjitha kartat në dorë, pasi ajo epokë ka marrë fund ndoshta njëherë e përgjithmonë.
Disa zyrtarë amerikanë thonë se të dyja palët tani po ndjekin një stabilitet strategjik për të fituar kohë dhe për të përmirësuar dobësitë e tyre, përfshirë mineralet e rralla për Amerikën dhe gjysmëpërçuesit për Kinën.
Por të tjerë e kanë quajtur këtë me përçmim si një nënshtrim strategjik nga ana e Uashingtonit, duke u shqetësuar se vendi po heq dorë nga roli i tij në ruajtjen e rendit botëror në favor të autoritarizmit në rritje të udhëhequr nga Xi Jinping dhe Vladimir Putin.
Aleatët amerikanë në Azi, janë veçanërisht të shqetësuar se Trump mund të bëjë lëshime në çështjet e sigurisë rajonale, sidomos për Tajvanin, të cilin Pekini e konsideron territor të vetin.
Nëse Trump do ia dalë të bindë Xi-n të vazhdojë armëpushimin tregtar dhe të blejë sasi të mëdha produktesh bujqësore, këto do të ishin arritje të rëndësishme ekonomike. Por ish-ambasadori Nick Burns shpreh shqetësimin se kinezët do të përpiqen ta bindin presidentin të pranojë një ndryshim të rëndësishëm në politikën ndaj Tajvanit, gjë që do të ishte një gabim historik.
Takimet personale mes këtyre liderëve kanë një histori të gjatë dhe komplekse, nga kimia e jashtëzakonshme mes Maos dhe Niksonit në vitin 1972, deri te periudhat e tensionuara të Obamës dhe vetë ftesa e Trump-it në Mar-a-Lago, ku i shërbeu Xi-së tortë me çokollatë ndërsa e informonte për bombardimet në Siri.
Sot, Trump përballet me një Kinë më të sigurt në vetvete, e cila pavarësisht problemeve ekonomike dhe krizës në sektorin e pasurive të paluajtshme, beson se ka më shumë mjete për t’u kundërpërgjigjur.
Trump e sheh veten si arkitekti i një marrëveshjeje të madhe që do ta vendoste në histori, ndërsa për Xi Jinping, kjo mbetet një lojë për të fituar kohë drejt shkëputjes nga Perëndimi.
Megjithatë, Trump shpreson në një triumf diplomatik dhe ka deklaruar se pret që pret që Xi t’i japë një përqafim të madh kur të mbërrijë atje, një gjest që lideri kinez zakonisht e ruan vetëm për aleatët e tij më të ngushtë si Putini.
Çfarëdo që të ndodhë në sallat e Pekinit, bota mbetet kureshtare të shohë nëse ky samit do të prodhojë paqen transaksionale që aspiron Trump, apo do të jetë thjesht një tjetër akt në dramën e gjatë të rivalitetit mes dy superfuqive./Pamfleti nga “Financial Times”
Lini një Përgjigje