Rusia po pëson “humbje tronditëse” në Ukrainë, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke vlerësuar se rreth 65 mijë ushtarë rusë janë vrarë gjatë dy muajve të fundit.
Në një tryezë të rrumbullakët me gazetarë, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, Rutte theksoi se NATO mbetet mjaftueshëm e fortë për të penguar çdo përpjekje të Rusisë për të sulmuar një vend anëtar të Aleancës.
“Ne do të fitonim çdo luftë me Rusinë nëse ajo do të na sulmonte tani, dhe duhet të sigurohemi që e njëjta gjë të vlejë edhe pas dy, katër apo gjashtë vitesh”, u shpreh ai.
Rutte nënvizoi se fuqia parandaluese e NATO-s mbetet e besueshme dhe se Moska nuk ka interes të hapë një front të drejtpërdrejtë me Aleancën.
Sa i përket debatit në Europë për forcimin e parandalimit bërthamor, pas njoftimit të Gjermanisë se po zhvillon diskutime me Francën mbi këtë çështje, Rutte sqaroi se asnjë vend europian nuk synon të zëvendësojë ombrellën bërthamore të Shteteve të Bashkuara.
“Mendoj se çdo diskutim në Europë që synon forcimin kolektiv të parandalimit bërthamor është pozitiv, por askush në Europë nuk mbështet idenë që kjo të zëvendësojë ombrellën bërthamore të SHBA-ve”, deklaroi ai.
Lini një Përgjigje