TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Shkurt 2026, 17:00

Si u prit qëndrimi i Rubios në Mynih?

Shkruar nga Pamfleti
Si u prit qëndrimi i Rubios në Mynih?
Rubio në Mynih

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, bëri thirrje nga podiumi i Konferencës së Sigurisë në Mynih për një “ringjallje” të bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës, duke theksuar trashëgiminë e përbashkët kulturore që, sipas tij, i lidh të dyja anët e Atlantikut.

Në fjalimin e tij, Rubio synoi të qetësonte shqetësimet e liderëve europianë, pas një viti të karakterizuar nga tarifa tregtare dhe kërcënime nga presidenti Donald Trump, të cilat kishin ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e NATO-s dhe marrëdhënieve transatlantike.

Ai theksoi dëshirën e Uashingtonit për të bashkëpunuar “me miqtë tanë këtu në Europë”, duke folur për “një trashëgimi të shenjtë, një lidhje të pandashme” mes SHBA-ve dhe partnerëve europianë. “Ne i përkasim njëri-tjetrit”, deklaroi Rubio. “Nuk jemi thjesht partnerë. Jemi pjesë e së njëjtës trashëgimi kulturore, e qytetërimit perëndimor. Na lidhin shekuj historie të përbashkët, besimi të krishterë, kulture, gjuhe dhe sakrificash të përbashkëta”, tha ai.

Duke iu referuar kërkesave të presidentit Trump për “seriozitet dhe reciprocitet” në marrëdhëniet ndërkombëtare, Rubio tha se këto qëndrime shprehen “sepse na intereson thellësisht” partneriteti me Europën.

Fjalimi i tij erdhi në një moment të ndjeshëm, pas deklaratave të muajit të kaluar nga Trump për Groenlandën, të cilat shkaktuan një nga përçarjet më të thella mes SHBA-ve dhe Europës në dekadat e fundit.

Në krahasim me tonin e ashpër të përdorur një vit më parë nga nënpresidenti JD Vance, i cili kishte akuzuar Europën për kufizim të lirisë së shprehjes dhe për largim nga “vlerat themelore”, fjalimi i Rubio-s u perceptua si më pajtues.

Presidenti i Konferencës së Mynihut, Wolfgang Ischinger, e cilësoi mesazhin e Rubio-s si “ngushëllues dhe miqësor”, duke thënë se ai solli një “frymëmarrje lehtësimi” në sallë.

Megjithatë, Rubio përsëriti disa nga qëndrimet e administratës amerikane, duke kritikuar dominimin e vendeve joperëndimore në zinxhirët kritikë të furnizimit dhe politikat e gjelbra energjetike, të cilat, sipas tij, synojnë “të qetësojnë një lloj kulti klimatik” dhe rrezikojnë ekonomitë perëndimore. Ai theksoi gjithashtu se Europa dhe SHBA-të përballen me sfidën e migracionit masiv dhe me rrezikun e “dobësimit kulturor”.

Siguria kombëtare nuk është thjesht një çështje teknike. Çfarë po mbrojmë? Po mbrojmë një qytetërim të madh”, deklaroi ai, duke shtuar se vetëm përmes mbrojtjes dhe krenarisë për trashëgiminë e përbashkët mund të ndërtohet e ardhmja ekonomike dhe politike e Perëndimit.

Reagimet ishin të përziera. Një diplomat gjerman u shpreh se “nuk ishte përgjigjja që prisnim”, duke shtuar se fjalimi dukej më shumë i drejtuar ndaj publikut amerikan sesa atij europian. Një zyrtar tjetër europian komentoi se mesazhi ishte “MAGA, por pa një qasje konkrete”, duke vënë në dukje mungesën e referencave të qarta ndaj Rusisë dhe luftës në Ukrainë.

Nga ana tjetër, deputeti gjerman i CDU-së, Jürgen Hardt, deklaroi se “Rubio mbetet i përkushtuar ndaj NATO-s, dhe kjo është pozitive”, por theksoi se “europianët nuk do të përfshihen në luftërat kulturore amerikane”.

Lini një Përgjigje