TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Shkurt 2026, 16:51

Giorgia Meloni “luan me dy porta”: Europa duhet të bëjë më shumë për sigurinë, por raportet me SHBA-të duhen forcuar

Shkruar nga Pamfleti
Giorgia Meloni “luan me dy porta”: Europa duhet të
Giorgia Meloni

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, deklaroi se marrëdhëniet ndërkombëtare po kalojnë një “fazë shumë komplekse”, duke iu referuar tensioneve të fundit mes Europës dhe Shteteve të Bashkuara, pas komenteve kritike të kancelarit gjerman Friedrich Merz ndaj politikave të presidentit amerikan Donald Trump.

E pyetur nëse ndan qëndrimin e Merz-it, Meloni u shpreh se aktualisht “jemi në një fazë shumë komplekse të marrëdhënieve ndërkombëtare” dhe në një moment të veçantë të raporteve mes Europës dhe SHBA-ve.

Lidhur me deklaratën e Merz-it se raportet mes Europës dhe Amerikës janë dëmtuar, Meloni tha se kancelari gjerman bën një vlerësim të drejtë kur thekson se Europa duhet të kujdeset më shumë për veten dhe të bëjë më shumë në fushën e sigurisë, duke filluar nga shtylla europiane e NATO-s. “Për këtë unë jam dakord”, theksoi ajo.

Megjithatë, për sa i përket kritikave direkte ndaj presidentit Trump, kryeministrja italiane nënvizoi se Europa duhet të punojë për një integrim më të madh me Shtetet e Bashkuara. “Duhet të valorizojmë atë që na bashkon më shumë sesa atë që mund të na ndajë. Kjo është shumë e rëndësishme për të gjithë, veçanërisht për vendet europiane, dhe besoj se është shumë e rëndësishme për Italinë”, deklaroi Meloni.

E pyetur për kritikat e Merz-it ndaj kulturës “MAGA”, Meloni u distancua, duke theksuar se bëhet fjalë për vlerësime politike që u takojnë partive dhe liderëve individualë dhe se nuk është çështje kompetence e Bashkimit Europian.

Sa i takon një ftese për të marrë pjesë në një takim në Shtëpinë e Bardhë lidhur me Gazën, Meloni konfirmoi se Italia është ftuar si vend vëzhgues. “Sipas nesh është një zgjidhje e mirë në raport me problemin e përputhshmërisë kushtetuese”, u shpreh ajo, duke shtuar se Italia ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë një rol aktiv në Lindjen e Mesme.

Meloni tha se Italia do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për të marrë pjesë si vend vëzhgues. Lidhur me nivelin e përfaqësimit, ajo sqaroi se vendimi ende nuk është marrë, pasi ftesa është dërguar së fundmi edhe vendeve të tjera. Sipas saj, pritet që interes të veçantë të tregojnë vendet europiane mesdhetare.

meloni shba gjermani

Lini një Përgjigje