TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Shkurt 2026, 17:40

A mbeten SHBA-të një aleat i besueshëm për Europën?

Shkruar nga Pamfleti
A mbeten SHBA-të një aleat i besueshëm për Europën?
Marco Rubio në Mynih

Si duhet ta lexojmë fjalimin e Rubios në Mynih?

Liderë botërorë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrin britanik Sir Keir Starmer, u mblodhën në Mynih për konferencën më të madhe europiane mbi sigurinë dhe mbrojtjen.

Pyetja që dominoi diskutimet ishte e drejtpërdrejtë: a mbeten Shtetet e Bashkuara një aleat i besueshëm për Europën?

Fjalimi më i pritur ishte ai i sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio. Vëmendja u përqendrua nëse ai do të përsëriste kritikat e ashpra ndaj Europës, të artikuluara një vit më parë nga nënpresidenti JD Vance, apo do të zgjidhte një ton më pajtues.

Salla ishte e mbushur me gjeneralë dhe admiralë me uniforma të dekoruara, kryeministra e presidentë, diplomatë, ambasadorë, anëtarë të Kongresit amerikan dhe politikanë europianë. Të gjithë prisnin mes tensionit mesazhin e diplomatit kryesor të presidentit Donald Trump.

Duartrokitjet nuk erdhën menjëherë. Në minutat e para, ndërsa Rubio nisi fjalimin, toni i tij u duk si një përsëritje e kritikave ndaj Europës. Ai kritikoi tregtinë e lirë, migracionin masiv dhe politikat e gjelbra për klimën.

Rubio foli edhe për një “kult klimatik” që, sipas tij, dëmton ekonominë amerikane, ndërsa kritikoi Kombet e Bashkuara për dështimin në zgjidhjen e konflikteve në Gaza dhe Ukrainë.

Sekretari amerikan i Shtetit, me një qëndrim të qetë dhe i mbështetur në një tekst të përgatitur, mbajti fjalimin nga podiumi me një dorë në xhep. Më pas ai artikuloi fjalinë që shumë në sallë prisnin: “Fati ynë do të jetë gjithmonë i ndërthurur me tuajin (në Europë).”

Fundi i epokës transatlantike nuk është as qëllimi ynë dhe as dëshira jonë… ne do të jemi gjithmonë një fëmijë i Europës”, shtoi ai.

Rubio foli për “çlirimin e krijimtarisë”, për objektiva të përbashkëta në sigurimin e zinxhirëve të furnizimit me minerale kritike dhe për kulturën europiane që, sipas tij, i ka dhënë botës Shekspirin, Mozartin dhe Rolling Stones, duke shkaktuar një reagim të lehtë humori në sallë.

Megjithatë, ai shtoi se partneriteti transatlantik është unik dhe se SHBA-të “nuk kanë interes të jenë kujdestarë të sjellshëm të një rënieje të menaxhuar të Perëndimit”, duke lënë të kuptohet se Uashingtoni kërkon një qasje më dinamike dhe më të vendosur.

Reagimi i të pranishmëve ishte përgjithësisht pozitiv. Rreth gjysma e sallës u ngrit në këmbë për ta duartrokitur në fund të fjalimit. Në Mynih u ndje një lehtësim i dukshëm se, pavarësisht tensioneve të muajve të fundit – përfshirë tarifat tregtare dhe deklaratat mbi Groenlandën – aleanca transatlantike nuk është në shpërbërje.

Besoj se europianët morën frymë të lehtësuar, sepse mesazhi ishte se Europa është e rëndësishme dhe se Europa dhe Amerika janë thellësisht të lidhura dhe aleatë të mirë, siç kanë qenë për një kohë të gjatë dhe do të jenë edhe në të ardhmen”, deklaroi pas fjalimit Kaja Kallas, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme.

Ajo pranoi se dallime reale politike vazhdojnë të ekzistojnë mes Uashingtonit dhe kryeqyteteve europiane. Të dyja palët bien dakord se Europa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj, por në Mynih u shpreh edhe pakënaqësi e heshtur për faktin që administrata Trump nuk po ushtron presion të mjaftueshëm ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, e cila po hyn në vitin e pestë. /Përshtatur nga “BBC”

Lini një Përgjigje