TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota16 Gusht 2025, 17:50

Reagon Putin: Vizita në Alaskë, e dobishme dhe në kohën e duhur

Shkruar nga Pamfleti

Reagon Putin: Vizita në Alaskë, e dobishme dhe në kohën e

Presidenti rus Vladimir Putin e ka cilësuar vizitën e tij në Alaska si “të dobishme dhe në kohën e duhur”, duke nënvizuar se biseda me Donald Trump ishte “e sinqertë dhe me përmbajtje”, sipas agjencisë shtetërore ruse TASS.

Putin shtoi se Rusia “respekton pozicionin e SHBA-së” për konfliktin në Ukrainë, një deklaratë që duket më shumë si gjuhë diplomatike, sesa një sinjal real i kompromisit.

Në thelb, lideri i Kremlinit nuk ka lëvizur nga linja e tij e ashpër: më herët ai foli për nevojën e eliminimit të “shkaqeve rrënjësore” të luftës. Ky formulim, që në dukje tingëllon neutral, në fakt është kodi politik i Moskës për të mos hequr dorë nga vijat e kuqe, pra kontrolli mbi territoret lindore të Ukrainës, neutralizimi i Kievit dhe pengimi i zgjerimit të NATO-s drejt lindjes.

Deklaratat e Putinit pas takimit me Trump përforcojnë bindjen se Moska është e gatshme të negociojë vetëm në aspektet dytësore, si ngrirja e frontit në disa zona, por nuk ka ndërmend të bëjë lëshime mbi çështjet themelore. “Shkaqet rrënjësore” janë në thelb refuzimi i shtetësisë së plotë të Ukrainës në kufijtë aktualë dhe rivendosja e një sfere të re ndikimi rus në Europën Lindore.

Putin e shfrytëzoi vizitën në Alaska për të dalë nga izolimi ndërkombëtar dhe për të vendosur Trumpin si negociator të drejtpërdrejtë me Perëndimin. Në fakt, retorika e tij për një “dialog të sinqertë” sinjalizon një gjuhë të butë diplomatike, ndërkohë që në terren trupat ruse vazhdojnë përparimin në Donbas.

Lini një Përgjigje