
Putin u soll si ‘mikpritësi’, Trump u duk në rolin e mikut...
Për Vladimir Putinin asgjë nuk mund të kishte shkuar më mirë në Alaskë. Nga qilimi i kuq te fluturimi i avionëve, i akuzuari për krime lufte u prit si mbret.
Të vetmet vende të tjera që e kanë mirëpritur në këtë mënyrë vitet e fundit janë vende si Kina dhe Koreja e Veriut, miqtë e vjetër të Rusisë.
Qëllimi më urgjent i udhëheqësit të Kremlinit në Anchorage ishte të zbuste frustrimet e Trump. Vetëm një javë më parë Moska u përball me një ultimatum: armëpushim ose sanksione.
Por asnjëra nuk u përmend. Fjala "armëpushim" dhe fjala "sanksione" nuk u shqiptuan as edhe një herë.
Udhëheqësit duket se kanë arritur në një kornizë të lirshme. Por për çfarë? Nuk e dimë sepse detajet nuk u bënë të ditura.
Por fakti që Vladimir Putin foli për nevojën për të eliminuar "shkaqet rrënjësore" të konfliktit nuk do ta mbushë Ukrainën me shpresë.
Kjo frazë në thelb do të thotë se vijat e kuqe të Rusisë janë po aq të pashlyeshme sa gjithmonë, për territorin, neutralitetin për Ukrainën dhe kufizimet e forcave të saj të armatosura. Dhe Moska nuk ka ndërmend t'i zbehë ato .
Me ardhjen e konferencës për shtyp, ishte më se e qartë se kush po i merrte vendimet.
Jo vetëm që Vladimir Putin foli i pari, por as nuk pati pyetje, të dyja gjëra sigurisht të paprecedenta në botën e marrëdhënieve me median të Trump.
Duke pasur parasysh sa të koreografuara janë zakonisht konferencat për shtyp të Putinit, aludoj që mungesa e pyetjeve dhe përgjigjeve të ketë qenë një kusht i vendosur nga ekipi i tij.
Edhe më e jashtëzakonshme ishte gatishmëria dhe aftësia e Trump për t'iu bindur atij, një shenjë se sa shumë e vlerëson ai marrëdhënien e tij me Kremlinin.
"Ndjekja e paqes" ishte slogani i samitit, por dukej sikur Vladimir Putin po ndiqte diçka tjetër, fillimin e një kapitulli të ri në marrëdhëniet SHBA-Rusi, për të cilin Ukraina do të ketë frikë se mund të vijë në kurriz të saj. /Përshtatur nga “Sky News”
Lini një Përgjigje