Moska po forcon bazat ushtarake, sistemet raketore dhe flotën e nëndetëseve në Paqësor, ndërsa Pekini zgjeron patrullimet e përbashkëta me Rusinë. Tokio po përgjigjet me modernizim të forcave ajrore, stërvitje të reja dhe rritje rekord të buxhetit të mbrojtjes...
Japonia po ndjek me shqetësim në rritje zhvillimet ushtarake të Rusisë në Paqësorin verior dhe vlerëson se një krizë e mundshme me Kinën mund ta vendosë përballë një skenari konflikti në dy fronte. Në muajt e fundit, Tokio ka shtuar monitorimin e zonës përreth ishullit Hokkaido, pas rritjes së stërvitjeve ushtarake ruse dhe operacioneve të përbashkëta mes Moskës dhe Pekinit.
Sipas autoriteteve japoneze, ekziston rreziku që vendi të përballet njëkohësisht me presion kinez në Detin e Kinës Lindore dhe me një manovër ushtarake ruse në veri të territorit japonez.
Ministri japonez i Mbrojtjes, Shinjiro Koizumi, ka deklaruar se mbrojtja e Hokkaidos duhet të mbetet në nivel maksimal gatishmërie, duke theksuar se prania ushtarake ruse në Lindjen e Largët përbën tashmë një shqetësim serioz për sigurinë kombëtare.
Sipas gazetës South China Morning Post, shqetësimi strategjik i Tokios lidhet me koordinimin gjithnjë e më të ngushtë mes forcave të armatosura ruse dhe kineze në hapësirat detare dhe ajrore që rrethojnë Japoninë. Gjatë viteve të fundit, bombarduesit e dy vendeve kanë zhvilluar patrullime të përbashkëta, ndërsa anije luftarake kineze janë vërejtur gjithnjë e më shpesh edhe në veri të arkipelagut japonez.
Analistët vlerësojnë se Rusia po e shndërron Detin e Ohotskut në një zonë të mbrojtur për nëndetëset e saj bërthamore, ndërsa njëkohësisht po forcon praninë raketore në Ishujt Kurile Jugore, territore që mbeten objekt mosmarrëveshjeje me Japoninë.
Shqetësimi kryesor i Tokios është mundësia që Moska të shfrytëzojë një krizë të mundshme mes Kinës dhe Japonisë për të hapur një front dytësor pranë Hokkaidos, duke e detyruar Japoninë të shpërndajë forcat dhe burimet e saj ushtarake në disa drejtime.
Për këtë arsye, Forcat Japoneze të Vetëmbrojtjes kanë shtuar stërvitjet për dislokimin e shpejtë të trupave nga jugu drejt veriut të vendit. Paralelisht, Japonia po përshpejton modernizimin e aviacionit ushtarak. Avionët e vjetër F-15 të bazës së Chitose do të zëvendësohen gradualisht me avionët e gjeneratës së pestë F-35A, të cilët konsiderohen thelbësorë për ruajtjen e epërsisë ajrore në rast të përshkallëzimit të tensioneve rajonale.
Shqetësimet japoneze janë shtuar edhe nga rritja e numrit të ndërhyrjeve ajrore ndaj avionëve rusë dhe kinezë. Vetëm gjatë nëntë muajve të parë të vitit të kaluar, avionët luftarakë japonezë u ngritën 448 herë për të identifikuar mjete ajrore që hynë në zonën e mbrojtjes ajrore të vendit.
Një pjesë e madhe e këtyre misioneve lidhej me avionët rusë të vëzhgimit IL-20, por vëmendje të veçantë kanë tërhequr avionët MiG-31 të pajisur me raketat hipersonike Kinzhal. Këto armë, të afta të ndryshojnë trajektoren gjatë fluturimit, konsiderohen shumë të vështira për t’u neutralizuar dhe paraqesin një sfidë të rëndësishme për sistemet mbrojtëse japoneze.
Ndërkohë, Kremlini po vazhdon të zgjerojë praninë e tij detare në Paqësor. Rusia po zgjeron bazën e nëndetëseve bërthamore në Kamçatka dhe po përgatit njësi të reja të specializuara për operacione në thellësi të mëdha nënujore.
Tokio vlerëson se rivaliteti strategjik nuk kufizohet vetëm në hapësirën ajrore dhe detare, por mund të shtrihet edhe tek infrastruktura nënujore, përfshirë kabllot e komunikimit dhe rrjetet energjetike.
Qeveria japoneze ka miratuar një buxhet rekord prej 58 miliardë dollarësh për mbrojtjen, me synimin për të përballuar njëkohësisht presionin strategjik të Rusisë dhe Kinës në rajonin e Paqësorit.
Lini një Përgjigje