'Politika është arti i kompromisit dhe negociatat janë një kompromis', tha Putin, një mesazh indirekt ky për Trump dhe Zelenskyn.
Presidenti rus Vladimir Putin në konferencën e përvitshëm drejtuar kombit, pati edhe një mesazh indirekt për presidentin e ri të SHBA, Donald Trump.
Teksa u shpreh se forcat ruse po arrijnë qëllimet e tyre në fushën e betejës në Ukrainë, ai tha se Rusia është gati për negociata dhe kompromise me Kievin.
“Ne jemi gati për negociata, por na duhet që ukrainasit të jenë gati për negociata dhe kompromise për t'i dhënë fund konfliktit. Politika është arti i kompromisit dhe negociatat janë një kompromis"., tha Putin.
Putin gjithashtu shpalli edhe pamundësinë e shkatërrimit të raketës hipersonike, Oreshnik, për të cilën sfidoi edhe Perëndimin duke u kërkuar që ta testojnë atë në Ukrainë.
"Nuk ka asnjë shans për të rrëzuar këto raketa. Nëse ekspertët perëndimorë që përmendët mendojnë se Oreshniku mund të rrëzohet, ne u propozojmë atyre në Perëndim dhe në SHBA, të cilët paguhen për analizat e tyre, të kryejnë një lloj eksperimenti teknologjik, një duel të teknologjisë së lartë të shekullit XXI, le të emërtojnë ndonjë objekt, le të themi, në Kiev, të përqendrojnë të gjitha forcat e tyre të mbrojtjes ajrore dhe raketore atje, dhe ne do ta godasim atë me Oreshnik dhe do ta shikoni se çfarë do të ndodhë. Ne jemi gati për një eksperiment të tillë?"
Më tej Putin lëshoi edhe disa kërcënime të reja ndaj Perëndimit, gjatë konferencës së madhe vjetore për shtyp.
I pyetur për ndryshimin e doktrinës bërthamore, presidenti rus sqaroi se “nëse vendet paraqesin kërcënim për Rusinë, Rusia beson se ka të drejtë të përdorë armë bërthamore kundër tyre”.
Kujtojmë se kreu i Kremlinit muajin e kaluar miratoi ndryshime në doktrinën bërthamore të Rusisë, duke vendosur kushte të reja nën të cilat vendi do të konsiderojë përdorimin e arsenalit të tij bërthamor.
Tani doktrina e re parashikon që një sulm nga një shtet jo-bërthamor, nëse mbështetet nga një fuqi bërthamore, do të trajtohet si një sulm bërthamor ndaj Rusisë.
Vladimir Putin siguroi gjithashtu se ekonomia ruse është "stabile" pavarësisht "kërcënimeve të jashtme", pasi Rusia po përballet me sanksione të rënda perëndimore nga viti 2022 si hakmarrje për sulmin e saj ndaj Ukrainës.
Lini një Përgjigje