Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar dërgimin e sistemeve të avancuara të mbrojtjes ajrore Patriot në Ukrainë, në kuadër të një plani të ri për përforcimin e mbrojtjes së vendit ndaj sulmeve të vazhdueshme ruse. Megjithatë, kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se kjo ndihmë nuk do të përfshijë fonde nga buxheti amerikan.
“Do t’u dërgojmë disa, sepse kanë nevojë për mbrojtje. Bashkimi Europian do të paguajë. Ne nuk do të paguajmë asgjë,” deklaroi Trump, pa dhënë hollësi për numrin e sistemeve që do të dërgohen.
Plani i propozuar parashikon që vendet europiane të blejnë armë dhe pajisje ushtarake amerikane, të cilat më pas do të shpërndahen në Ukrainë përmes kanaleve të NATO-s. Për të koordinuar detajet e kësaj skeme, në Uashington ndodhet sot Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili do të zhvillojë takime me Trump dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë. Gjithashtu, edhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, ndodhet në kryeqytetin amerikan për takime institucionale lidhur me çështjet e mbrojtjes dhe ndihmës për Ukrainën.
Ndërkohë, në terren situata mbetet tejet e tensionuar. Ukraina po përballet çdo natë me sulme të vazhdueshme ruse me dronë dhe raketa, që shpesh godasin zonat civile. Pranë centralit bërthamor të Zaporizhias, inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA) dëgjuan qindra të shtëna armësh të lehta për rreth një orë, duke ngritur alarmin për një përshkallëzim serioz të konfliktit. Drejtori i AIEA-s, Rafael Grossi, paralajmëroi për rrezikim të sigurisë bërthamore, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të veprimeve ushtarake në këtë zonë tepër të ndjeshme.
Këto zhvillime ndodhin në një moment kur Trump paralajmëron shpalljen e një plani të ri për armatosjen e Ukrainës, përfshirë edhe pajisje sulmuese, që përbëjnë një ndryshim të theksuar nga qëndrimi i mëparshëm i tij më rezervuar ndaj ndërhyrjes direkte amerikane në këtë konflikt. Lajmi është bërë publik nga portali Axios, i cili citon dy burime të afërta me zhvillimet në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti amerikan e ka shtuar tonin kritik ndaj presidentit rus Vladimir Putin, duke e akuzuar se po refuzon çdo përpjekje për një marrëveshje armëpushimi dhe se synon fitoren e plotë ushtarake në Ukrainë.
“Putin thotë fjalë të mira, e më pas bombardon gjithçka në mbrëmje. Por kjo është problem dhe mua nuk më pëlqen,” tha Trump në një deklaratë për mediat.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do të furnizojnë Ukrainën me armatime shumë të sofistikuara, përfshirë sistemet Patriot, por me kusht që kostoja të mbulohet plotësisht nga Europa. Sipas tij, ky është një model që duhej të ishte zbatuar më parë.
“Do të takohem me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, por në thelb do t’u dërgojmë atyre pajisje të ndryshme ushtarake shumë të sofistikuara. Ata do të na paguajnë 100% për to. Nuk mendoj se Biden e ka kërkuar ndonjëherë këtë. Por ne duam t’u kërkojmë 350 miliardë. Evropa është dakord për njëqind miliardë. Janë shumë para, 100 miliardë... Pra, ndërsa ne dërgojmë pajisje, ata do të na rimbursojnë për ato pajisje. A nuk tingëllon mirë kjo? Kështu duhet të kishte qenë shumë kohë më parë,” deklaroi ai.
Sipas burimeve të afërta me administratën Trump, masa të tjera po diskutohen gjithashtu, përfshirë sanksione të reja të zgjeruara ndaj Rusisë, si dhe rritjen e ndihmës ushtarake dhe logjistike për Ukrainën në muajt e ardhshëm.
Gjatë kohës kur Trump zhvillon takime në Uashington, i dërguari i posaçëm i SHBA-ve, Keith Kellog, ndodhet në Ukrainë, ku është pritur ngrohtësisht nga shefi i kabinetit të presidentit ukrainas Zelensky. Fotot e publikuara tregojnë një përqafim simbolik mes të dyve. Sipas njoftimeve zyrtare, gjatë kësaj vizite do të diskutohen çështje të sigurisë për Ukrainën si dhe paketat e reja të sanksioneve ndaj Rusisë.
Në këtë kontekst të ri gjeopolitik, duket se roli i Europës do të jetë vendimtar, jo vetëm në aspektin diplomatik dhe strategjik, por edhe financiar, përballë një administrate amerikane që synon ndarjen e barabartë të barrës së luftës me aleatët transatlantikë.
Lini një Përgjigje