
Sipas administratës amerikane, qytetarët mund të kenë tashmë qasje të drejtpërdrejtë në videot, fotografitë dhe dokumentet origjinale që më parë ishin të klasifikuara ose të shpërndara pjesërisht mes institucioneve federale...
Departamenti amerikan i Mbrojtjes publikoi të premten 162 dosje, dokumente, dëshmi, raporte operative dhe video që lidhen me shfaqje të UFO-ve dhe fenomeneve ajrore të paidentifikuara (UAP), disa prej të cilave datojnë afro 80 vite më parë.
Autoritetet amerikane krijuan gjithashtu një platformë të posaçme në faqen zyrtare war.gov, ku është ngarkuar i gjithë materiali i deklasifikuar, përfshirë video nga sensorë ushtarakë, raporte misioni dhe analiza teknike mbi objektet e regjistruara.
Publikimi i dosjeve vjen pas një urdhri ekzekutiv të presidentit Donald Trump në muajin shkurt, i cili kërkonte transparencë të plotë mbi “jetën jashtëtokësore, fenomenet ajrore të paidentifikuara (UAP) dhe objektet fluturuese të paidentifikuara (UFO)”.
Njoftimi u shoqërua me deklarata të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes Pete Hegseth, Drejtoreshës së Inteligjencës Kombëtare Tulsi Gabbard, drejtorit të FBI-së Kash Patel dhe administratorit të NASA-s Jared Isaacman. Zyrtarët vlerësuan vendimin e Trump për publikimin e dokumenteve, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt transparencës publike.

Sipas administratës amerikane, qytetarët mund të kenë tashmë qasje të drejtpërdrejtë në videot, fotografitë dhe dokumentet origjinale që më parë ishin të klasifikuara ose të shpërndara pjesërisht mes institucioneve federale.
Megjithatë, edhe përpara urdhrit presidencial, Pentagoni kishte nisur prej vitesh një proces gradual deklasifikimi të dokumenteve që lidhen me UFO-t. Institucionet federale amerikane i referohen zakonisht këtyre rasteve si “fenomene anormale të paidentifikuara” ose UAP.
Sean Kirkpatrick, fizikant dhe ish-drejtues i Zyrës për Zgjidhjen e Anomalive në të Gjitha Fushat (AARO) deri në vitin 2023, deklaroi se ka shqyrtuar materialet e publikuara dhe nuk pret zbulime tronditëse.
“Njerëzit nuk duhet të presin dokumente me fotografi të alienëve apo intervista me qenie jashtëtokësore. Kjo thjesht nuk ekziston”, tha ai për Associated Press.
Kirkpatrick shtoi se shumë prej videove që qarkullojnë si prova të teknologjisë jashtëtokësore kanë shpjegime teknike dhe të zakonshme. Sipas tij, kamerat infra të kuqe të përdorura nga ushtria amerikane shpesh regjistrojnë motorë avionësh ose objekte të tjera të nxehta, duke krijuar efekte optike dhe termike që interpretohen gabimisht si objekte misterioze.

Raporti i parë i AARO për vitin 2024 dokumentoi qindra raste të reja UAP, por nuk gjeti prova që qeveria amerikane të ketë konfirmuar ndonjëherë ekzistencën e teknologjisë jashtëtokësore. Një raport i dytë, që do të mbulojë rastet më të fundit, pritet të publikohet së shpejti.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se administrata Trump po synon “transparencë maksimale” për publikun amerikan.
“Videot, fotografitë dhe dokumentet origjinale mbi UAP nga të gjitha institucionet federale janë tashmë të përqendruara në një vend të vetëm dhe nuk kërkohet autorizim për t’i parë”, deklaroi ai.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, administratat e mëparshme janë përpjekur të minimizojnë ose diskreditojnë interesin publik për këto raste, ndërsa Trump po i jep publikut mundësinë të krijojë vetë një gjykim mbi materialet e publikuara.
Ky vendim vjen pasi presidenti amerikan urdhëroi gjithashtu publikimin e dosjeve që lidhen me atentatet ndaj presidentit John F. Kennedy, senatorit Robert F. Kennedy dhe Martin Luther King Jr., gjatë javës së parë të mandatit të tij të dytë në janar 2025.
Greqia përfshihet në dosjet e UFO-ve
Ndër vendet që përmenden më shpesh në materialet e publikuara është edhe Greqia. Në dosje gjenden disa raporte për fenomene ajrore të paidentifikuara të regjistruara në territorin grek ose në zonat detare pranë tij.
Dokumentet shoqërohen me raporte operative, analiza teknike dhe video të regjistruara nga sensorë ushtarakë amerikanë.
Në një nga rastet e raportuara, një operator ushtarak amerikan deklaron se ka vëzhguar një objekt ajror të paidentifikuar që fluturonte “vetëm pak metra mbi sipërfaqen e oqeanit”.
Raporti përshkruan objektin duke kryer “disa kthesa 90 gradë” me një shpejtësi të vlerësuar rreth 80 milje në orë.
Në një tjetër raport që lidhet me Greqinë, objekti përshkruhet si një UAP që “fluturonte drejt vijës bregdetare mbi sipërfaqen e detit”.
Video ushtarake nga viti 2023
Një prej videove më të komentuara zgjat 2 minuta e 57 sekonda dhe është regjistruar në vitin 2023 nga një sensor infra të kuq në një platformë ushtarake amerikane.
Raporti shoqërues me kodin “DoW-UAP-D33” përshkruan objektin duke fluturuar pranë sipërfaqes së oqeanit dhe duke kryer manovra të shumta me kthesa 90 gradë.
Sipas përshkrimit teknik të videos:
-Në sekondat e para, në ekran shfaqet një zonë kontrasti që hyn në fushën e sensorit.
-Nga sekonda 7 deri në 19, objekti lëviz horizontalisht ndërsa sensori përpiqet ta ndjekë.
-Më pas objekti mbetet i përqendruar në pamje për më shumë se një minutë.
-Në minutën e dytë, sensori aktivizon një rrjetë gjurmimi dhe përpiqet të sinkronizojë lëvizjen me objektin.
-Më vonë aktivizohet një filtër kontrasti për të dalluar më mirë objektin nga sfondi.
-Në fund, objekti humbet nga fusha vizuale dhe operatori ndryshon vazhdimisht nivelet e zmadhimit dhe kontrastit për ta rikthyer në fokus.
Objekti “në formë diamanti”
Një video tjetër, e regjistruar në vitin 2024 dhe me kohëzgjatje 1 minutë e 5 sekonda, tregon një objekt që sipas raportit ushtarak kishte “formë diamanti”.
Raporti “DoW-UAP-D7” përshkruan objektin duke lëvizur me një shpejtësi rreth 434 nyje detare. Operatori ushtarak raportoi se objekti mund të identifikohej vetëm përmes sensorëve infra të kuq me valë të shkurtra (SWIR).
Pamjet fillojnë me ekran të ndarë në dy pjesë:
-në njërën anë shfaqen pamje optike,
-ndërsa në tjetrën pamje infra të kuqe SWIR.
Sipas përshkrimit:
-objekti bëhet i dallueshëm në sekondën e katërt,
-në sekondën e dhjetë pamja kalon në ekran të plotë SWIR,
-më vonë objekti përshkruhet vizualisht si “një pikë në formë loti të përmbysur me një masë lineare poshtë saj”.
-Në sekondën e 56-të operatori kalon sensorin në spektër normal të dukshëm dhe objekti humbet menjëherë nga pamja. Edhe pas rikthimit në modalitetin SWIR, objekti nuk arriti të identifikohej më.
Nuk i ka punët aspak mirë. Bën çdo gjë të mundur që të devijojë vëmendjen e publikut