TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Mars 2024, 16:36

Pse ukrainasit po e humbasin besimin tek Zelensky

Shkruar nga Gregor Schwung
Pse ukrainasit po e humbasin besimin tek Zelensky
Volodymir Zelensky /

Arroganca, shmangia e institucioneve, mbyllja e plotë përkundrejt mediave, përqendrimi i pushtetit dhe keqpërdorimi i ligjit ushtarak janë tiparet që po e karakterizojnë udhëheqjen e Zelenskyt...

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se ky vit do të jetë një pikë kthese. Ai deklaroi javën e kaluar se fati i vendit të tij do të vendoset pikërisht në vitin e tretë të luftës ndaj Rusisë. Këto fjalë i drejtoheshin mbi të gjitha komunitetit ndërkombëtar dhe nevojës për mbështetjen e mëtejshme të Ukrainës.

Si në SHBA ashtu edhe në Evropë, ka sot një debat të zjarrtë mbi sasinë e mbështetjes ushtarake që duhet ofruar. Ndërsa republikanët në Kongresin e SHBA-së po bllokojnë fondet për Ukrainën dhe kancelari gjerman Olaf Scholz nguron të dërgojë raketat Taurus, forcat e Kievit po tërhiqen gjithnjë e më shumë në mbrojtje.

Javën e kaluar, Rusia pushtoi 3 fshatra në 3 ditë, dhe ushtria e saj po përparon vazhdimisht pasi pushtoi qytetin Avdiivka. Edhe pse vështirësitë e ushtrisë ukrainase burojnë kryesisht për shkak të mungesës së mbështetjes materiale nga Perëndimi, Kievi e gjen veten në një situatë kritike edhe për një arsye tjetër që është e saj: udhëheqja e Zelenskyt.

Qasja e presidentit ukrainas ndaj qeverisë po nxit marrjen e vendimeve të këqija me pasoja serioze. Për më tepër Zelensky duket gjithnjë e më ngurues për të bërë ndonjë ndryshim në metodën e tij. Vetëm pas pak javësh i mbaron mandati dhe bashkë me të edhe legjitimiteti i Zelenskyt si president.

Zgjedhjet presidenciale duhej të mbaheshin këtë muaj, dhe sondazhet e fundit kanë sugjeruar se ato do të sillnin një ndryshim të regjimit. Vetëm 64 për qind e ukrainasve kanë besim te presidenti i tyre, nga 77 për qind në dhjetor të vitit të kaluar. Në fillim të pushtimit rus në shkurt 2022, mbështetja ndaj tij ishte 90 për qind.

Ndërkohë, gjenerali Valerii Zaluzhny, ish-komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, të cilin Zelensky e shkarkoi kohët e fundit dhe që tani është rivali i tij i drejtpërdrejtë, përjetoi rritje të mëtejshme të midis muajve dhjetor 2023 dhe shkurt 2024, nga 92 në 94 për qind.

Megjithatë zgjedhje nuk do të ketë. Ligji ushtarak është ende në fuqi në Ukrainë. Edhe nëse qeveria do të donte të ndryshonte ligjin në mënyrë që njerëzit të mund të shkonin në votime, do të ishte e pamundur që procesi të organizohet në rajonet e pushtuara nga Rusia, dhe do të ishte shumë problem që të ushtronin të drejtën e votës ushtarët dhe miliona ukrainasit që kanë ikur jashtë vendit.

Zelensky u pyet së fundmi - dhe jo për herë të parë - mbi një alternativë të mundshme: krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar. Pyetja e një gazetari në konferencën për shtyp ishte e vështirë dhe e ndërlikuar, të cilën presidenti dukshëm i irrituar e shfrytëzoi si një rast për ta ndërprerë. “A mund të përmendni dikë që më pas do të bëhej kryeministër?”- e pyeti Zelensky.

Por Oleksiy Goncharenko nuk mund ta kuptojë këtë arrogancë. Deputetin 43-vjeçar e takoj në një kafene pranë ndërtesës së parlamentit në Kiev. “Zelensky mendon se ka ekipin më të mirë rreth tij. Por nuk është kështu”- më thotë Goncharenko. Si një anëtar i partisë opozitare të udhëhequr nga ish-presidenti Petro Poroshenko, Goncharenko argumenton se Zelensky e ka rrethuar veten me një ekip të vogël njerëzish të besuar, që përpiqen të kryejnë vetë të gjitha punët e qeverisë.

“Ai beson tek kolegët e tij besnikë dhe jo institucionet”- shprehet Goncharenko, duke argumentuar se kjo ishte qasja e tij edhe shumë kohë përpara luftës. Këshilltarët dhe kolegët që e kundërshtojnë ose kritikojnë presidentin janë shkarkuar prej kohësh.

Sot Zelensky është i rrethuar nga një rreth i ngushtë këshilltarësh, të koordinuar nga shefi i zyrës së tij Andrii Yermak. Gjithçka kalon përmes tij. Yermak është jo zyrtarisht numri 2 në Kiev. Ministrat e kabinetit duhet t’i raportojnë atij dhe 10 përfaqësuesve të tij, gjë që në thelb ia ka hequr të gjitha pushtetet kryeministrit, që formalisht është në krye të qeverisë.

Kjo do të thotë se e gjithë vendimmarrja është reduktuar në rrethin e ngushtë të njerëzve të përqendruar rreth Zelensky në godinën e presidencës. Kështu Ukraina po përballet me një sërë pengesash që nuk lidhen drejtpërdrejt me ushtrinë. Për shkak se pushteti është i përqendruar rreth presidentit, kritikët e akuzojnë qeverinë se nuk po merret me problemet ekonomike, politikën e ngadaltë tregtare dhe çështjet rreth eksporteve të grurit.

Qasja joefikase ndaj qeverisë mund të shihet edhe në mënyra të tjera dhe shumë konkrete. Që nga vera e vitit të kaluar, posti i ambasadorit të Ukrainës në Britani - një nga aleatët kryesorë të Kievit - ka mbetur vakant, me procesin e emërimit të bllokuar në Zyrën e Presidentit.

“Edhe njerëzit më të shkëlqyer, nuk mund ta qeverisin dot të vetëm një vend”- thotë Goncharenko. Ai pretendon se kjo qasje ndaj qeverisë e bën shtetin joefikas, dhe argumenton se një qeveri e unitetit kombëtar jo vetëm që do të zgjidhte problemin e legjitimitetit, por do të çonte gjithashtu në marrjen e vendimeve më të mira. Por Zelensky po refuzon të hedhë këtë hap.

Tre javë që nga shkarkimi i Zaluzhny, komandantit të përgjithshëm të forcave të armatosura shumë popullore tek qytetarët, presidenti nuk ka dhënë asnjë arsye për këtë vendim. Disa theksojnë faktin se nga fundi i vitit të kaluar, Zaluzhny kishte kundërshtuar pikëpamjen optimiste të presidentit për luftën.

Gjenerali foli për një ngërç, ndërsa Zelensky thoshte se ishte ende e mundur të rifitoheshin të gjitha territoret e pushtuara nga Rusia. Komentet e Zaluzhny u kritikuan nga njerëzit e afërt me Zelenskym, dhe gjenerali u akuzua madje se po bënte “punën e rusëve”.

Pasojat e kësaj përplasjeje, po i ndjejnë ushtarët në vijën e frontit. Bazuar në analizën e tij, Zaluzhny donte një valë të re mobilizimi për të rritur numrin në rënie të ushtrisë ukrainase. Por deri më tani Zelensky e ka hedhur poshtë këtë ide, nga frika se do të ishte jopopullore në aspektin politik.

Pasardhësi i Zaluzhny, gjenerali Oleksandr Syrskyi, thuhet se është më në linje me qasjen e presidentit. Edhe pse Goncharenko vëren se në udhëheqjen e Zelenskyt ekziston i njëjti problem. “Nëse grupi që po merr vendime, përbëhet nga njerëz që mendojnë njëlloj, nuk ka një proces të hapur vendimmarrjeje në të cilin mund të diskutohen edhe opsionet jopopullore”- thekson ai.

Kontrolli i qeverisë ndaj medias, i vendosur gjithashtu me ligjin ushtarak, po ndikon negativisht në vend. Kur rusët nisën pushtimin, Zelensky urdhëroi të gjitha kanalet televizive të transmetonin të njëjtin program, të kontrolluar nga shteti. Mediat online nuk i nënshtrohen këtyre kufizimeve, por shpesh vetë-censurohen.

Pasoja është se popullata në përgjithësi, e beson pikëpamjen optimiste të qeverisë për situatën në front. Sasha Andibur po e ndjen efektin e gjithë kësaj censure. Aktivistja 29-vjeçare jeton në Dnipro dhe siguron furnizime për ushtrinë. Ushtarët përdorin telefonat e tyre inteligjentë për të dërguar mesazhe duke kërkuar pajisje të ndihmës së parë, dronë, jelekë taktikë ose ushqim. Më pas Andibur organizon fushata online për mbledhjen e fondeve. “Mediat nuk raportojnë se sa e keqe është në këtë moment situata për ushtarët në front”- ankohet ajo.

Për pasojë, shumë njerëz e vazhdojnë jetën e tyre të përditshme, të pavetëdijshëm mbi situatën reale. “Në fillim, ukrainasit kishin frikë, dhe dhanë gjithçka që kishin për të ndihmuar ushtrinë. Tani duhet shumë më shumë kohë për të mbledhur para të mjaftueshme për furnizime të reja”- thotë Andibur.

Ajo thotë se pasojat për ushtarët janë dramatike. Jo vetëm materialisht, por edhe psikologjikisht. Ushtarët nuk mund ta braktisin vijën e frontit, pa lehtësimin dhe qarkullimin e trupave të reja që do të sillte mobilizimi i ri. “Ndaj ata janë të detyruar të vazhdojnë të luftojnë, gjë që është shumë e padrejtë”- thotë aktivistja./Përshtati Pamfleti nga “Worldcrunch”

ukrahinasit besimi zelensky

Lini një Përgjigje