TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 5 Prill 2025, 14:30

Pse shumica hesht përballë një regjimi autoritar?

Shkruar nga Magnus Linden & George R.Wilkes

Pse shumica hesht përballë një regjimi autoritar?

Nga ana tjetër në Shtetet e Bashkuara, ku administrata e re ka ndërmarrë hapa që rrisin nivelin e autokracisë, pikëpamjet e kundërta mund të mos shprehen për shkak të frikës nga ndëshkimi.

Shumica prej nesh duan të besojnë, se do ta kishim kundërshtuar ngritjen e nazizmit në Gjermaninë e viteve 1930. Po ashtu na pëlqen të imagjinojmë, se do të kishim luftuar me guxim ndaj nazizmit në vitet 1940. Por a do të ndodhte vërtet kështu?

Aftësia jonë për të marrë një qëndrim, mund të vihet në provë teksa autoritarizmi po zgjerohet sërish në mbarë botën. Të gjitha demokracitë elektorale, mund të shndërrohen në autokraci. Ato janë qeveri që kufizojnë të drejtat politike dhe civile, centralizojnë pushtetin ekzekutiv, manipulojnë zgjedhjet dhe minimizojnë diversitetin e pikëpamjeve politike.

Në demokracitë perëndimore, një lëvizje drejt autokracisë udhëhiqet shpesh nga njerëz të fortë, fokusi i të cilëve është të rivendosin vlerat tradicionale dhe nacionalizmin. Zakonisht ata shënjestrojnë pa mëshirë mediat e lira, kundërshtarët dhe grupet e stigmatizuara shoqërore.

Por lëvizjet që synojnë forcimin e autokracisë, hasin gjithmonë në rezistencë. Kjo e fundit ndryshon në varësi të asaj se sa autokratik është një vend. Në fillim të procesit të autokratizimit, rezistenca është e zakonshme brenda institucioneve shtetërore. Ajo mund të shprehet në veprime të hapura, përfshirë deklaratat publike që dënojnë veprimet e qeverisë.

Ndërsa në autokracitë e mbyllura, rezistenca ushtrohet më shumë nga lëvizjet e fshehta shoqërore. Një arsye është rreziku personal i lidhur me rezistencën. Për shembull në Rusinë autokratike të Vladimir Putinit, nëse kapen kundërshtarët politikë e dinë se rrezikojnë të vriten ose burgosen.

Nga ana tjetër në Shtetet e Bashkuara, ku administrata e re ka ndërmarrë hapa që rrisin nivelin e autokracisë, pikëpamjet e kundërta mund të mos shprehen për shkak të frikës nga ndëshkimi. Shumë njerëz janë të frikësuar se mos humbin punën apo mos dëmtohen bizneset e tyre.

Shkenca mbi studimin e zgjedhjeve nga ata që u rezistojnë regjimeve autokratike dhe strategjive që përdorin për të rezistuar po evoluon. Intervistat me qytetarët në Mianmar, tregojnë se angazhimet morale personale, të qenit empatikë dhe të ndjerit të detyruar për të vepruar kur jeni dëshmitarë të shkeljes së të drejtave, janë që të gjithë faktorë që e motivojnë rezistencën.

Këta faktorë, ishin të dukshëm edhe tek ata që i ndihmuan hebrenjtë të mbijetonin gjatë Holokaustit. Për shembull, studimet sugjerojnë se ata që i ndihmuan ishin më empatikë dhe më të ndërgjegjshëm moralisht se të tjerët. Ata ishin mësuar të ishin etikë që në fëmijëri, dhe ishin më pranues ndaj njerëzve nga grupimet e tjera shoqërore.

Ndërkohë njerëzit që i bashkohen grupeve të rezistencës, priren të jenë më të hapur për të marrë rreziqe. Kjo është logjike: sa më shumë të nxiteni nga nevoja për t’u ndjerë të sigurt, aq më pak ka gjasa të përfshiheni në ndonjë gjë që mund ta rrezikojë atë, edhe nëse busulla juaj morale sugjeron se duhet të bëni.

Përtej rezistencës ndaj veprimeve autokratike, kërkimi ynë mbi guximin moral në mjediset e përditshme, tregon se të besosh tek suksesi, se ke njohuritë dhe aftësitë e nevojshme, është një parashikues i rëndësishëm për ndërhyrjen në rastet kur njerëzit shohin shkelje të normave, qoftë kur kundërveprojnë ndaj një dhunuesi apo mbron një viktimë.

Thënë këtë, gjithçka nuk varet nga ndjekësit individualë të një kauze. Asnjë udhëheqës autokrat nuk mund të fitojë pushtet pa ndikuar tek ndjekësit e tij. E njëjta gjë vlen edhe për rezistencën. Ajo nuk mund të ekzistojë pa një udhëheqje efektive. Hulumtimet sugjerojnë se ndjekësit ndikohen nga liderët që krijojnë një klimë pozitive etike, e cila ndikon në sjelljen e tyre.

Për të luftuar kundër një autokracie, një aspekt i rëndësishëm i këtij procesi është të komunikuarit se vlerat morale gjithëpërfshirëse, si universalizmi (ideja se gjërat si liria, drejtësia, vëllazëria dhe barazia, duhet të zbatohen për të gjithë) dhe dashamirësia (ndihma, falja, të qenit përgjegjës) janë një pjesë e spikatur e identitetit të grupit.

Për shembull, kur hebrenjtë danezë u persekutuan nga nazistët në vitin 1943, përfaqësuesit e institucioneve me themele të shëndosha morale, përfshirë organet që përfaqësonin klerin protestant dhe mjekët e spitaleve, nisën t’i rezistonin në mënyrë aktive regjimit.

Ata u bënë liderët e rezistencës, pasi ishin në punë që perceptoheshin si moralisht ”të përkushtuara”, dhe njerëzit i besonin gjykimit të tyre. Studimet mbi lëvizjet jo të dhunshme të rezistencës, tregojnë gjithashtu se organizatat e rezistencës së fortë dhe udhëheqësit e tyre priren të përqafojnë diversitetin midis njerëzve.

Dhe kur janë të suksesshëm, përfshijnë shpesh segmentet e shoqërisë që kanë fuqinë për ta përçarë regjimin, si forcat ushtarake ose elitat ekonomike. Vetëdija se modelet etike të  një shoqërie marrin një qëndrim, është e rëndësishme për ndjekësit e një lëvizjeje rezistence.

Stanley Milgram e verifikoi këtë në studimet e tij shumë të debatuara të bindjes psikologjike. Ai tregoi se 90 për qind e pjesëmarrësve, që u ishte kërkuar t’u jepnin të tjerëve goditje elektrike, ndalonin menjëherë nëse këtë e bënin si fillim dy mësues ndihmës.

Si mund të kultivojmë tek njerëzit tipare që nxisin format e përshtatshme të rezistencës, në një botë ku autokracia është në rritje? Mësimi i të tjerëve mbi figurat moralisht të guximshme mund të funksionojë. Por heroizmi nuk është çelësi për të gjithë.

Shkenca sugjeron një sërë objektivash të tjera - ndoshta befasuese - që mund t’i nxisin njerëzit e zakonshëm të ngrihen në mbrojtje të demokracisë. Në veçanti, të dobishme mund të jenë nismat edukative që nxisin kontaktet ndërmjet grupeve të ndryshme.

Që të jemi në gjendje t’u rezistojmë regjimeve autokratike dhe të ndihmojmë njerëzit që janë të persekutuar, kemi nevojë për ndjeshmëri për njerëzit që janë të ndryshëm nga ne. Shumë kërkime tregojnë se njerëzit e bardhë që lëvizin në zona më të ndryshme bëhen më pak racistë.

Pra sa më shumë kohë kalojmë me njerëz që nuk janë si ne, aq më shumë e rrisim potencialin tonë si luftëtarë të rezistencës. Po ashtu, mund të dëshirojmë të rrisim vetë-efikasitetin apo vetëbesimin tonë. Një nga teknikat, është të ekspozohemi në mënyrë të përsëritur ndaj situatave që ngjallin frikë, por që na detyrojnë të veprojmë me guxim, si për shembull t’i kundërvihemi ngacmuesve./ Përshtati "Pamfleti" Nga “The Conversation”

Shënim: Magnus Linden, profesor i asociuar i psikologjisë, Universiteti Lund. George R.Wilkes, bashkëpunëtor në kërkimet shkencore në Kolegjin Mbretëror të Londrës.

Lini një Përgjigje