TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 5 Prill 2025, 11:37

Tregjet do ta ndalin luftën tregtare të Trump

Shkruar nga Alberto Gentili
Tregjet do ta ndalin luftën tregtare të Trump
Donald Trump

Sot ai sistem nuk është më i qëndrueshëm, për shkak të rënies ekonomike të Shteteve të Bashkuara. Dhe kriza amerikane nuk lindi me Trumpin.

Në Uashington e quanin Lambertow. kaq i madh ishte pro-amerikanizmi i tij. Por tani në moshën 94-vjrçare Lamberto Dini, është i shqetësuar dhe i indinjuar për atë që po ndodh në Amerikë. Ai e dënon vendosjen e tarifave: “Janë të dëmshme për të gjithë, duke nisur nga vetë SHBA-ja. Por forca e tregjeve, do ta frenojë presidentin amerikan”.

Ai thotë se është normale që Bashkimi Evropian të kërcënojë me kundërmasa, megjithatë duhet të negociojë me Trump, që ndonjëherë mund të nxitet të ndryshojë mendje. Ndërkaq e refuzon idenë e Matteo Salvinit për negociatat dypalëshe Itali-SHBA mbi tarifat.

Ju keni qenë kryeministër, Ministër i Financave, drejtor i Bankës së Italisë, drejtor ekzekutiv i Fondit Monetare Ndërkombëtare në Uashington. Pra keni parë shumë. A keni parë ndeshur më herët një luftë tregtare ndaj të gjithëve, si ajo e nisur së fundmi nga Donald trump?

Absolutisht jo. Nuk ka ndodhur kurrë diçka e tillë në të kaluarën. Megjithatë, duhet thënë se gjatë 30 viteve të fundit tregtia e lirë e mallrave, kapitali dhe teknologjitë kanë garantuar rritjen ekonomike në një botë të globalizuar, mirëqenie, të ardhura më të mëdha dhe punësim në nivele të papara më herët.

Sot ai sistem nuk është më i qëndrueshëm, për shkak të rënies ekonomike të Shteteve të Bashkuara. Dhe kriza amerikane nuk lindi me Trumpin. Henri Kissinger deklaroi që disa vite më parë, se rendi botëror që kishte rregulluar marrëdhëniet ndërkombëtare, kishte hyrë në një krizë të pakthyeshme.

Dhe kjo sepse SHBA-ja nuk ishte më e aftë që ta mbështeste atë. Aq sa vetë Joe Biden deklaroi hapur se për të ngadalësuar rritjen e Kinës, qeveria amerikane duhet t’i drejtohej masave proteksioniste, sepse tregtia nuk ishte më e qëndrueshme. Pra SHBA-ja ka vite që është e vetëdijshme se s’mund të përballonte dot konkurrencën ndërkombëtare. Nga kjo erdhën edhe tarifat e Trump.

Çfarë efekti ka shfaqja e Trumpit, që nga Shtëpia e Bardhë shpalli para botës vizionin që “do ta bëjë Amerikën më të pasur” falë “pavarësisë ekonomike”, që do të sjellin tarifat e tij tregtare?

Një efekt të tmerrshëm. Aq më tepër që do të ndodhë e kundërta. Tarifat do kenë efekte katastrofike për SHBA-në. Ato janë simbol i humbjes së konkurrueshmërisë së ekonomisë amerikane, me përjashtim të sektorit të teknologjisë së lartë. Dhe pikërisht këtu mund të godasë më shumë Evropa.

Trump i sulmoi “miqtë e tij evropiane”, duke thënë: “Duket sikur sillen mirë me ne, por në fakt na kanë grabitur prej vitesh. Ata janë patetikë!”. A jemi ne hajdutë dhe patetikë?

Këto janë marrëzi të tmerrshme. Të sulmosh Evropën, do të thotë të mohosh vlerat e përbashkëta që ajo ndan me Shtetet e Bashkuara, pa përmendur pastaj historinë dhe lidhjet që bashkojnë dy anët e Atlantikut. Ajo çfarë po bën Trump është e padëgjuar.

Përveç tymnajës së proklamatave populiste dhe nacionaliste, është i vështirë të kuptohet arsyetimi ekonomik që e nxit presidentin amerikan. Moody’s ka shpallur rrezikun e një recesioni global dhe një vale të re inflacioni. Bursa e Nju Jorkut pësoi rënie dhe po ashtu dollari. Pse Trump vazhdon me kokëfortësi në këtë rrugë?

Sepse në realitet Trump nuk është i vetëdijshëm për atë që po shkakton. Ai nuk e priste këtë reagim negativ. Pastaj shpreson se tarifat do të zhvendosin në SHBA shumë kompani të huaja për të prodhuar. Por unë nuk e besoj këtë. Klima e pasigurisë e krijuar nga presidenti amerikan nuk e bën tërheqëse SHBA-në.

Për të mos përmendur rënien e konsumit dhe investimeve të brendshme, të cilat mund të çojnë drejt recesionit. Dhe e gjitha kjo me një borxh shumë të lartë federal, në një normë të përafërt me atë të Italisë. Prandaj rritja e kostos së obligacioneve do të prodhojë borxh tjetër. Një problem shumë serioz për SHBA-në. Një katastrofë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, dëshiron një reagim të fortë dhe të menjëhershëm ndaj tarifave të Trump. Ndërkohë shtetet kombëtare, janë për një qasje më të matur. Reagimi evropian do të jetë në dy kohë: nga 13 prilli hyjnë në fuqi tarifat për çelik dhe aluminin e SHBA-së, dhe në fund të muajit tarifat e reja në sektorët e tjerë prodhues. Çfarë mendoni ju?

Është zgjidhja e duhur. BE-ja duhet të negociojë për të mos degraduar më tej marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Evropa dhe Amerika përbëjnë Perëndimin, ndaj ne duhet të mbetemi të lidhur dhe të mbrojmë atë. Nuk mund të shkëputemi nga njëri-tjetri. Prandaj janë të mirëpritura negociatat, të mbështetura nga dimensioni ekonomik i BE-së.

Duhen përgatitur edhe masat kufizuese ndaj SHBA-së si një bazë për negociatat. Dhe është mirë që veprohet në dy faza: në fillim shpallim kundërmasat, dhe në të njëjtën kohë negociojmë përpara zbatimit të tyre, me shpresën se Trump do të heqë dorë nga tarifat.

Por a mund të negociohet vërtet me Trumpin? Ai sillet si një kauboj në një film uestern, ku dominonte gjithmonë ligji i më të fortit...

Po, por ai është edhe biznesmen. Pra një negociator. Luan gjithmonë fort dhe synon maksimumin. Ndonjëherë detyrohet të tërhiqet, ndërsa herë të tjera vazhdon përpara.

Përgjigja duhet të jetë nga BE-ja, apo Meloni duhet të negociojë me Trumpin vetëm për Italinë, siç po e kërkon Salvini?

Tregtia është një kompetencë e BE-së, ndaj përgjigja mund të jetë vetëm evropiane. Salvini është një ngatërrestar për të gjithë, duke nisur nga Meloni. Ai përpiqet në çdo rast të dalë në pah, me shpresën se mos rikuperon votat e humbura, por merr gjithmonë pozicione të papranueshme.

Në sulmin e tij, Trump nuk bën dallime midis vendeve evropiane, siç është Italia, aktualisht më “afër” tij politikisht. Kaq e pamëshirshme është ideologjia e sovranizmit?

Po. Për më tepër Trump synon ta përçajë Evropën, për ta bërë të dobët. Prandaj, ai do të donte të negocionte me shtetet të veçanta, por asnjë shteti evropian nuk duhet t’i lejohet të nisë negociata dypalëshe. Sepse kjo do të ishte në favorin e Trump.

Një nga kundërmasat e vendeve evropiane, mund të jetë përjashtimi i kompanive amerikane të teknologjisë nga projektet në Evropë? A ia vlen?

Është mënyra më e mirë. Nëse analizoni bilancin e pagesave midis SHBA dhe BE-së, del se kemi teprica në mallra, por defiçite të konsiderueshme në shërbime. Prandaj, le t’i godasim kompanitë sektorin dixhital që e dëmtojnë më shumë Trumpin.

A do të mjaftojnë ato për anulimin e tarifave?

Edhe nëse nuk do të mjaftojnë, shumë shpejt në Amerikë do të ketë reagime të ashpra, që do të detyrojnë Trumpin të ndryshojë mendje. Me ekonominë në ngërç, çmimet në rritje dhe mungesën e mallrave të konsumit, amerikanët do të nisin ta ngrenë zërin.

Pastaj është forca e tregjeve, e bursës dhe mbi të gjitha e obligacioneve. Ajo do të ndalë Trumpin. Pa harruar faktin që pasiguria e krijuar nga manjati, po çon në largimin e shumë investimeve drejt Evropës. Një tjetër dëm shumë i madh për SHBA-në./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Huffington Post Italia”

Lini një Përgjigje