
Oligarkët po shtrembërojnë tregjet dhe po korruptojnë ekonomitë në mbarë botën...
Që nga rikthimi i tij në detyrë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe aleati i tij, miliarderi i teknologjisë, Elon Musk, kanë shkundur nga themelet qeverisjen. Brenda 3 muajsh, Musk ka spastruar agjencitë, ka zëvendësuar të pushuarit nga puna me njerëz besnikë, dhe ka anuluar kontratat ekzistuese me kompanitë private.
Ndërkohë, Trump ka shkarkuar inspektorët e përgjithshëm dhe ka shkarkuar kreun e Zyrës së Qeverisë dhe Etikës. Po ashtu, ata kanë marrë burimet financiare të Kongresit, duke i ridrejtuar ato drejt vetes dhe larg kundërshtarëve të tyre të perceptuar.
Administrata Trump ka porositur më shumë satelitë Starlink të prodhuar nga Musk, dhe i ka shndërruar kompanitë e këtij të fundit në klientet kryesore të qeverisë, dhe në garë për kontrata miliarda dollarëshe. Njëkohësisht, Trump ka anuluar fondet e qeverisë për universitetet dhe studiot ligjore që nuk e mbështesin axhendën e tij.
Për shumicën e amerikanëve, ky lloj korrupsioni duket si i panjohur. Asnjëherë në historinë moderne të SHBA-së, një president-biznesmen nuk ka bashkëpunuar me njeriun më të pasur në botë për të marrë kontrollin e qeverisë federale. Por në nivel global, është pjesë e një modeli shumë shqetësues.
Në demokracitë që po hasin probleme anembanë botës, klika të vogla politikanësh, elitash biznesi dhe politikanësh me interesa biznesi - ata që politologët i quajnë “poligarkë” - i kanë deformuar institucionet e shtetit për t’i shërbyer interesave të tyre.
Këto aleanca po ndryshojnë rregullat, shkarkojnë burokratët, po i mbyllin gojën kritikëve dhe më pas gllabërojnë burimet e vendit. Politikanët komandojnë bankat, rishkruajnë rregulloret dhe marrin nën kontroll shpërndarjen e kontratave publike. Ndërkohë miqtë e tyre në sektorin privat, ofrojnë ryshfete, donacione dhe mbulim të favorshëm mediatik.
Ky proces e ka një emër: kapje e shtetit. Kjo gjë ka ndodhur në Bangladesh, Hungari, Afrikën e Jugut, Sri Lanka, Turqi dhe shumë vende të tjera. Efektet e sakta ekonomike mund të jenë të vështira për t'u llogaritur, dhe shpesh duhen vite përpara se të shfaqen plotësisht. Por dëmet janë serioze.
Në ekonomitë e shteteve të kapura nga oligarkët, ndërpritet marrëdhënia midis talentit dhe suksesit. Punonjësit e kualifikuar, të cilëve u mungojnë lidhjet e duhura politike, largohen nga vendi teksa shkojnë drejt falimentimit kompanitë më kompetente.
Ndërkohë, ato me lidhjet e duhura politik, majmen edhe për ofruar inovacione apo produkte cilësore ( ndonjëherë, pa ofruar fare produkte). Kështu infrastruktura e vendit përkeqësohet, bankat e mbetura pa para japin kredi të këqija për bizneset e favorizuara nga regjimi.
Rezultati është një rritje ekonomike më e ulët, më pak vende të reja pune, rritje e pabarazisë dhe inflacion i lartë. Mjerisht, rezistenca dhe dhënia fund e kapjes së shtetit është një proces i mundimshëm. Ajo kërkon që sinjalizuesit e skandaleve korruptive brenda institucioneve, gazetarët dhe aktivistët të flasin vazhdimisht, pa shpërblim të menjëhershëm dhe me një rrezik të madh personal.
Një këmbëngulje e tillë, mund të shpërblehet në planin afatgjatë. Kështu grupet e shoqërisë civile në Bangladesh, Afrikën e Jugut dhe Sri Lanka i demaskuan politikanët e korruptuar. Por suksesi vjen shpesh vetëm atëherë pasi kleptokratët e kanë falimentuar ekonominë, duke i marrë asaj gjithçka që vlen.
Dhe në ato momente, ringritja është jashtëzakonisht e vështirë. Në shtet e kapura, asnjë sektor nuk është i sigurt nga ndërhyrjet politike. Por më të rrezikuara janë bankat. Sepse ato lehtësojnë transaksionet e pista. Për shembull, në Bangladesh ish-kryeministrja Sheikh Hasina përdori kontrollin e saj mbi bankat për të grabitur të paktën 17 miliardë dollarë nga vendi.
Në Malajzi, ish-kryeministri Najib Razak financoi një sërë skemash nepotike, duke ofruar obligacione të mbështetura nga qeveria për kompanitë pranë tij përmes 1MDB, një bankë shtetërore zhvillimi. Këto kompani financuan më pas partinë e Najib. Mbi 700 milionë dollarë kaluan në llogaritë e tij bankare.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, i detyron bankat shtetërore t’u japin më shumë hua kryetarëve të bashkive që e mbështesin atë. Më pas këta të fundit, i përdorin fondet për projekte që i ndihmojnë ata dhe Erdoganin të fitojnë zgjedhjet.
Në Hungari, kryeministri Viktor Orban përdori një skemë të ndërlikuar që përfshinte blerjen me zbritje çmimi dhe shitjen e aksioneve të bankave, për të siguruar kontrollin e kompanisë më të madhe financiare private të vendit të tij. Por jo çdo akt i kapjes së shtetit është kompleks.
Nganjëherë, oligarkët vjedhin drejtpërdrejt nga shteti. Për shembull, Erdogan e ndryshoi disa herë ligjin e prokurimeve publike të Turqisë, që të mund të diktonte personalisht fituesin e tenderave. Që nga ajo kohë, ai e ka përdorur këtë fuqi për t’i kanalizuar të gjitha projektet në vetëm 5 konglomerate, të cilat janë ndër 10 kompanitë më të suksesshme në botë për fitimin e kontratave publike.
Në këmbim, këto biznese, shumë prej të cilave zotërojnë media, bëjnë propagandë në favor të presidentin turk. Po ashtu, kanë dhuruar para për partinë e tij dhe kanë ushtruar presione ndaj punonjësve të tyre që të votojnë për Erdoganin.
Mënyra më e mirë për t’iu kundërvënë kapjes së shtetit, është ta shmangni atë që në fillim. Por për fatin e keq të amerikanëve, Trump dhe Musk po e vendosin qeverisjen nën një kontroll të fortë. Burokracia amerikane, ka humbur tashmë mijëra punëtorë dhe mijëra të tjerë janë në rrezik.
Agjencitë rregullatore më jetike, përfshirë Komisionin Federal të Komunikimeve dhe Komisionin Federal të Tregtisë, udhëhiqen tani nga besnikët e Trump. Nëse Trump dhe Musk arrijnë të kapin plotësisht ekonominë amerikane, ata jo vetëm që do të shtrembërojnë tregjet amerikane, por do të dëmtojnë ekonomitë në mbarë botën.
Meqë Shtetet e Bashkuara janë ekonomia më e madhe e planetit dhe nyja e saj kryesore financiare, ajo që ndodh atje ka jehonë kudo. Dhe tradicionalisht, Uashingtoni ka qenë forca më e fuqishme në botë për qeverisje të pastër, duke ushtruar presion dhe vendosur sanksione ndaj elitat e korruptuara gjetkë.
Por Trump e ka pezulluar zbatimin e Aktit të Praktikave Korruptive të Huaja, dhe është tërhequr nga kërkesat e transparencës së korporatave. Pra Shtetet e Bashkuara, nuk po braktisin vetëm rolin e tyre historik si “polici” i qeverisjes së pastër në botë. Por ajo po ndryshon anë, dhe po sillet si një bos i mafies./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Foreign Affairs”
Shënim: Elizabeth David-Barrett, profesoreshë e qeverisjes dhe integritetit, dhe drejtoreshë e Qendrës për Studimin e Korrupsionit në Universitetin Sussex, Angli.
Lini një Përgjigje