
Kushdo në NATO do t’i kujtojë Rutte-s thënien e Komandantit të parë Suprem të Aleatëve për Evropën, gjeneralit Dwight Eisenhower: “Planet nuk janë asgjë, planifikimi është gjithçka!”.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, është i famshëm për fleksibilitetin e madh që tregon gjithmonë, dhe për aftësinë e tij për t’iu shmangur telasheve. Gjatë 14 viteve të tij si kryeministër i Holandës, fitoi nofkën “Mark Tefloni” (Mark Super-rezistenti).
Por ndërsa Rutte ka treguar më herët një aftësi të rrallë për ta zbutur Donald Trump, a rrezikon shefi i NATO-s të jetë shumë i vetëkënaqur për atë që mund të thotë presidenti amerikan mbi të ardhmen e aleancës? Rutte s’ka asnjë justifikim nëse kapet i papërgatitur.
Sepse e mori detyrën aktuale në një kohë shumë sfiduese, një muaj përpara se Trump të zgjidhej për një mandat të dytë si president. Ai e njihte më shumë se cilido tjetër në Evropë, shkallën e antipatisë së Donald Trump ndaj aleancës.
Në një takim të tensionuar në selinë e NATO-s në Bruksel në vitin 2018, Trump kërcënoi aleatët se Shtetet e Bashkuara mund të braktisnin organizatën, nëse ata nuk do t’i rrisnin shpenzimet e tyre ushtarake. Dëshmitarët e atij takimi thanë më vonë se Rutte ndërhyri me shkathtësi, duke argumentuar se shpenzimet ishin rritur, dhe se për këtë merita kryesore ishte e Donald Trump. Pasi dëgjoi këto fjalë presidenti amerikan u qetësua. Por tani në mandatin e dytë të Trump, kërcënimi për stabilitetin dhe solidaritetin e NATO-s është akoma më i madh. Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe zëvendëspresidenti J.D.Vance kanë thënë publikisht se Shtetet e Bashkuara presin që Evropa të marrë përgjegjësinë për sigurinë e saj.
Të paktën publikisht, udhëheqësit evropianë duket e kuptojnë se sipas fjalëve të vetë Vance “në Uashington, ka një sherif të ri”. Atmosfera është e zymtë. Presidenti polak është zotuar që vendi i tij të shpenzojë 4.7 për qind të PBB-së për mbrojtjen.
Ndërkaq Keir Starmer premton se Britania e Madhe të rrisë deri në 2.5 për qind të PBB shpenzimet për mbrojtjen. Suedia shpreson të arrijë në 3.5 për qind, dhe Finlanda synon nivelin 3 për qind. Por a do të mjaftojë kjo për ta mbajtur Amerikën të përkushtuar ndaj NATO-s?
Natyrisht, Rutte së bashku me krerët e shteteve dhe qeverive të NATO-s, nuk mund të jenë disfatistë. Politikanët e dinë se ndonjëherë duhet të theksojnë anën më pozitive të gjërave. Megjithatë vetëkënaqësia është e rrezikshme. Rutte takoi këtë javë ministrat e jashtëm të vendeve të NATO-s.
Gjatë një konference për mediat të mërkurën, ai siguroi se Amerika mbetet “plotësisht e përkushtuar ndaj NATO-s”. Por të nesërmen, tha se “nëse amerikanët duan të fokusohen më shumë drejt Azisë, ne të tjerët duhet të rritim shpenzimet në mbrojtje, dhe do ta bëjmë këtë në mënyrë të koordinuar”.
Pra amerikanët do të qëndrojnë vetëm nëse pjesa tjetër e NATO-s shpenzon më shumë para. Por nëse vendosin të largohen, procesi do të jetë i rregullt dhe i menaxhuar. Nuk është aspak e sigurt se Shtetet e Bashkuara do të braktisin plotësisht angazhimet e tyre në Evropë. Por shumë njerëz i besojnë ato që thotë Trump, dhe kanë arritur në një përfundim të frikshëm.
Muajin e kaluar, e pranova se nuk mund të isha i sigurt nëse Amerika do t’i vinte në ndihmë Polonisë në rastin e një sulmi rus. Edhe vetë ky element dyshimi është tronditës. Kushdo në NATO do t’i kujtojë Rutte-s thënien e Komandantit të parë Suprem të Aleatëve për Evropën, gjeneralit Dwight Eisenhower: “Planet nuk janë asgjë, planifikimi është gjithçka!”.
Pra aleanca duhet të përballet me çdo skenar të mundshëm, përfshirë tërheqjen e plotë të ushtarëve amerikane nga Evropa, me Uashingtonin që do e zhvendosë fokusin pothuajse tërësisht në rajonin e Indo-Paqësorit. NATO s’ka vdekur ende. Edhe nëse stuhitë e 4 viteve të ardhshme do jenë të ashpra, ajo mund t’i kapërcejë.
Sigurisht, duhet të punohet me planet e emergjencës, për ta vënë aleancën në plan të parë deri në vitin 2028. Do të ishte një akt i guximshëm të vihej bast kundër J.D.Vance apo kujtdo që mban flamurin e Trumpizmit dhe MAGA-s në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, por deri atëherë ka kohë.
Nëse fokusohet kryesisht tek mbijetesa, NATO duhet të vlerësojë angazhimet e saj aktuale, veçanërisht ato përtej kufijve të saj në Kosovë, Irak dhe me Bashkimin Afrikan, dhe të vendosë se çfarë të bëjë nëse reduktohen ndjeshëm asetet dhe burimet e disponueshme.
Koncepti strategjik aktual i aleancës, i miratuar në samitin e Madridit të vitit 2022, duket tejet ambicioz 3 vjet më vonë, me referenca për menaxhimin dhe parandalimin e krizave, partnerët në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Sahelin, si dhe kërcënimet e shumëfishta nga ndryshimet klimatike.
Kriza është këtu, tani, brenda aleancës, dhe mbijetesa e saj si një organizatë me peshë dhe e aftë varet nga menaxhimi i saj. Ndoshta po shqetësohem më shumë se ç’duhet. Sekretari i Përgjithshëm mund ta ketë nën kontroll të ardhmen e NATO-s, dhe thjesht po projekton një sjellje të sigurt dhe të qetë sigurie.
Por aleanca ka dështuar më parë në parashikimin e ngjarjeve. Ajo e mbivlerësoi shumë atë që mund të arrinte me fushatën ajrore në Libi në vitin 2011; nuk arriti të parashikonte kolapsin e papritur të forcave afgane të sigurisë në vitin 2021; dhe as nuk e parashikoi dhe as e pengoi pushtimin rus të Ukrainës në vitin 2022.
Administrata Trump nuk mund të ishte më e qartë se sa kaq për perceptimin e saj mbi Evropën. Çdo dyshim u largua nga rrjedhja e bisedave në grupit e platformës Signal muajin e kaluar. Çfarëdo që të ndodhë gjatë 4 viteve të ardhshme, udhëheqja e NATO-s nuk duhet të supozojë se gjërat do shkojnë domosdoshmërisht mirë. Nëse kapemi sërish në befasi, s’do të kemi asnjë justifikim./ Përshtati "Pamfleti" Nga “The Spectator”
Shënim: Eliot Wilson, ish-zyrtar në parlamentin britanik në vitet 2005-2016. Aktualisht është anëtar i Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (RUSI).
Lini një Përgjigje