Kina ndërmori masa të forta kundër Shteteve të Bashkuara në shenjë hakmarrjeje për tarifat e shpallura nga Presidenti Donald Trump, të cilat gjeneruan një ditë të re humbjesh në bursat botërore.
Pekini njoftoi këtë të premte vendosjen e tarifave 34% për importin e të gjitha produkteve amerikane, shkruan CNN.
Një zëdhënës i Ministrisë Kineze të Tregtisë raportoi se gjigandi aziatik gjithashtu paraqiti një ankesë në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT).
Tarifat e vendosura nga SHBA-ja “shkelin seriozisht rregullat e OBT-së, dëmtojnë të drejtat dhe interesat legjitime të anëtarëve të OBT-së dhe minojnë sistemin tregtar shumëpalësh bazuar në ato rregulla, si dhe rendin ekonomik dhe tregtar ndërkombëtar”, tha zëdhënësi.
Qeveria kineze tha gjithashtu se do të kufizojë eksportet e saj të mineraleve të rralla duke thelluar më tej luftën tregtare.
Ministria e Financave njoftoi se tarifat e reja do të hyjnë në fuqi nga 10 prilli.
Në përgjigjen e tij të parë ndaj këtyre masave hakmarrëse, Trump akuzoi qeverinë kineze:
“Kina gaboi: e kapi paniku”, shkroi Trump në rrjetet sociale. Dhe shtoi: "Kjo është e vetmja gjë që ata nuk mund t’ia lejojnë vetes”.
Të mërkurën, presidenti amerikan kishte njoftuar vendosjen e tarifave 34% për produktet kineze, duke ia shtuar 20% që ekzistonte që nga fillimi i vitit, duke e çuar totalin e tarifave në 54%. Kjo e bën Kinën një nga vendet më të goditura në listën amerikane të tarifave.
"Është një praktikë tipike intimidimi e njëanshme që rrezikon stabilitetin e rendit global ekonomik dhe tregtar. Kina e kundërshton me vendosmëri këtë," shtoi zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë.
Përgjigja e tregjeve ishte e qartë të enjten: rënie e vlerave të bursave evropiane dhe amerikane. Tre indekset kryesore të aksioneve amerikane ranë më shumë se 5% dhe triliona dollarë kanë humbur në dy ditë.
Kjo e enjte dhe e premte kanë qenë dy ditët më të këqija radhazi në bursën amerikane që nga pandemia në vitin 2020.
“Vetëm të dobëtit do të bien”, shkroi Trump pak para mbylljes së Wall Street.
Në një tjetwr lëvizje që synon të godasë bujqësinë e SHBA-së, Kina pezulloi menjëherë importet e melekuqes nga filiali i saj i eksportit të grurit C&D (USA) Inc., si dhe produktet e shpendëve dhe fertilizuesit kimikw nga tre kompani amerikane.
Për më tepër, Pekini do të kontrollojë eksportin në SHBA të mineraleve të rralla të mesme dhe të rënda, duke përfshirë samarium, gadolinium, terbium, dysprosium, lutetium, scandium dhe ittrium, të cilat janë produkte që kanë aplikime në teknologjitë e reja.
Ai gjithashtu shtoi 16 entitete amerikane në listën e tij të kontrollit të eksportit dhe i ndalon ata të dërgojnë produkte me përdorim të dyfishtë: mallra, softuer dhe teknologji që mund të kenë përdorime civile dhe ushtarake.
Lini një Përgjigje