TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Shtator 2024, 17:02

Pse Rusia, Irani dhe Kina duan që president të zgjidhet Trump?

Shkruar nga Thomas L.Friedman

Pse Rusia, Irani dhe Kina duan që president të zgjidhet Trump?

Në një botë në ndryshim, SHBA-ja mund të mbijetojë si superfuqi vetëm duke ruajtur aleancat e saj...

Kohët e fundit kam menduar shpesh mbi sfidat e politikës së jashtme me të cilat do të përballet presidenti i ardhshëm i Amerikës. Ai mund ta nisë fjalimin e tij në detyrë në

këtë formë: ”Sot dua t’iu drejtohem të gjithë prindërve. Nëse djali apo vajza juaj vijnë nga universiteti dhe ju thonë: Dua të bëhem një ditë Sekretar i Shtetit, ju lutem që t’i jepni këtë përgjigje: ”Çfarëdolloj gjëje që dëshiron të bëhesh është në rregull por të lutem jo Sekretar Shteti.

Është puna më e keqe në botë. Sekretar i Arsimit, Sekretar i Bujqësisë, Sekretari i Tregtisë, nuk ka asnjë problem. Por na premto që nuk do të bëhesh asnjëherë Sekretar i Shtetit!'“. Arsyeja: Drejtimi i politikës së jashtme të SHBA-së është shumë më i vështirë sesa e imagjinojnë shumica e amerikanëve.

Ai është bërë një mision thuajse i pamundur, në një epokë kur duhet të menaxhosh superfuqitë, super-korporatat, individët dhe rrjetet e super-fuqishme, super-sulmet, shtetet e dështuara dhe shërbimet sekret. Që të gjitha këto përzien me njëra-tjetrën, duke krijuar një rrjet problemesh tepër kompleks.

Gjatë Luftës së Ftohtë, diplomacia ishte gjithmonë e mundur. Kujtoni pak rastin e Henry Kissinger. Atij i duheshin vetëm tre telefonata, një avion dhe disa muaj diplomaci për të arritur marrëveshjet historike që i dhanë fund luftës së tetorit 1973 midis Izraelit, Egjiptit dhe Sirisë.

Ai i telefonoi në fillim presidentit egjiptian Anwar Sadat. Më pas bisedoi me kryeministren e Izraelit Golda Meir dhe në fund me presidentin e Sirisë Hafez Al-Assad. Shumë shpejt Egjipti, Siria dhe Izraeli firmosën marrëveshjet e tyre të para të paqes që nga paktet e armëpushimit të vitit 1949.

Ndërkohë Antony Blinken nuk ishte aq me fat kur u bë në vitin 2021 Sekretari i Shtetit nr.71 në historinë e SHBA-së. Bashkë me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan dhe drejtorin e CIA-s, Bill Burns, ata janë përballur me një situatë shumë të vështirë

Por krahasoni pak Lindjen e Mesme, me atë të kohë së Kissinger-it. Rajoni është transformuar shumë, nga një zonjë e shteteve-kombe të qëndrueshme, në një rajon gjithnjë e më shumë të përbërë nga shtete të dështuara, shtete zombi dhe njerëz të zemëruar super

të fuqizuar të armatosur me raketa.

E kam fjalën për Hamasin në Gaza, Hezbollahun në Liban dhe Siri, Huthit në Jemen dhe milicitë shiite në Irak. Kudo ku kanë shkuar Blinken, Sullivan dhe Burns pas ngjarjeve të

7 tetorit 2023, ata kanë hasur shumë vështirësi për të gjetur gjuhën e përbashkët.

Në Siri vazhdon të jetë në këmbë një qeveri në Damask, teksa pjesa tjetër e vendit është një grumbull zonash të kontrolluara nga Rusia, Irani, Turqia, Hezbollahu dhe forcat amerikane dhe kurde. Rrjeti i Hamasit në Gaza, mund të arrihet vetëm nëpërmjet ndërmjetësve nga Katari dhe Egjipti. Hamasi ka pasur një krah ushtarak brenda Gazës dhe një krah politik jashtë saj.

Ndërkohë, Hezbollahu është entiteti i parë jo shtetëror në historinë moderne që mund të kërcënojë seriozisht një shtet-komb. Ai rrezikon ta shkatërrojë Aeroportin e Tel Avivit me raketat e tij të sakta, po aq sa Izraeli mund të kërcënojë të shkatërrojë Aeroportin e Bejrutit.

Kjo nuk ishte e vërtetë në vitin 2006, herën e fundit që ata luftuan ndaj njëri-tjetrit. Por në atë kohë, as Izraeli nuk kishte teknologji për të vrarë ose plagosur qindra anëtarë të Hezbollahut me një goditje të vetme, siç bëri të martën duke përdorur mjete kibernetike të ngjashme me “Matrix” për të shpërthyer radio-marrëset e tyre, në një kohë kura diplomatët amerikanë po punonin për të arritur një armëpushim midis dy palëve.

Sot është shumë më i vështirë përafrimi në të njëjtën kohë i interesave të të gjitha këtyre entiteteve, për të siguruar një armëpushim në Gaza. Prandaj për mua në këtë sfond të ri gjeopolitik, presidenti i ardhshëm i Amerikës do të ketë nevojë për më shumë aleatë.

Sepse kjo nuk është një punë vetëm për një “Amerikë”. Është një punë për “Amerikën dhe miqtë”. Prandaj për mua është e qartë zgjedhja në nëntor. A dëshironi që Donald Trump - dy mesazhet e të cilit për aleatët tanë janë “Largohu nga lëndina ime” dhe “Paguaj, ose do të të dorëzoj tek Putin” - si president apo Kamala Harris, e cila vjen nga administrata Biden, dhe arritja kryesore e së cilës në politikën e jashtme ka qenë aftësia e saj për të ndërtuar aleanca? Kjo është trashëgimia më e madhe e Joe Biden dhe është thelbësore. Në rajonin e Azi-Paqësorit, ekipi Biden përdori aleancat për të kundër-balancuar Kinën ushtarakisht dhe teknologjikisht. Në Evropë, ajo i përdori ato për të kundërshtuar pushtimin rus të Ukrainës. Ndërkohë në Lindjen e Mesme, i përdori më 13 prill për të rrëzuar thuajse të 300 apo më shumë dronët dhe raketat që lëshoi Irani drejt Izraelit. Dhe përmes diplomacisë së fshehtë, SHBA-ja bëri bashkë aleatët për shkëmbimin më kompleks të të burgosurve me Rusinë, midis të tjerësh edhe gazetarin e Wall Street Journal, Evan Gershkovich, të burgosur në mënyrë të padrejtë nga Vladimir Putin.

Cila është arsyeja kryesore pse Rusia, Irani dhe Kina duan që president të zgjidhet Trump? Pasi ata e dinë se ai është aq shumë transaksional në marrëdhëniet me NATO-n dhe aleatët

e tjerë të SHBA-së, saqë nuk mund të krijojë asnjëherë aleanca të qëndrueshme kundër tyre.

Mos kini asnjë dyshim: Bota në të cilën presidenti dhe Sekretari i ardhshëm i Shtetit do të duhet të udhëheqin SHBA-në, është më sfiduese se sa në çdo periudhë që para fillimit të Luftës së Dytë Botërore.

Për këtë arsye, këto ditë po lexoj me interes një libër të ri nga Michael Mandelbaum me titull “Titanët e shekullit XX:Si bënë historinë”, një studim i ndikimit në histori të figurave si Woodrow Wilson, V.I.Lenin, Adolf Hitler, Winston Churchill, Franklin Roosevelt, Mohandas Gandhi, David Ben-Gurion dhe Mao Ce Dun.

Kapitujt mbi Churchill dhe Roosevelt-in janë veçanërisht të rëndësishëm për të tashmen. Dy liderët më të mëdhenj demokratë të shekullit XX-të, i dalluan që herët diktaturat në Gjermani dhe Japoni për atë që ishin vërtet, dhe e dinin se ato e kërcënonin Britaninë e Madhe dhe Amerikën.

Por ata e kuptuan gjithashtu se asnjë nga vendet e tyre nuk mund ta kishte fituar i vetëm Luftën e Dytë Botërore (ose pa Bashkimin Sovjetik). Aleancat ishin vendimtare. “Ruajtja e aleancave nuk është asnjëherë e lehtë. Churchill dhe FDR nuk ishin personalisht aq të afërt

sa janë portretizuar shpesh.

Ata kishin mosmarrëveshje politike serioze. Por secili e kuptoi, se kishte nevojë për tjetrin, ndaj ndikuan që partneriteti midis tyre të funksiononte. Ruajtja dhe forcimi i partneriteteve globale të Amerikës përballë një bote të rrezikshme, do të jetë një detyrë kryesore për presidentin e ardhshëm”- më tha Mandelbaum.

Kjo është veçanërisht e vërtetë, në një kohë kur nuk jemi aq të përgatitur ushtarakisht për botën në të cilën po hyjmë sa duhet të jemi. Rusia, Irani dhe Kina, janë angazhuar prej vitesh në forcimin e ushtrive të tyre. Ndërkohë, neve sot na mungojnë armët për të luftuar në tre fronte njëherësh.

Mënyra e vetme për të përballuar këtë problem, nuk është të braktisim një ose më shumë nga këto rajone, por t’i shtojmë fuqisë së të tjerëve fuqinë tonë nëpërmjet aleancave, gjë që ishte edhe çelësi i suksesit tonë në të dyja Luftërat Botërore dhe Luftën e Ftohtë. Po ashtu “një udhëheqës duhet ndonjëherë të kërkojë sakrificë”- shtoi Mandelbaum.

“Kjo kërkesë mund të jetë efektive vetëm nëse udhëheqësi njihet si i besueshëm. Dhe nga

ana tjetër besueshmëria kërkon sinqeritet. Si Roosevelt ashtu edhe Churchill, ia komunikuan

në mënyrë të qartë, të ndershme dhe elokuente qytetarëve zgjedhjet me të cilat përballeshin vendet e tyre”- shtoi studiuesi.

Në këtë pikë më duhet të them se Trump mund të ketë ende një avantazh. Ai është i sinqertë për pikëpamjet e tij të tmerrshme. Ka paralajmëruar se nuk i intereson nëse Ukraina fiton

apo humbet ndaj Rusisë. Mjerisht, kur Harris u pyet në debat: “A besoni se mbani ndonjë përgjegjësi mbi mënyrën se si u zhvillua tërheqja në Afganistan, që çoi në vdekjen e 13 amerikanëve”, ajo iu shmang plotësisht pyetjes.

Një gabim shumë i madh. Jam i sigurt se votuesit e pavendosur e vunë re këtë, dhe kjo nuk është në avantazhin e Harris. Përgjigja e saj duhet të ishte: ”Më pikëlluan ato vdekje. Nuk do ta harroj kurrë momentin kur e dëgjova lajmin në Sallën e Situatave. Por mbi të gjitha nuk

do ta harroj kurrë atë që mësova nga ajo përvojë. Nuk do të përsëritet kurrë në presidencën time”.

Ajo do të kishte fituar vota me një përgjigje të tillë, sidomos nga votuesit që shqetësohen se ajo është shumë më e “majtë” sesa duhet. Për fat të keq, ka një tjetër arsye pse Kina e preferon Donald Trumpin president. Ai jo vetëm që e urren emigracionin e paligjshëm.

Si president e sulmoi edhe migracionin e ligjshëm për të fituar mbështetjen e ekstremit të djathtë. Dhe kjo retorikë është muzikë për veshët e Kinës. Sepse e dobëson avantazhin kryesor të Amerikës ndaj Kinës: aftësinë tonë për të tërhequr talente nga kudo.

Për shembull, sa amerikanë e dinë se revolucioni i Inteligjencës Artificiale i udhëhequr nga SHBA-ja, solli një hap gjigant përpara në vitin 2017, kur Google promovoi një nga algoritmet më të rëndësishme të teknologjisë së krijuar ndonjëherë? Ai krijoi një arkitekturë të të mësuarit e thelluar për përpunimin e gjuhës.

Kjo shënoi fillimin e një epokë krejtësisht të re të Inteligjencës Artificiale. Ai algoritëm u shkrua nga një ekip prej 8 studiuesish të Google AI në Mountain Vieë, Kaliforni. Ata ishin Ashish Vaswani, Noam Shazeer, Jakob Uszkoreit, Illia Polosukhin dhe Llion Jones, “si dhe Aidan Gomez, një praktikant që në atë kohë studionte në Universitetin e Torontos dhe Niki Parmar, një i sapo-diplomuar në ekipin e Uszkoreit nga Pune në Indinë Perëndimore.

Autori i fundit ishte Lukasz Kaiser, një studiues me kohë të pjesshme në Qendrën Kombëtare të Kërkimit Shkencor të Francës. “Diversiteti i tyre arsimor, profesional dhe gjeografik - pra nga prejardhje të ndryshme si Ukraina, India, Gjermania, Polonia, Britania, Kanadaja dhe SHBA - i bënë ata unikë”- shkroi Financial Times.

Unë jam i sigurt se Harris është në gjendje ta kryejë detyrën e komandantit të përgjithshëm. Por nga tani e vazhdim, prej saj duhet më shumë sinqeritet për të treguar se zotëron forcën e duhur për të përballuar sfidat më të vështira të politikës së jashtme. Kjo do të bindte më shumë votues të pavendosur se ajo ka ashpërsinë e duhur për t’u përballur me Putinin.

Sa i përket Trumpit, ai është i ashpër dhe gabon mbi dy çështjet kryesore të politikës së jashtme: aleancat dhe emigrantët. Opsioni i tij i paracaktuar - vetëm Amerika në qendër të vëmendjes - është një recetë për Amerikën e dobët, Amerikën e izoluar, Amerikën e pambrojtur dhe Amerikën në rënie./Përshtati Pamfleti nga “New York Times”

rusia irani kina trump

Lini një Përgjigje