Ekuilibrat gjeopolitikë në Lindjen e Mesme ndodhen në një moment kritik, ndërsa Shtëpia e Bardhë po shqyrton seriozisht mundësinë e përshkallëzimit të operacioneve ushtarake kundër Iranit. Në qendër të diskutimeve qëndron roli i Arabisë Saudite dhe ndikimi i princit të kurorës Mohammed bin Salman në vendimmarrjen e presidentit amerikan Donald Trump.
Administrata amerikane nuk ka dhënë sinjale të qarta publike. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, refuzoi të komentojë mbi komunikimet private të presidentit, duke ruajtur një qëndrim të rezervuar mbi zhvillimet.
Megjithatë, burime të njohura me diskutimet bëjnë të ditur se princi saudit gëzon besimin e plotë të Trump dhe ka ushtruar ndikim në orientimin e politikës amerikane. Ai thuhet se ka propozuar ndërmarrjen e operacioneve tokësore në territorin iranian, me synim marrjen nën kontroll të infrastrukturës kyçe energjetike dhe detyrimin e regjimit në Teheran të tërhiqet.
Në këtë linjë, presidenti amerikan po shqyrton më konkretisht një operacion ushtarak në ishullin Kharg, nyja kryesore e eksportit të naftës iraniane. Një ndërhyrje e tillë, që mund të përfshijë trupa ajrore ose forca amfibe, vlerësohet me rrezik të lartë për përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.
Qëndrimi i Riadit reflekton një balancë të ndërlikuar mes interesave strategjike dhe rreziqeve të menjëhershme. Nga njëra anë, Arabia Saudite sheh dobësimin e Iranit si një objektiv të favorshëm. Nga ana tjetër, ajo druhet nga një reagim i ashpër iranian, veçanërisht në një moment kur rrugët energjetike në rajon janë tashmë nën presion.
Ngushtica e Hormuzit, një arterie kyçe për eksportin e naftës nga Gjiri, është goditur rëndë nga sulmet e fundit, duke paralizuar pjesërisht furnizimin global. Edhe alternativat përmes tubacioneve janë vënë në shënjestër, duke kufizuar opsionet e vendeve eksportuese.
Në këtë kontekst, analistët vlerësojnë se Arabia Saudite ndodhet përballë një dileme strategjike. Ndërsa në kushte normale do të kërkonte shmangien e konfliktit, ekziston shqetësimi se një tërheqje e mundshme e SHBA-së do ta linte rajonin përballë një Irani më të fortë dhe më agresiv.
Skenari më i pafavorshëm për Riadin mbetet një ndërhyrje e pjesshme, e cila nuk do të arrinte objektivat e saj, por do të ekspozonte vendin ndaj sulmeve të vazhdueshme iraniane dhe do t’i jepte Teheranit mundësinë të kontrollojë lëvizjen në Ngushticën e Hormuzit.
Kjo qasje e kujdesshme lidhet edhe me përvojat e mëparshme. Në vitin 2019, një sulm i lidhur me Iranin goditi rëndë infrastrukturën saudite të naftës, duke nxjerrë përkohësisht jashtë funksioni një pjesë të madhe të prodhimit. Pas këtij episodi, Riad ndërmori hapa drejt uljes së tensioneve, duke arritur edhe rivendosjen e marrëdhënieve me Teheranin në vitin 2023.
Megjithatë, shpërthimi i konfliktit aktual dhe reagimi ushtarak i Iranit ndaj vendeve të rajonit kanë përmbysur këtë proces. Ministri i Jashtëm saudit, Faisal bin Farhan, konfirmoi se besimi mes palëve është shkatërruar plotësisht.
Në këto kushte, Arabia Saudite dhe aleatët e saj përballen me një zgjedhje të vështirë: të mbështesin një përshkallëzim të mundshëm ushtarak apo të përpiqen të kufizojnë një konflikt që rrezikon të destabilizojë të gjithë rajonin.
Lini një Përgjigje