
Plani me 28 pika i Donald Trumpit për paqen në Ukrainë bazohet kryesisht te një letër që Moska i dërgoi Uashingtonit në tetor, me kërkesat ruse për t’i dhënë fund luftës, siç ka zbuluar agjencia e lajmeve Reuters.
Kjo agjenci thekson se letra përfshinte kushte të forta që Ukraina të heqë dorë nga pesë rajone të pushtuara në lindje, të mos anëtarësohet në NATO, të garantojë të drejtat e rusishtfolësve dhe përdorimin e gjuhës ruse.
Këto kërkesa u pasqyruan fillimisht në planin e Trumpit, por pas takimit të së dielës në Gjenevë, mes ndërmjetësve amerikanë Rubio dhe Witkoff, delegacionit ukrainas dhe këshilltarëve të sigurisë nga Britania, Franca, Gjermania dhe BE, një pjesë e planit ka ndryshuar.
Presidenti Trump deklaroi se Ukraina ka pranuar shumicën e pikave dhe se kanë mbetur vetëm disa çështje të hapura. Nga ana tjetër, Rusia thuhet se ka bërë “lëshime të mëdha”. Ende nuk është e qartë nëse kërkesa për dorëzimin e territoreve mbetet pjesë e planit final.
Ndërmjetësi amerikan Steve Witkoff pritet të udhëtojë javën e ardhshme në Rusi për të diskutuar draftin e ri.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi në Parlamentin Europian se ndryshimet e kufijve të Ukrainës do të krijonin precedent të rrezikshëm dhe mund të nxisin më shumë luftëra në të ardhmen.
Lini një Përgjigje