
Nëse Ukraina do të arrijë ta përballojë me sukses ndikimin e ofensivës së pritshme të ushtrisë ruse në fund të pranverës, merita mund t’i shkojë një ish-parashutisti 62-vjeçar, që u rrit në një shkollë të mesme ushtarake, u bë gjeneral, më pas shef shtabi, ndërsa sot është presidenti i Republikës Çeke.
Me studimet e tij në Kolegjin Mbretëror të Studimeve të Mbrojtjes në Londër, dhe me një master në marrëdhënie ndërkombëtare po në këtë shkollë, Petr Pavel të krijon idenë e një personi të përkushtuar ndaj pragmatizmit.
I zgjedhur nga një shumicë e gjerë çekësh pak më shumë se 1 vit më parë, atij nuk iu desh shumë kohë që të kuptonte se duke qenë kaq i përçarë dhe i pavendosur, Bashkimi Evropian nuk do ta mbante dot premtimin për t’i dërguar 1 milionë predha artilerie presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky deri në mars të këtij viti.
Ishte qeveria e Petr Fialës, kryeministrit të zgjedhur nga Pavel, ajo që nisi menjëherë kërkimin për municionet që i duhen Kievit. Ai do të ketë kujtuar fjalën e urtë:Nëse mali nuk shkon te Muhamedi, atëherë shkon Muhamedi tek mali. Një sipërmarrje jo e lehtë, por që duket se ka qenë e suksesshme.
Sipas Euractiv, linja e frontit ukrainas do të fillojë të rimbushet me furnizimin e çmuar të siguruar nga kudo ku ka qenë e mundur, edhe pse për këtë do të duhet të presë deri në qershor. Objektivi fillestar ishte të bliheshin 800 mijë predha:gjysmë milioni të kalibrit 155 mm, ato që lëshohen nga topat më të përhapur në vendet e NATO-s dhe pjesa e mbetur e kalibrit 122 mm (këto të fundit të kërkuara nga Turqia në Siri, dhe nga Afrika e Jugut në Angola).
Që të gjitha me çmimin më të ulët prej 2500 dollarë për copë, në vend të mesatares së tregut që është 4.000 dollarë copa. Një kosto që arrin ende një shifër 9-shifrore dhe që kërkonte një bashkim forcash. Dhe këtu pati jo pak vështirësi. Franca u tërhoq shumë shpejt, duke njoftuar se do të vepronte e vetme, duke e furnizuar Ukrainën me dhjetëra armë vetëlëvizëse “Cezar” dhe me 80 për qind të 100 mijë predhave të kalibrit 155 mm që planifikon të prodhojë këtë vit.
Greqia e kundërshtoi bashkëpunimin me Turqinë. Megjithatë zgjodhi të dërgonte furnizimet e saj të papërdorura, ndërsa Italia as që denjoi të merrte pjesë. Sa për Hungarinë, përgjigja e saj është e vetëkuptueshme. Gjithsesi ndihma erdhi nga rreth 15 vende të tjera.
Kanadaja kontribuoi me rreth 30 milionë dollarë, ashtu siç bënë Suedia dhe Finlanda, Portugalia me 108 milionë euro, Norvegjia me 140 milionë. Gjermania do të jepte mbi 150 milionë euro për këtë nismë, ndërsa Danimarka dha një ndihmë prej 250 milionë eurosh.
Vetë Republika Çeke u angazhua të blejë e vetme gati gjysmën e porosisë. Në fund, rezultati i tejkaloi pritshmëritë:Pavel dhe bashkëpunëtorët e tij grumbulluan në vend mbi 1 një milion predha artilerie. Ndërkohë Ministri estonez i Mbrojtjes Hanno Pevkur, i intervistuar nga gazeta Postimees, tha se në treg ekzistojnë edhe 800 mijë dhe 1.2 milionë predha të tjera.
Bëhet fjalë për raketat Grad dhe predhat e kalibrit 122 mm, 152 mm dhe 155 mm. Mjafton vetëm që të paguhet.
Estonia e njoftoi këtë në takimin e fundit të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës. Pra mesa duket gjithçka u zgjidh. Gabim. Nëse gjeneralët e Zelenskyt do të detyrohen vetëm të mbrojnë pozicionet e tyre, atyre do t’u duhen 6700 predha artilerie në ditë, ose 200 mijë në muaj.
Sipas kësaj llogarie, deri në fund të gushtit furnizimi çek do të ketë mbaruar. “Për të rifituar një kapacitet real sulmues të një niveli të kënaqshëm, Ukrainës do t’i duheshin deri në 11.800 predha në ditë, e barabartë me afro 354 mijë predha në muaj (ose 4.2 milionë në vit), shifra të ngjashme me ato që rusët do të kenë me shumë gjasa së shpejti në dispozicion”- vlerëson Rivista Italiana di Difesa.
Por realiteti, që fshihet vetëm pjesërisht, është se Perëndimi nuk është në gjendje të prodhojë mjaftueshëm municion në një periudhë afatshkurtër, për shkak të llogaritjeve të thjeshta të komoditetit nga ana e prodhuesve të armëve, dhe mbi të gjitha për shkak të marrëzisë së pastër politike.
“Vonesat e Evropës në furnizimet ndaj Ukrainës”- vë në dukje Federico Fubini, “duket se kanë shpjegime të ndryshme. Më shqetësues është fakti se kompanitë evropiane të mbrojtjes, vazhdojnë ta shesin prodhimin e tyre të artilerisë në vende të treta përveç Ukrainës”.
Shifrat janë të pamëshirshme. Prodhimi evropian i predhave, që ishte afro 1 milion në vit, u rrit me një të tretën pas pushtimit të Ukrainës nga Putin. Komisioneri Evropian për Tregun e Brendshëm, Thierry Breton, pretendoi se këtë vit do të arrihet të prodhohen (dhe jo vetëm ato me kalibër 155 mm) 1.4 milionë copë, për të arritur në 2 milionë në vitin 2025. Megjithatë, një pjesë e madhe (rreth 40 për qind), do të jetë e destinuar për të rimbushur stoqet e vendeve anëtare. Hendeku midis municioneve të nevojshme dhe atyre që dërgohen në Ukrainë, është më se i dukshëm:nëse do të vërtetoheshin parashikimet e menaxherit francez, bëhet fjalë për 5500 predha në ditë.
Një shifër e pamjaftueshme. Nuk duhet të harrojmë se 9 muajt e fundit Bashkimi Evropian e ka furnizuar Kievin me pak më shumë se gjysmën e miliona predhave të premtuara me bujë të madhe nga Joseph Borrell një vit më parë. Jack Watling, studiues në Institutin Mbretëror të Shërbimit të Bashkuar (RUSI), thotë se kjo ishte e qartë që në prillin e vitit 2022, por sërish nuk u bë asgjë.
Ai thotë se predhat e kalibrit 155 mm, furnizojnë afro 350 topa obuzë të vendosur për të ruajtur një front shumë të gjatë. “Nëse Ukraina do të kishte artileri të mjaftueshme, sulmet e rusëve muajt e fundit mund të zmbrapseshin lehtësisht”- thotë ai.
Por edhe pse me vështirësi, diçka duket se po lëviz për mirë. Agjencia Evropiane e Mbrojtjes (EDA), ka nënshkruar 60 marrëveshje kuadër për blerjen e përbashkët të predhave. Ndërsa më 26 mars u njoftua një ndarje e një fondi fillestar prej 130 milionë eurosh për kompaninë gjermane Rheinmetall, e zgjedhur si furnizuesja kryesore e municioneve të kalibrit 155 mm sipas kreut të saj Armin Papperger.
Fondet do të ndahen për 6 projekte në degët në Gjermani, Hungari, Rumani dhe Spanjë. Në maj është planifikuar nënshkrimi i kontratës, dhe nuk dihet se kur do të nisë zbatimi i tyre. “Kievit nuk i mungon guximi, por municionet”- deklaroi së fundmi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
I dëshpëruar, Zelensky po përpiqet ta përballojë vetë këtë situatë kritike. Por nuk do të jetë e lehtë:Kievi prodhon tashmë municione të standardeve sovjetike. Por kompania publike Ukroboronprom, do të jetë në gjendje vetëm në gjysmën e dytë të këtij viti që të vazhdojë prodhimin e predhave në përputhje me standardet e NATO-s.
Para pushtimit rus, vendi nuk prodhonte gati asnjë armatim. Sot 80 për qind e industrisë së mbrojtjes, është në duar e privatëve dhe prodhimi është 3-fishuar. Jo vetëm kaq. Për shembull kompania Athlon Avia prodhonte 100 drone në vit. Tani ajo prodhon 150 dronë në muaj, shpjegoi drejtori Artem Viunnyk.
Janë dronë kamikaze të lehtë dhe ekonomike. Këtë vit do të prodhohen mbi 1 milion të tillë, me një kosto prej 500 dollarë secili, në vend të 2500 dollarëve për një predhë të kalibrit 155, dhe këto dronë janë ende të aftë të dëmtojnë një tank rus të tipit T-90. Por nuk është e thënë se ato do të mjaftojë kundër ekonomisë së luftës së Putinit, me fabrikat e tij që po punojnë me kapacitet të plotë. Davidi po garon kundër Goliatit dhe kundër kohës./Përshtati Pamfleti nga “Linkiesta”
Lini një Përgjigje