TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 2 Prill 2024, 14:21

Peter Magyar: Kush është bashkëshorti i ish-ministres së Orban, që po synon rrëzimin e autokratit hungarez

Shkruar nga Bruno Waterfield
Peter Magyar: Kush është bashkëshorti i ish-ministres së
Peter Magyar dhe ministrja e Drejtësisë hungareze, Judit Varga /

A do ta rrëzojë dot Victor Orban burri i ministres së tij të Drejtësisë, Judit Varga?!

Java e kaluar ka qenë shumë e trazuar në Budapest. Peter Magyar, një zyrtar hungarez i lartë por deri dje i panjohur në skenën kombëtare, është shfaqur nga askundi për të përmbysur politikën e vendit të tij, duke kërcënuar që të rrëzojë udhëheqësin popullit të Hungarisë që dikur ishte i padiskutueshëm, Viktor Orban.

I njohur më herët për drejtimin e autoritetit të kredive studentore dhe si ish-bashkëshorti i Judit Varga, Ministres simpatike të Drejtësisë, Magyar, emri i të cilit ka rrënjë të lashta dhe që do të thotë hungarez në gjuhën vendase, është bërë në pak kohë një yll i madh i politikës kombëtare.

Ai është anëtari i parë i rrethit të brendshëm të Orban në partinë Fidesz që u nda publikisht me të, duke premtuar se do të bëjë çmos që ta rrëzojë liderin nacionalist, gjatë asaj që ishte një ditë e ashpër akuzash për korrupsion dhe përplasjesh të ashpra me ish-bashkëshorten e tij, e cila ka zgjedhur që t’i qëndrojë besnike qeverisë.

Falë daljeve të shumta televizive dhe radiofonike që kur akuzoi publikisht për korrupsion Orban dhe shefin e tij të kabinetit, Antal Rogan, Magyar, 43 vjeç, është bërë një nga figurat më të njohura në Hungari. Sondazhet i japin deri tani të paktën 13 për qind të votave.

Peter Magyar: Kush është bashkëshorti i ish-ministres së

“Deri disa javë më parë, Magyar ishte praktikisht i panjohur. Tani, ai po dominon diskutimet dhe titujt e mediave në Hungari, duke shkaktuar një shqetësim jo të vogël për Orban dhe qeverinë e tij”- thotë Anna Donath, eurodeputete liberale dhe një udhëheqëse e opozitës hungareze.

Rebelimi i tij është e çara e parë e madhe në rrethin e brendshëm të besnikëve të Orban, ku Magyar shihej dikur si një pjesë kyçe e tij. Një konservator veteran hungarez, i cili e ka njohur Orban që kur të dy ishin disidentë të rinj nën regjimin komunist në vitet 1980, beson se përplasjet midis figurave qeverisëse të Fidesz do të sjellin një ditë rrëzimin e qeverisë.

“Viktor ka arritur gjithmonë që ta mbajë besnik dhe nën kontroll rrethin e tij. Kur të prishet kjo besnikëri, do të vije edhe rënia e tij, jo nga opozita, e cila nuk ka asnjë fuqi”- shton Donath.

Djali i një avokati, Magyar iu bashkua Fidesz në vitin 2002, përpara se kjo partia të ishte forca dominuese në politikën hungareze, e cila e ndan atë nga socialistët dhe liberalët e opozitës, të cilët janë të njollosur në mendjet e njerëzve nga lidhjet e ngushta me financimin “progresist” amerikan dhe të BE-së.

Opozita hungareze e margjinalizuar prej kohësh, shpreson që Magyar t’i japë shansin të vijë në pushtet. “Ne do të jemi në gjendje ta përmbysim sistemin Orban vetëm me një ose më shumë grupe dhe kuadro ish-orbaniste”- shkroi Sandor Revesz në gazetën opozitare “Heti Vilaggazdasag”.

Deri një muaj më parë, Orban, kryeministri më jetëgjatë i Evropës, po sundonte me besim në vend, dhe po parashikonte një fitore të madhe për populistët dhe nacionalistët në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, ku Varga, 43 vjeç, do të ishte fytyra shumëgjuhëshe dhe pan-evropiane e partisë.

Por më 10 shkurt gjithçka nisi të marrë tatëpjetën. Katalin Novak, presidentja e Hungarisë dhe një zyrtare e mbështetur nga Orban, u detyrua të jepte dorëheqjen për shkak të faljes që i kishte dhënë një zyrtari të një institucioni të kujdesit ndaj fëmijëve të mitur, që kishte ndihmuar në fshehjen e një skandali me pedofilë.

Falja kishte ardhur me kërkesën e Zoltan Balog, peshkop dhe kreu i kishës kalviniste hungareze, i cili është i afërt me Orban dhe partinë Fidesz. Varga, që e nënshkroi faljen kur ishte Ministre e Drejtësisë, u detyrua gjithashtu që të jepte dorëheqjen.

Magyar, ish-bashkëshorti i saj - ata u divorcuan vitin e kaluar - dhe babai i tre fëmijëve të saj, u pozicionua në mbrojtje të saj, duke akuzuar Orban dhe miqtë e tij se po fshiheshin “pas fundeve të grave”. “Kjo situatë nuk mund të vazhdojë më”- tha Magyar, duke u paraqitur si një kundërshtar publik i qeverisë.

Magyar e tregoi vlerën e tij në betejën politike gjatë javëve që pasuan me një hakmarrje ndaj Rogan, 52 vjeç, një ministër kyç i kabinetit, i cili është në krye të sigurisë kombëtare dhe shihet si një trashëgimtar i mundshëm i Orbanit, 61 vjeç.

Të premten, më 15 mars, gjatë festimeve ndaj revoltës anti-habsburgase të Hungarisë të viteve 1848-1849, ai tërhoqi vëmendjen e të gjithëve duke e lënë në hije vetë Orban përmes një fjalimi pasionant, duke shpallur fillimin e një lëvizje të re “Ngrihuni për hungarezët”, përpara një turme të madhe në Budapest.

Javën e kaluar Magyar hodhi një “granatë dore” politike - por që e ka dëmtuar edhe atë vetë - me publikimin e një regjistrimi të tij kur ai bisedonte me gruan e tij në janarin e vitit 2023, në kohën kur ajo ishte Ministre e Drejtësisë. Regjistrimi sugjeron se Rogan ka ushtruar presion ndaj prokurorëve në një skandal të madh të ryshfetit.

Kjo ndodhi vitin e kaluar në shtëpinë e familjes Magyar-Varga, pasi martesa e tyre mori fund dhe akuzave kundër tij për dhunë në familje. Nën presionin e bashkëshortit të saj, Varga thotë se Rogan “u rekomandoi prokurorëve atë që duhej hequr” nga dosjet e çështjes në një skandal të madh korrupsioni që del në gjyq këtë pranverë.

Katalin Cseh, një tjetër eurodeputete e opozitës, tha: “Regjimi aktual është i kalbur deri në palcë. Ne e kemi ditur këtë për një kohe të gjatë. Tani këtë po e vërtetojnë edhe njerëz që kanë qenë pjesë e rrethit të tij të ngushtë. BE-ja nuk duhet të qëndrojë duarkryq.

Mendoj se ngjarjet aktuale po ecin shumë shpejt, dhe shpresoj se njerëz të tjerë do të dalin nga rrethi i brendshëm siç bëri Magyar, në mënyrë që të ketë një përgjegjësi reale për këto shkelje. Tani Orban e ka gjithnjë e më të vështirë të parashtrojë narrativat e tij, dhe kjo është një mundësi për ne që të nxjerrim në pah probleme reale siç është korrupsioni”. 

Nëse Peter Magyar do të mundet të bashkojë opozitën kjo mbetet për t'u parë. Por siç e thekson Gabor Torok, një politolog i njohur në vend “Fidesz e ka humbur tashmë kontrollin e diskursit publik”./Përshtati Pamfleti nga “The Times”

peter magyar victor urban judit varga

Lini një Përgjigje