TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Janar 2026, 14:42

Paqja e papërfunduar e Bosnjës: Trazirat në rritje po kërcënojnë sigurinë në Ballkan

Shkruar nga Elmira Bayrasli
Paqja e papërfunduar e Bosnjës: Trazirat në rritje po
Milorad Dodik

Për të parandaluar kolapsin e shtetit, Bashkimi Evropian duhet të kalojë nga roli i një vëzhguesi pasiv në një aktor aktiv që përdor levat ekonomike dhe sanksionet për të detyruar zbatimin e reformave. Nëse Evropa nuk vepron, Bosnja dhe Hercegovina rrezikon ndarjen, dhe pasojat nuk do të ndaleshin në kufijtë e saj…

Ndërsa Evropa po përqendrohet në luftën në Ukrainë dhe në perspektivën e ndihmës së reduktuar amerikane për sigurinë, problemet po shtohen në cepin juglindor të kontinentit.

Tre dekada më parë, në nëntor të vitit 1995, Marrëveshjet e Dejtonit të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara i dhanë fund luftës në Bosnjë, një konflikt etnik që zgjati tre vjet e gjysmë, vrau rreth 100.000 njerëz dhe zhvendosi 2 milionë të tjerë.

Marrëveshja imponoi një strukturë komplekse të ndarjes së pushtetit në një vend të fragmentuar etnikisht, duke i premtuar Bosnjës dhe Hercegovinës një fillim të ri. Evropa dhe Shtetet e Bashkuara udhëhoqën përpjekjen për të mbrojtur paqen e hartuar me kujdes.

Megjithatë, kjo mbikëqyrje është dobësuar në dekadat e fundit, pasi si Brukseli ashtu edhe Uashingtoni e kthyen vëmendjen e tyre diku tjetër. Mungesa e presionit ndërkombëtar i ka inkurajuar nacionalistët brenda Bosnjës, siç është Milorad Dodik, një udhëheqës politik i serbëve të Bosnjës, i cili ka bërë thirrje të përsëritura për shkëputjen e Republikës Srpska.

Megjithëse Dodik-ut iu ndalua mbajtja e posteve publike në vitin 2025, ndryshimet në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, veçanërisht heqja e sanksioneve nga administrata Trump në fund të tetorit të kaluar, sinjalizuan një tërheqje nga angazhimet historike.

Nëse partnerët ndërkombëtarë nuk fillojnë t’i kushtojnë vëmendje, udhëheqësit nacionalistë do të vazhdojnë të dobësojnë kufizimet e Dejtonit. Tani përgjegjësia i takon drejtpërdrejt udhëheqësve evropianë. Dështimi i Marrëveshjeve të Dejtonit do të kërcënonte sigurinë evropiane dhe do të legjitimonte perceptimin se kufijtë mund të rishikohen me forcë.

Lufta e vitit 1992, që shpërtheu pas shpalljes së pavarësisë nga Jugosllavia, la pas një vend të shkatërruar dhe të ndarë etnikisht. Tridhjetë vjet më vonë, armët kanë pushuar, por përparimi ka ngecur.

Vendi është i paralizuar nga politika të identitetit dhe rrjete patronazhi. Popullsia po pakësohet për shkak të emigrimit masiv dhe ekonomia mbetet e plogësht. Shumë njerëz fajësojnë për këtë paktin e Dejtonit.
Ai krijoi një shtet me tre presidentë dhe dy entitete gjysmëautonome: Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës (boshnjakë dhe kroatë) dhe Republikën Srpska (serbë). Kjo arkitekturë, e krijuar për të detyruar bashkëpunimin, ka prodhuar një polarizim që paralizon vendimmarrjen kombëtare.

Për shembull, ekzistenca e 13 ministrive të arsimit dëshmon për këtë absurditet burokratik. Megjithatë, Dejtoni përfshinte “Aneksin 10”, i cili krijoi Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) me fuqinë për të imponuar ligje dhe shkarkuar zyrtarë, një mjet që ka mbetur kryesisht i papërdorur gjatë viteve të fundit.

Problemet filluan me nxitimin për të mbajtur zgjedhje menjëherë pas luftës, gjë që lejoi udhëheqësit e kohës së luftës të rimerrnin pushtetin përpara se të ndodhte pajtimi i vërtetë.

Pas sulmeve të 11 shtatorit, vëmendja e Shteteve të Bashkuara u zhvendos në Lindjen e Mesme, duke ia lënë përgjegjësinë e sigurisë forcës EUFOR të Bashkimit Evropian, e cila ka qenë më pak e gatshme të ushtrojë autoritetin e saj.

Brukseli supozoi gabimisht se joshja e anëtarësimit në Bashkimin Evropian do të mjaftonte për të nxitur reformat. Por në vend të kësaj, partitë nacionaliste e shfrytëzuan sistemin për të krijuar rrjete korrupsioni, duke e renditur Bosnjën dhe Hercegovinën si vendin e dytë më të korruptuar në Evropë.

Ato e përdorin fuqinë e vetos për të bllokuar çdo progres që do të kërcënonte pushtetin e tyre. Ndërkohë, fqinjët si Serbia dhe Kroacia vazhdojnë të ndërhyjnë, duke e trajtuar Bosnjën si sferë ndikimi.

Ringjallja e Dejtonit kërkon që Evropa të përdorë ndikimin e saj ekonomik. Varësia e Sarajevës nga financimi i jashtëm u jep aktorëve evropianë dhe institucioneve si Fondi Monetar Ndërkombëtar fuqinë për të kërkuar llogaridhënie.

Donatorët duhet të anashkalojnë strukturat etnike dhe të kanalizojnë fondet drejtpërdrejt në komunat që tregojnë transparencë. Përfaqësuesi i Lartë duhet të rinisë përdorimin e fuqive ekzekutive për të mbrojtur integritetin zgjedhor dhe pavarësinë gjyqësore.

Largimi i Dodik nga presidenca në gusht të vitit 2025 tregoi se institucionet mund të funksionojnë në rast se mbështeten. Gjithashtu, Bashkimi Evropian duhet të krijojë një garanci sigurie për Bosnjën jashtë kornizës së Kombeve të Bashkuara, ku Rusia dhe Kina shpesh bllokojnë iniciativat, ndoshta përmes një misioni të përbashkët me partnerë si Turqia.

Së fundmi, Brukseli duhet t’i bëjë presion Beogradit dhe Zagrebit. Mbështetja e tyre për liderët separatistë brenda Bosnjës duhet të kushtëzohet me progresin e tyre drejt integrimit evropian. Respektimi i sovranitetit të Bosnjës dhe Hercegovinës nuk duhet të jetë opsional.

Pavarësisht të metave të tyre, Marrëveshjet e Dejtonit ende i ofrojnë Bosnjës një rrugë drejt stabilitetit politik, por problemi nuk është vetë marrëveshja. Problemi i vërtetë është se ajo nuk ishte menduar kurrë të ishte vetë-zbatues.

Suksesi i saj varej gjithmonë nga aktorët e jashtëm që të qëndronin të angazhuar derisa institucionet e vendit të mund të qëndronin më vete. Largimi i Dodik nga pushteti vitin e kaluar provoi se institucionet e vendit ende mund t’i mbajnë politikanët përgjegjës për aktet e tyre.

Evropa mund të bazohet mbi këtë zhvillim premtues duke mbrojtur marrëveshjen nga e cila varet ende paqja e brishtë e Bosnjës. Nëse Evropa nuk vepron, Bosnja rrezikon fragmentimin dhe ringjalljen e vetë dinamikës që Dejtoni ishte projektuar të përmbante.
Dhe pasojat nuk do të ndaleshin në kufijtë e Bosnjës. Rënia e Dejtonit do të dobësonte rendin e sigurisë së Evropës dhe o të përforconte idenë se marrëveshjet në kontinent mund të injorohen kur zbatimi i tyre dështon.

Nëse Evropa kërkon reforma tani, kjo jo vetëm që do të ndihmonte në parandalimin e shpërbërjes së Bosnjës dhe Hercegovinës, por gjithashtu do të tregonte se ajo ka si vullnetin politik ashtu edhe aftësinë për të siguruar paqen në oborrin e saj./ Pwrshtati "Pamfleti" Nga  “Foreign Affairs”

trazirat ne ballkan milorad dodik

Lini një Përgjigje