TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Janar 2026, 13:22

Si mund të fitojë lëvizja për demokraci në Iran: Refleksione nga një i mbijetuar i Tiananmenit

Shkruar nga Jianli Yang
Si mund të fitojë lëvizja për demokraci në Iran:
Si mund të fitojë lëvizja për demokraci në Iran: Refleksione nga një i mbijetuar i Tiananmenit

Bazuar në përvojën e tij tragjike në Sheshin Tiananmen të Pekinit, aktivisti kinez, Jianli Yang, thotë se katër kushte përcaktojnë nëse një autokraci si Kina apo Irani ka një shans të vërtetë për ndryshim domethënës demokratik. Ato variojnë nga rezistenca e qëndrueshme tek ndihma ndërkombëtare...

Sot në të gjithë Iranin, rrugët ziejnë sërish nën ritmin e pagabueshëm të revoltës. Thirrjet kundër regjimit nisën menjëherë pas muzgut. Gratë heqin shamitë e tyre në shenjë sfide, studentët dhe punëtorët u bashkohen pavarësisht gjendjes së shtetrrethimit, ndërsa forcat e sigurisë po reagojnë me një dhunë gjithnjë e më të ashpër.

Ajo që nisi si një protestë e shpërndarë, është shndërruar në një përballje mbarëkombëtare me vetë Republikën Islamike. Sfondi i kësaj gjendjeje është i gjatë dhe gërryes: vite krize ekonomike nën sanksionet ndërkombëtare, korrupsion i rrënjosur, tjetërsim brezash, shtypje gjinore dhe një ideologji revolucionare që ka humbur fuqinë për të bindur segmente të mëdha të shoqërisë.

Shkaku i menjëhershëm ka më pak rëndësi sesa ky mllef i akumuluar. Ajo që ka rëndësi tani është shkala, këmbëngulja dhe momenti tmerrues në të cilin ka hyrë Irani: forca vdekjeprurëse, vrasjet, arrestimet masive dhe bllokimi i komunikimeve flasin për një regjim që po përgatitet të rivendosë “rendin” përmes frikës.

Në të njëjtën kohë, regjimi autoritar i Iranit po përpiqet të gjejë ekuilibrin mes përshkallëzimit të shtypjes së përgjakshme dhe shmangies së një ndërhyrjeje të mundshme ushtarake nga SHBA-ja.

Irani ndodhet përpara një udhëkryqi historik. Njëra rrugë të çon drejt revolucionit demokratik; tjetra drejt një gjakderdhjeje që mund ta paralizojë shoqërinë për vite me radhë. Për ne që dikur qëndruam në një udhëkryq të tillë, ky moment është shumë i njohur.

Ngjarjet që po zhvillohen në Iran më kanë sjellë vazhdimisht ndërmend ditët e protestës së vitit 1989, që kulmuan me Lëvizjen Demokratike në Sheshin Tiananmen në Pekin. Ajo lëvizje ishte afër imponimit të ndryshimit politik, përpara se të shtypej nga tanket.

Vrasjet që po ndodhin tani në Iran më mbajnë në ankth, sepse e di sa e brishtë mund të jetë shpresa revolucionare dhe sesa shpejt mund të shuhet ajo nga forca brutale. Bazuar në përvojën time, besoj se ekzistojnë 4 kushte konkrete që përcaktojnë nëse një autokraci ka një shans të vërtetë për ndryshim.

Së pari, duhet të ketë një pakënaqësi të përhapur që përkthehet në një kërkesë të qartë për ndryshim nga masa e gjerë e popullsisë. Së dyti, kjo pakënaqësi duhet të kanalizohet përmes një opozite të qëndrueshme, e cila nënkupton lindjen e një organizimi demokratik të aftë për t'i rezistuar kohës.

Një tjetër faktor kritik është përçarja e elitës, ku krijohen ndarje politike brenda vetë regjimit, institucioneve apo aparatit të sigurisë. Së fundi, ky proces kërkon një mbështetje ndërkombëtare efektive, të bazuar në besimin e ndërkombëtarëve se opozita është vërtet e aftë për të marrë frenat e qeverisjes.

Në Tiananmen, kushtin e parë e kishim me bollëk. Kishim edhe kushtin e tretë, pasi ndarjet e brendshme paralizuan Partinë Komuniste Kineze në momente kritike. Ajo që na mungoi në mënyrë vendimtare ishte kushti i katërt.

Shumë qeveri shprehën simpati, por asnjë vend nuk besonte se ishim mjaft afër fitores për të justifikuar një mbështetje të fuqishme. Ky ngurrim doli të ishte fatal. Sot, Irani e plotëson dukshëm kushtin e parë të pakënaqësisë masive.

Protestat prekin çdo klasë, gjini dhe etni. Po ashtu, duket se plotëson në një masë të konsiderueshme edhe kushtin e katërt përmes qartësisë së diplomacisë perëndimore.

Megjithatë, Irani s’ka treguar ende qartë kushtin e tretë: një përçarje të hapur brenda regjimit.

Pa dezertimin e elitës apo shthurjen institucionale, edhe protestat më heroike përballen me një tavan brutal. Regjimet autoritare nuk shemben thjesht sepse grumbullohen turmat në rrugë; ato shemben kur thyhet besnikëria ndaj regjimit.

Detyra e forcave ndërkombëtare është ta bëjnë dezertimin të mundshëm dhe shtypjen të kushtueshme. Llogaridhënia e synuar kundër autorëve specifikë, e kombinuar me sigurime se dezertorët nuk do të ndëshkohen kolektivisht, mund të ndryshojë llogaritjet e elitës iraniane.

Përvoja e “Pranverës Arabe” është shumë udhëzuese. Në Egjipt, demonstratat përmbysën një autokrat, por demokratët u anashkaluan sepse ishin të ndarë. Pushteti u mor nga forca më e organizuar: ushtria. Pra, organizimi përcakton se kush qeveris pas revolucionit.

Hija e Tiananmenit nuk shfaqet si destinacion, por si paralajmërim. Nëse demokracitë veprojnë me mençuri - duke parandaluar masakrat dhe duke mundësuar unitetin e opozitës - lëvizja e Iranit mund të kalojë pragun që ne në Kinë nuk e kaluam dot. Por nëse ato lëkunden, çmimin do e paguajë një brez i tërë./Përshtati "Pamfleti", nga “The Diplomat

1 Komente

  1. H
    Hasan hyseni

    Me duket nje analize e sakte .Masakrat e rregjimit kunder protestueseve jane kriminale ,rregjimi do vazhdoje me masakra, varet ga perkrahja nderko.betare ,Europa ,BE eshte e korruptuar dhe soriste ,nuk pritet gje nga ato, shprese .betet vetem USA dhe fatmiresisht qe Trump eshte i prere we do nderhyje ne Iran per te ndihmuar protestuesit ,ne se rregjimi diktatlfial egzekuton protestuesin 26 bjecar sot , rregjimi Ajatullave do permbyset dhe Kohmeini nuk dihet ne se do kete mundesi yja mbathe per ne Moske.

    Lini një Përgjigje