
Papa Leo XIV kritikoi ashpër të martën politikat e ashpra të Donald Trump për imigracionin, duke vënë në pikëpyetje nëse ato ishin në përputhje me parimet “pro-jetë” të kishës katolike.
“Dikush që thotë se jam kundër abortit, por që jam dakord me trajtimin çnjerëzor të emigrantëve në Shtetet e Bashkuara, nuk e di se çfarë do të thotë të jesh pro-jetës”, u tha Papa gazetarëve jashtë rezidencës verore papnore në Castel Gandolfo, në kodrat Alban, pranë Romës.
Qëndrimi i kishës katolike se jeta është e shenjtë që nga ngjizja deri në vdekjen natyrore është një nga mësimet më të forta të denominacionit fetar me 1.4 miliardë anëtarë.
I zgjedhur në maj për të zëvendësuar të ndjerin Papa Françesku, Leo ka treguar një stil shumë më të rezervuar sesa paraardhësi i tij, i cili e kritikonte shpesh administratën Trump .
Leo u pyet në lidhje me një vendim të kryedioqezës së Çikagos për t'i dhënë një çmim Dick Durbin, një senatori demokrat të Illinois i cili mbështet të drejtat e abortit. Ky veprim ka tërhequr kritika të zëshme nga katolikët konservatorë, përfshirë disa peshkopë amerikanë.
“Është shumë e rëndësishme të shqyrtojmë punën e përgjithshme që ka bërë senatori. E kuptoj vështirësinë dhe tensionet, por mendoj, siç kam folur edhe vetë në të kaluarën, se është e rëndësishme të shqyrtojmë shumë çështje që lidhen me atë që është mësimdhënia e kishës. Dikush që thotë se jam kundër abortit, por që thotë se jam në favor të dënimit me vdekje, nuk është në të vërtetë pro-jetë”, tha Papa, raportoi Reuters.
Lini një Përgjigje