TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Tetor 2025, 16:57

Çanta me eksploziv, kërcënime dhe shpërthime, Mynihu në gjendje alarmi; Oktoberfest mbyllet përkohësisht

Shkruar nga Pamfleti

Çanta me eksploziv, kërcënime dhe shpërthime, Mynihu

Policia gjermane mbyll përkohësisht festivalin më të madh të birrës në botë pas gjetjes së një trupi dhe një letre kërcënuese. Zbulohen çanta me eksploziv dhe dëgjohen shpërthime në periferi të qytetit...

Një trup i pajetë pranë një liqeni, një shtëpi në flakë, trakte kërcënuese dhe çanta me eksploziv, këto kanë mjaftuar që autoritetet në Munih të ndërpresin përkohësisht festivalin më të madh të birrës në botë.

Situata e sigurisë në Munih është tensionuar ndjeshëm sot, më 1 tetor, duke detyruar autoritetet të mbyllin përkohësisht Oktoberfest-in deri në orën 17:00. Alarmet nisën rreth orës 04:40 të mëngjesit kur një banesë në periferi veriore të qytetit u përfshi nga flakët. Fillimisht u mendua për një zjarr të zakonshëm, por shpërthime të njëpasnjëshme brenda banesës ngritën dyshimet për një akt të qëllimshëm, duke alarmuar të gjithë zonën.

Policia ndërhyri menjëherë, sidomos për shkak të pranisë së qindra mijëra vizitorëve në qytet për festivalin Oktoberfest. Në agim, pranë liqenit Lerchenauer, u gjet një trup i pajetë me plagë nga armë zjarri, dyshohet se viktima është autori i zjarrit në banesën e prindërve të tij, ku janë zbuluar çanta me eksploziv dhe lëndë shpërthyese në një çantë shpine që ai mbante me vete. Sipas hetimeve të para, ai është vetëvrarë pas kryerjes së aktit.

Çanta me eksploziv, kërcënime dhe shpërthime, Mynihu

Një tjetër person rezulton i zhdukur, por autoritetet nuk e konsiderojnë si të rrezikshëm. Sipas mediave gjermane, incidenti duket të ketë nisur pas një konflikti familjar.

Gazeta prestigjioze Süddeutsche Zeitung raporton se është gjetur një letër kërcënuese, e shkruar nga i njëjti person, ku paralajmëroheshin sulme ndaj Oktoberfest-it. Kjo ka detyruar policinë të intensifikojë kontrollet në gjithë qytetin. Kryebashkiaku Dieter Reiter (SPD) konfirmoi para Këshillit Bashkiak se autoritetet kishin marrë prej ditësh një paralajmërim dhe se kishin verifikuar se autori kishte aftësi për të manipuluar eksplozivë.

"Kërcënimi është për fat të keq konkret. Nuk mund të rrezikojmë jetën e qytetarëve. Siguria ka përparësi absolute", deklaroi Reiter.

Pas një mbledhjeje emergjente, u vendos që festa të rifillojë pasdite, rreth orës 16:00, nëse kushtet e sigurisë e lejojnë.

Ndërkohë, helikopterë të policisë patrullojnë zonën e ngjarjes, ndërsa forcat speciale dhe skuadrat për çminim janë në gatishmëri. Dy mjete të djegura, një kamionçinë dhe një furgon, janë gjetur pranë zonës, por ende nuk është e qartë nëse kanë lidhje me incidentin.

Në të njëjtën kohë, në faqen e ekstremit të majtë Indymedia, grupimi antifashist “Antifa” publikoi një mesazh ku merrnin përgjegjësinë për djegien e disa makinave luksoze në veri të qytetit. Megjithatë, autoritetet konsiderojnë të pamundur që kërcënimi ndaj Oktoberfest-it të vijë nga ky grup, edhe pse pistat mbeten të hapura për hetime të mëtejshme.

Mbyllja e përkohshme e Oktoberfest-it u shoqërua me evakuimin e qindra mijëra njerëzve. Nga altoparlantët në zonën “Wiesn” u dhanë udhëzime për largimin e të pranishmëve dhe mbylljen e tendave, kiosqeve dhe dyqaneve të suvenireve.

Oktoberfest, i cili mbahet çdo vit nga 20 shtatori deri në të dielën e parë të tetorit, është festa më e madhe popullore në botë, duke tërhequr mbi 6 milionë vizitorë çdo vit. Edicioni i sivjetshëm është i 190-ti në histori dhe përbën një simbol të identitetit bavarez, por edhe një objektiv të mundshëm për sulme që synojnë destabilizimin dhe frikësimin e masave. /Pamfleti

 

Lini një Përgjigje