Tensionet e Lindjes së Mesme po instrumentalizohen hapur për të destabilizuar arkitekturën e sigurisë në Bosnjë-Hercegovinë dhe për të sfiduar hegjemoninë perëndimore në Ballkan. Në një intervistë për “Jerusalem Post”, presidenti i Republika Srpska bën hapur një paralelizëm me rastin e Izraelit, duke nënkuptuar të drejtën për t’u mbrojtur me armë nga Sarajeva…
Ballkani Perëndimor po rrëshqet sërish drejt një humnere të rrezikshme, ku fantazmat e viteve 1990 gjejnë strehë në krahasime moderne gjeopolitike që nxisin shumë frikë. Deklaratat e fundit të Milorad Dodik nuk janë thjesht provokime të radhës; ato përbëjnë një manifest të rrezikshëm që kërkon të rikonceptojë pozicionin e serbëve në Bosnjë-Hercegovinë si një “ishull mbijetese” në një det armiqësor.
Duke huazuar narrativa nga konfliktet më të përgjakshme të globit, ai po krijon një mentalitet rrethimi që e shpall entitetin e tij si “Izraelin e Ballkanit”. Kjo nuk është thjesht një metaforë gjeografike, por një doktrinë e re lufte që paralajmëron destabilizim të thellë për të gjithë arkitekturën e sigurisë europiane.
Zbërthimi i këtij mesazhi, i cili ka gjetur hapësirë deri në faqet e “Jerusalem Post”, tregon një strategji të mirëmenduar. Republika Srpska po paraqitet si një komb nën “rrethim mbytës” nga Sarajeva dhe faktori ndërkombëtar.
Sipas kësaj logjike, serbët e Bosnjës duhet të adoptojnë modelin e shtetit të Izraelit: një shoqëri në gjendje të përhershme gatishmërie ushtarake, që nuk i beson asnjë garancie ndërkombëtare dhe që vepron në mënyrë të njëanshme për të garantuar atë që quhet “mbijetesë ekzistenciale”.
Përmes vetëquajtjes si “Izraeli i Ballkanit”, po zyrtarizohet ndarja mendore dhe fizike nga shteti i përbashkët, duke e trajtuar çdo institucion qendror si territor armiqësor që duhet mbajtur nën vëzhgim përmes forcës.
Është tejet alarmante që kjo narrativë po legjitimohet në media prestigjioze, ku krahasimet po përdoren për të përmbysur plotësisht rolin e viktimës dhe agresorit. Kur shkruhet se “serbët në Bosnjë po përballen me të njëjtin lloj delegjitimimi dhe rrethimi që shteti i Izraelit ka duruar për dekada nga fqinjët e tij armiqësorë”, jemi dëshmitarë të një taktike gjeopolitike të rrezikshme.
Nga njëra anë, synohet simpatia e qarqeve konservatore perëndimore, por nga ana tjetër, dehumanizohet popullsia myslimane boshnjake duke u barazuar me grupe radikale. Ky është një proces që tenton të zhbëjë kujtesën historike të gjenocidit dhe ta paraqesë atë si një “mbrojtje legjitime” ndaj një rreziku imagjinar.
Domethënia e fshehur pas shprehjes “Jemi Izraeli i Ballkanit” paralajmëron se çdo veprim separatist - nga krijimi i ushtrisë paralele e deri tek shkëputja e plotë - do të cilësohet si një akt mbijetese. “Republika Srpska është vija e parë e mbrojtjes kundër krijimit të një shteti islamik në zemër të Europës, njësoj siç Izraeli shërben si mburojë e vlerave perëndimore”- deklaron ndër të tjera Dodik në intervistën për gazetën e njohur izraelite.
Këtu buron edhe rreziku i vërtetë. Nuk bëhet fjalë për autonomi politike, por për ndezjen e një konflikti me baza fetare dhe etnike. Duke u vetëshpallur si gardian i krishterimit kundër një “Shteti Islamik” joekzistent në Bosnjë, po krijohet terreni për një konflikt të ri që mund të përfshijë me shpejtësi Kosovën, Malin e Zi dhe gjithë Ballkanin.
Ky lloj diskursi shënon vdekjen e rendit të vendosur nga Marrëveshja e Dejtonit. Kur thuhet se “ashtu si Izraeli që nuk mund të mbështetet vetëm te premtimet e huaja, edhe serbët e Bosnjës duhet të marrin në dorë fatin e tyre sovran”, mesazhi për komunitetin ndërkombëtar është i prerë: nuk njihet më asnjë autoritet jashtë entitetit.
Pra, Dodik po paralajmëron hapur një veprim të rrufeshëm dhe të dhunshëm, duke shpërfillur plotësisht diplomacinë. Përfundimi i shkrimit në “Jerusalem Post” është një kambanë alarmi: “Ballkani po sinkronizohet me tensionet globale, ku identiteti etnik dhe fetar po bëhen sërish vijat e frontit të një lufte që nuk njeh kompromis”.
Përballë këtij skenari ogurzi, reagimi i deritanishëm i komunitetit ndërkombëtar duket i pamjaftueshëm. Nuk ka më kohë për nota proteste apo retorikë diplomatike të vakët. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të ndërhyjnë me vendosmëri për të ndalur këtë agjendë separatiste përpara se ajo të arrijë në pikën pa kthim.
Tolerimi i mëtejshëm i një udhëheqësi që shpall hapur fundin e rendit diplomatik aktual dhe përgatit terrenin për militarizim etnik është bashkëfajësi në tragjedinë që po paralajmërohet. SHBA dhe BE duhet të përdorin të gjithë instrumentet e forcës dhe sanksioneve për të neutralizuar këtë vatër konflikti, duke garantuar sovranitetin e Bosnjës dhe stabilitetin e rajonit.
Nëse Uashingtoni dhe Brukseli nuk veprojnë sot, nesër “Izraeli i Ballkanit” do të jetë vatra e një lufte të re, të cilën Evropa nuk do të jetë në gjendje ta mbajë brenda kufijve ballkanikë./Përgatiti: Pamfleti
Lini një Përgjigje