Mosmarrëveshjet industriale rrezikojnë avionin evropian të gjeneratës së gjashtë
Programi evropian i shumëpërfolur i Sistemit të Ardhshëm Ajror Luftarak (FCAS), që po zhvillohet nga Franca, Gjermania dhe Spanja, ndodhet pranë kolapsit. Katër zyrtarë evropianë në Paris dhe Berlin i kanë deklaruar POLITICO-s se gjasat për përfundimin e projektit janë tashmë më të mëdha sesa për një rifillim të tij.
“Një njoftim se projekti ka përfunduar është më i mundshëm sesa një ringjallje e tij,” tha një zyrtar i njohur me qëndrimet e presidentit francez Emmanuel Macron. Të njëjtin vlerësim ndau edhe një deputet francez i angazhuar në politikat e mbrojtjes. “FCAS ka vdekur, të gjithë e dinë këtë, por askush nuk dëshiron ta thotë hapur,” u shpreh ai.
Dështimi i këtij programi kryesor, që synon ndërtimin e një avioni luftarak të gjeneratës së gjashtë, të shoqëruar nga dronë dhe një “re luftarake” dixhitale, do të përbënte një goditje të rëndë politike për presidentin Macron. Projekti u lançua personalisht prej tij në vitin 2017, së bashku me kancelaren e atëhershme gjermane Angela Merkel, si simbol i bashkëpunimit strategjik evropian në fushën e mbrojtjes.
Megjithatë, FCAS është bllokuar prej gati një viti për shkak të përplasjeve industriale, duke ushqyer spekulime të vazhdueshme për të ardhmen e tij. Sipas burimeve, kolapsi i projektit do të ishte një “sinjal i keq” për Evropën, çka shpjegon edhe përpjekjet e Macron për ta shpëtuar atë.
Autoritetet zyrtare kanë shmangur komentet e drejtpërdrejta. Zyra e shtypit e qeverisë gjermane dhe Ministria franceze e Mbrojtjes nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të POLITICO-s. Megjithatë, zyrtarë francezë kanë deklaruar publikisht se ende shpresojnë në vazhdimin e projektit. Kreu i ri i Agjencisë Franceze të Prokurimeve Ushtarake, Patrick Pailloux, tha këtë javë se “po bëhet gjithçka e mundur për të shpëtuar programin”.
Problemet e FCAS nxjerrin në pah vështirësitë e bashkëpunimit industrial evropian në fushën e mbrojtjes, në një kohë kur kontinenti po përpiqet të forcojë kapacitetet ushtarake përballë Rusisë dhe një pranie më të kufizuar amerikane. Në qendër të konfliktit qëndron avioni luftarak me pilot, për të cilin kompanitë Dassault dhe Airbus janë përplasur ashpër mbi drejtimin, teknologjinë dhe ndarjen e punës. Dassault kërkon kontroll më të madh mbi zhvillimin e avionit të gjeneratës së re, një komponent kyç i FCAS.
Franca dhe Gjermania kishin vendosur një afat deri më 17 dhjetor të vitit të kaluar për të zgjidhur mosmarrëveshjet, por ai kaloi pa asnjë marrëveshje. Në këtë klimë pasigurie, Berlini po shqyrton alternativa të tjera. Sipas burimeve qeveritare dhe industriale gjermane, kancelari Friedrich Merz ka diskutuar mundësinë e ndarjes së projektit në dy avionë kombëtarë ose, më së fundi, edhe tërheqjen e plotë të Gjermanisë nga FCAS.
Këto ide janë komunikuar në mënyrë joformale edhe ndaj përfaqësuesve francezë, megjithëse Berlini ende po kërkon mënyrën për ta bërë publik një vendim të tillë. Ndërkohë, vëmendja është zhvendosur gjithnjë e më shumë drejt programit rival Global Combat Air Programme (GCAP), të udhëhequr nga Britania e Madhe, Italia dhe Japonia. Dy zyrtarë evropianë të mbrojtjes kanë konfirmuar se Gjermania ka eksploruar në heshtje mundësinë e bashkimit me këtë projekt.
Sipas gazetës italiane Corriere della Sera, kryeministrja Giorgia Meloni ka shprehur hapje ndaj një përfshirjeje të mundshme të Gjermanisë në GCAP, gjatë një takimi me Merz muajin e kaluar. Pas raportimeve për këtë skenar, presidenti Macron i ka dërguar një letër kancelarit gjerman për të kërkuar sqarime mbi qëndrimin e Berlinit ndaj FCAS. Dy liderët pritet ta diskutojnë çështjen në margjinat e Këshillit Evropian informal të kësaj jave.
Nga Berlini, zyrtarët gjermanë këmbëngulin se vendi dëshiron të ruajë të paktën disa komponentë të përbashkët të projektit, si “reja luftarake” dhe sistemet e tjera të integruara, edhe nëse avioni luftarak ndahet në dy platforma të veçanta kombëtare. /Përshtatur nga “Politico”
Lini një Përgjigje