TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 9 Shkurt 2026, 19:10

Pentagoni i shpall luftë armikut më të ri brenda forcave të armatosura: Bixhozit

Shkruar nga Pamfleti
Pentagoni i shpall luftë armikut më të ri brenda forcave të
Pentagoni

Çdo vit ushtarët amerikanë shpenzojnë rreth 100 milionë dollarë në makinat elektronike të lojërave të vendosura në bazat ushtarake jashtë vendit...

Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara ka identifikuar një kërcënim të ri për funksionimin dhe sigurinë e forcave të armatosura: varësinë nga lojërat e fatit. Pentagoni, nën drejtimin e Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth, ka përfshirë zyrtarisht ludopatinë mes fenomeneve që do të monitorohen dhe studiohen për shkak të ndikimit të saj te personeli ushtarak aktiv dhe veteranët.

Kjo qasje reflektohet edhe në Consolidated Appropriations Act 2026, ligji që autorizon programet e shpenzimeve për vitin aktual, ku janë parashikuar 370 milionë dollarë për programin Peer Reviewed Medical Research Program (PRMRP). Një pjesë e këtyre fondeve do të përdoret për kërkime shkencore mbi efektet e lojërave të fatit dhe varësisë nga to tek ushtarët amerikanë.

Debati mbi këtë problem nuk është i ri në SHBA. Qysh në vitin 2009, profesori i ekonomisë John Ë. Kindt nga Universiteti i Illinoisit kishte paralajmëruar se zgjerimi i lojërave të fatit të legalizuara mund të përbënte një rrezik për sigurinë kombëtare. Zgjerimi i këtij sektori pas miratimit të Indian Gaming Regulatory Act të vitit 1988 pati jehonë globale, por me kalimin e viteve ludopatia është shndërruar në një problem social gjithnjë e më të përhapur.

Sipas të dhënave të Departamentit të Mbrojtjes për vitin 2022, rreth 1.6% e personelit ushtarak aktiv dhe 1.7% e rezervistëve kanë raportuar probleme me lojërat e fatit. Megjithatë, analiza të tjera sugjerojnë se shifrat reale mund të jenë më të larta. Mediat amerikane raportojnë se varësia nga loja lidhet me një rritje të ndjeshme të rasteve të pastrehësisë mes veteranëve, ndërsa rreth 40% e personave që kërkojnë trajtim për këtë varësi kanë tentuar vetëvrasje.

Shoqata Kombëtare për Problemet e Lojërave të Fatit (NCPG) ka theksuar se çdo vit ushtarët amerikanë shpenzojnë rreth 100 milionë dollarë në makinat elektronike të lojërave të vendosura në bazat ushtarake jashtë vendit. Këto struktura, sipas shoqatës, nuk i nënshtrohen rregullimeve të zakonshme shtetërore dhe shpesh nuk përfshijnë mekanizma për lojë të përgjegjshme. Mungesa e parandalimit dhe e kërkimit federal mbi ludopatinë në ushtri shihet si një dobësi serioze.

Një hetim i Ëired ka zbuluar se Army Recreation Machine Program menaxhon rreth 1.900 pajisje lojërash në 79 baza ushtarake jashtë SHBA-së. Të ardhurat nga këto pajisje përdoren për financimin e aktiviteteve rekreative në bazat ushtarake, por kritikët paralajmërojnë se ky model krijon një cikël problematik, ku përfitimet financiare ushqehen nga një varësi me pasoja serioze sociale dhe operative.

Pentagoni vlerëson se ludopatia nuk është vetëm një problem shëndetësor apo social, por edhe një rrezik sigurie. Një ushtar i varur nga lojërat e fatit mund të jetë më pak i përqendruar, më i ekspozuar ndaj stresit dhe më vulnerabël ndaj presioneve apo manipulimeve të jashtme. Problemet financiare mund ta bëjnë atë objekt të shfrytëzimit nga aktorë armiqësorë, ndërsa platformat online të lojërave mund të krijojnë rreziqe për rrjedhje të të dhënave sensitive.

Për këtë arsye, vendimi i Departamentit të Mbrojtjes për të studiuar në mënyrë të strukturuar fenomenin e ludopatisë nuk lidhet vetëm me interesin shkencor, por edhe me nevojën për të mbrojtur kapacitetin operativ dhe sigurinë e forcave të armatosura amerikane, në një kontekst shoqëror gjithnjë e më të brishtë. /Përshtatur nga “Inside Over”

Lini një Përgjigje