Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se ka zhvilluar në të kaluarën takime sekrete me liderë të vendeve arabe, duke i paralajmëruar për ambiciet e Iranit, raportoi gazeta izraelite “Maariv”.
Sipas këtij raportimi, Netanyahu tha gjatë një mbledhjeje të kabinetit se disa vende arabe po shqyrtojnë një qëndrim të përbashkët përballë Teheranit, në kuadër të formimit të aleancave të reja në rajon.
“Në të kaluarën kam zhvilluar bisedime sekrete me liderë arabë. U kam thënë: ‘Sapo Irani të ketë mundësi, do t’ju pushtojë dhe do të rrëzojë mbretëritë tuaja’. Atëherë nuk e kishin kuptuar plotësisht madhësinë e kërcënimit. Sot e kuptojnë”, ka thënë ai.
Në të njëjtën kohë, ambasadori i Izraelit në Uashington, Yehiel Leiter, deklaroi në një podcast se disa vende të Gjirit kanë kërkuar mbështetjen e Izraelit, duke theksuar forcimin e marrëdhënieve gjatë periudhës së fundit.
“Disa nga aleatët tanë janë bërë edhe më të afërt gjatë muajit të fundit”, tha ai, duke përmendur vende si Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Arabia Saudite, Omani dhe Kuvajti si pjesë e këtij afrimi.
Leiter shtoi se këto vende i janë drejtuar Izraelit për ndihmë dhe la të kuptohet se po shqyrtohen forma të bashkëpunimit të përbashkët. “Izraeli dhe aleatët e tij do të vazhdojnë të veprojnë. Kjo mund të ndikojë realisht në të ardhmen”, deklaroi ai.
Lini një Përgjigje