TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota31 Mars 2026, 15:44

Si aleatja e fundit në Evropë “la në baltë” Trump!

Shkruar nga Pamfleti
Si aleatja e fundit në Evropë “la në baltë”
Donald Trump dhe Giorgia Meloni

Refuzimi i përdorimit të bazës në Siçili nxjerr në pah përçarjet mes aleatëve evropianë për luftën me Iranin. Pas Gjermanisë, Francës dhe Spanjës, Trump ka marrë goditje edhe nga Italia.

Italia ka refuzuar kërkesën për përdorimin e bazës ajrore “Sigonella” nga avionët ushtarakë amerikanë, duke theksuar se procedurat nuk ishin ndjekur nga Uashingtoni. Vendimi vjen në një moment kur Shtetet e Bashkuara përballen me qëndrime gjithnjë e më të rezervuara nga aleatët evropianë për operacionet në Iran.

Kështu Trump ka marrë ‘shuplakën’ e radhës nga europianët, konkretisht nga mikja e tij e afërt Giogia Meloni.

Sipas burimeve të cituara nga Reuters dhe raportimit fillestar të Corriere della Sera, avionë amerikanë pritej të ndaleshin në Siçili përpara se të vazhdonin drejt Lindjes së Mesme. Autoritetet italiane refuzuan lejen, duke argumentuar se nuk ishte kërkuar autorizim paraprak, siç kërkohet nga marrëveshjet dypalëshe.

Qeveria italiane deklaroi se çdo kërkesë për përdorimin e bazave ushtarake shqyrtohet rast pas rasti dhe në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare. Ajo theksoi gjithashtu se marrëdhëniet me SHBA mbeten të forta.

Megjithatë, zhvillimi pasqyron një klimë më të gjerë tensioni mes Uashingtonit dhe disa kryeqyteteve evropiane.

Spanja ka ndërmarrë një hap edhe më të fortë duke mbyllur hapësirën ajrore për avionët amerikanë të përfshirë në sulmet ndaj Iranit, ndërsa kryeministri Pedro Sánchez ka shprehur hapur kundërshtimin ndaj operacioneve.

Në këtë kontekst, Italia paraqet një qëndrim më të balancuar. Kryeministrja Giorgia Meloni ka ruajtur marrëdhënie të ngushta politike me Presidentin amerikan Donald Trump dhe deri tani nuk ka mbajtur një qëndrim konfrontues ndaj strategjisë së SHBA-së në Lindjen e Mesme.

Ndërsa disa vende evropiane distancohen nga veprimet ushtarake të Uashingtonit, Meloni ishte një nga partnerët më të qëndrueshëm politikë të Trump në Evropë. Megjithatë, refuzimi i fundit tregon se edhe Roma po kërkon të ruajë kontrollin institucional dhe balancën politike në raport me aleatin amerikan.

Në planin e brendshëm, opozita italiane ka shtuar presionin ndaj qeverisë për të mos lejuar përfshirjen e vendit në konfliktin me Iranin. Përfaqësues të Partisë Demokratike e kanë përshëndetur refuzimin si një vendim të drejtë që reflekton shqetësimet e ngritura më herët./ Përshtati “Pamfleti”

 

donald trump giorgia meloni

1 Komente

  1. v
    vk

    Po te vijne ketu tek ne, i presim me buqeta shumengjyreshe!

    Lini një Përgjigje