TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Mars 2025, 22:45

Nëse Trump arrin marrëveshje me Putinin, s’do ngurrojë të nxjerrë në ankand vendet evropiane

Shkruar nga Stefano Stefanini
Nëse Trump arrin marrëveshje me Putinin, s’do ngurrojë
Donald Trump

Konflikti midis Evropës dhe Amerikës nuk është më një skenar fantastiko-shkencor.

Aty për aty mbeti pa frymë. Me disa fjalime brenda dy ditësh, përfaqësuesit e Donald Trumpit kishin rrëzuar siguritë e 75 viteve aleance atlantike. Por tani Evropa ka filluar të mësohet me idenë e të ecurit përpara pa amerikanët. Për ta mbrojtur veten.

E çfarë do të bëjnë amerikanët këtej e tutje? Do ta na ndihmojnë? Do jenë neutralë? Apo do të grinden hapur me ne? Me Donald Trumpin nuk i dihet kurrë se çfarë mund të ndodhë. Jo vetëm sepse  e ka ngritur paparashikueshmërinë në një doktrinë qeverisëse - dhe aq më keq që kjo po ndodh për miqtë - por sepse e trajton Evropën, dhe veçanërisht BE-në, si një kundërshtare.

Pak më poshtë se Kina, por më lart se Rusia. Do jetë një rivaliteti i kufizuar vetëm tek tregtia? Ndoshta. Por për Trumpin suficiti tregtar i vendeve si Gjermania apo Italia, është shumë më i dëmshëm për SHBA-së shumë se ushtarët tanë të vrarë në Nasiriyah të Irakut apo Afganistan.

Nga kush duhet të jetë në gjendje të mbrohet Evropa dhe si të bëjë këtë? Ngjan si një pyetje akademike përballë Ukrainës së pushtuar nga Rusia dhe revizionizmit të hapur të Vladimir Putinit, që mund të shtyhet deri në kufijtë e vjetër të ish-BRSS, dhe për rrjedhojë të shtrijë tentakulat në 3 vende që janë pjesë e BE-së (Letonia, Estonia, Lituania - në dy të parat ka pakica të forta ruse) dhe Moldavi, e cila ka statusin e kandidates për në bllok.

Por me sa duket të kërcënuara ndihen edhe vende si Finlanda dhe Suedia, të cilat nuk ishin kurrë vende sovjetike dhe as “satelite” të BRSS. Përndryshe, nuk do të kishin nxituar për t’u anëtarësuar në NATO. Ose Polonia, e cila tashmë shpenzon 5 për qind të PBB-së së saj për mbrojtjen.

Prandaj, kërcënimi kryesor vjen nga Moska, e cila në këto 3 vjet luftë në Ukrainë ka ndërtuar, pavarësisht një PBB-je modeste, një makineri të frikshme të aftësive ushtarake dhe industriale që mbështet. Që të ushqejë veten, një ekonomi lufte ka nevojë për luftëra.

Nëse Rusia nuk po guxon ende të shkelë në perimetrin e Aleancës Atlantike - në fakt e bën këtë me një sërë armësh hibride, sulme kibernetike, fushata keqinformimi, ndërhyrje në zgjedhje – kjo është për shkak të efektit parandalues ​​që ka NATO.

Ky efekt, lidhet sot kryesisht me rolin e SHBA-së në aleancë, duke përfshirë edhe ombrellën e saj bërthamore. Por ai po zhduket teksa Sekretari i ri i Mbrojtjes, Pete Hegseth, që ka zero njohuri mbi aleancën, deklaron se siguria evropiane nuk është më një angazhim “kryesor” i Shteteve të Bashkuara, dhe ka më pak peshë se siguria e kufijve me Kanadanë dhe Meksikën…

Hegseth ia kalon hapur topin evropianëve në lidhje me mbrojtjen e tyre konvencionale. Për pasojë, duhet të jenë ata që duhet të ofrojnë ndihmë dhe garanci për të ardhmen e Ukrainës. Megjithatë, ai siguroi se pasi të plotësohen këto kushte, SHBA do të ruajë angazhimin e saj ndaj NATO-s dhe “partneritetit të mbrojtjes që ka me Evropën”.

Edhe pse nuk i përmendi dy fjalët magjike - “ Neni 5” - ai ishte shumë kategorik. Evropianët duhet të marrin përgjegjësinë për mbrojtjen e kontinentit, dhe pastaj amerikanët do të vazhdojnë t’i ndihmojnë që ta bëjnë këtë (“fuqizimin e Evropës”).

Dhe ky është sfondi mbi të cilin po lëvizin liderët evropianë, Emmanuel Macron dhe Keir Starmer shkuan së fundmi në Uashington për të takuar Trump. Ndërkohë kandidati për kancelarin e ri të Gjermanisë, Friedrich Merz, thotë se dëshiron ta bëjë Evropën “të pavarur” nga Shtetet e Bashkuara.

Perspektiva e një “Evrope pa SHBA-në”, por që nënkupton vazhdimin e ekzistencës së NATO-s, mbetet skenari më i besueshëm. Por jo i vetmi. Shtetet e Bashkuara kanë gjithmonë opsionin e shkëputjes nga Evropa dhe kthimit në neutralitetin e vjetër në dinamikën kontinentale. Izolacionizmi i viteve 1930 nuk ka vdekur kurrë, dhe Donald Trump (që pak ditë më parë tha: Ndryshe nga Evropa ne jemi të mbrojtur nga 2 oqeane të mrekullueshëm,) sigurisht që e preferon atë qasje ndaj ndërhyrjes.

Dhe në rastin e neutralitetit të SHBA-së, aftësia e Evropës për të mbrojtur veten e vetme bëhet më e vështirë, dhe shtohen jo pak sfidat nëse hiqet ombrella bërthamore amerikane. Gjithsesi kushtet e problemit nuk ndryshojnë rrënjësisht.

Por a mund të çojë shkëputja transatlantike, në një përplasje strategjike midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara? Jo, për sa kohë që Uashingtoni, edhe me Trumpin si president, vazhdon t’i kundërvihet Rusisë në skenën globale dhe mbajë nën kontroll.

Samiti mes dy presidentëve, do të mbyllë marrëveshjen e paqes për Ukrainën, nisë dialogun për sigurinë evropiane që Moska e synon prej kohësh - nga i cili megjithatë është e pamundur të përjashtohen evropianët - por pavarësisht uljes se tensionit dhe mundësive për bashkëpunim ekonomik, përballja ruso-amerikane vazhdon, edhe pse më e zbutur.

Dhe nëse vazhdon rivaliteti SHBA-Rusi, po kështu vazhdon edhe “partneriteti i mbrojtjes” SHBA-Evropë. Nga ana tjetër, gjërat ndryshojnë nëse Donald Trump dhe Vladimir Putin gjejnë një harmoni interesash që i jep presidentit rus dorë të lirë mbi Evropën.

Është më e vështirë të imagjinohet se çfarë do të merrte në këmbim Trump, pasi ai s’ka nevojë për miratimin e Rusisë për ta marrë me forcë Grenlandën. A mund ta ndajë Moskën nga Pekini? Nëse do të ndodhte kjo, Trump nuk do të kishte asnjë ngurrim për të nxjerrë në ankand pjesë të Evropës.

Në një skenar të tillë, kjo e fundit do të detyrohet të “mbrohet” edhe nga SHBA-ja. Jo ushtarakisht, por politikisht, në aspektin tregtar dhe kulturor. Më 6 mars, liderët evropianë do të mblidhen për të diskutuar se si ta mbrojnë Evropën.

Këshilla ime e parë: sa më pak fjalë, dhe menjëherë disa fakte të vogla konkrete. Dhe mbi të gjitha jo një dokument tjetër voluminoz nga Komisioni i BE-së. Këshilla e dytë: duhet të mendojmë edhe për të pamendueshmen, pra mund ta gjejmë veten në kampin kundërshtar me SHBA-në. Dhe jo vetëm në një votim në Kombet e Bashkuara. /Përshtati "Pamfleti" nga “La Stampa”

Lini një Përgjigje