
Kontradiktat e thella të politikave të tilla, nuk kapërcehen duke i fshehur ato nën parulla si “Amerika e Para”
Dëbimi i emigrantëve mund t’i sjellë fitore elektorale politikanëve, nëse votuesit janë ngopur mjaftueshëm me propagandën e demonizimit të emigrantëve dhe fajësimit të tyre për gjithçka shkon keq. Për viktimat e kësaj politike, mizoritë që e shoqërojnë janë të tmerrshme.
Megjithatë, një dëbim i tillë ka shumë pak kuptim nga pikëpamja ekonomike. Sepse përfaqëson një program kombëtar vetë-shkatërrues, të bazuar tek një kuptim i gabuar i ekonomisë së migracionit. Ajo që e bëri dikur “Amerikën të madhe” (të paktën për shumicën e popullsisë së bardhë) ishin valët e njëpasnjëshme të emigrantëve.
Dhe ajo që nxori më në pah fuqinë e ekonomisë amerikane, ishte aftësia e saj për të thithur dhe integruar ato valë, pavarësisht fërkimeve midis tyre. Pra ishte një “enë shkrirjeje” vërtet produktive. Shkollimi im amerikan përmes doktoraturës që kam mbrojtur atje, m’i ka vërtetuar këto që po them.
Po çfarë e ndryshoi një kuptim kaq pozitiv mbi migracionin? Çfarë e shndërroi atë në një rrezik emergjent për madhështinë e Amerikës? Çfarë e lejon Trumpin të paraqitet si “mbrojtës” i SHBA-së përmes reduktimit të ndjeshëm të migracionin dhe dëbimit masiv të emigrantëve?
Përgjigjet për pyetje të tilla, gjenden tek ekonomia politike e migracionit. Megjithatë, këto përgjigje dhe ekonomia politike që i gjeneron ato, mungojnë në debatet dhe ndërgjegjen popullore në SHBA.
Retorika kundër migracionit e viteve të fundit Partisë Republikane, plus politikat e dëbimit të emigrantëve në 3 presidencat e fundit, e tregojnë më së miri këtë mungesë. Shumë politikanë nga Partia republikane por edhe Partia Demokratike, mbështesin dëbimin si përgjigjen e nevojshme ndaj “pushtimeve të kushtueshme” të emigrantëve të paligjshëm (që shpesh barazohen me kriminelët).
Por provat për këto akuza janë shumë të pakta. Përkrahësit e saj, janë kryesisht injorantë mbi ekonominë aktuale të emigracionit. Shumica e emigrantëve që vijnë në Shtetet e Bashkuara janë të rinj. Dhe ata mund të menaxhojnë më së miri vështirësitë dhe rreziqet e migrimit.
Mund të kryejnë lehtësisht punët më të vështira me pagën më të ulët, ku i detyrojnë rrethanat e tyre të dëshpëruara dhe të pambrojtura. Emigrantët e paligjshëm janë më të cenuarit. Ata nuk guxojnë të ankohen në polici apo zyrtarë të tjerë të qeverisë, kur punëdhënësit përfitojnë prej tyre dhe abuzojnë me ta.
Emigrantët dërgojnë shpesh pjesë të pagave të tyre (“remitancat”) në vendet nga janë larguar.
Remitancat ndihmojnë në kujdesin për fëmijët, të moshuarit dhe të tjerët që kanë mbetur atje, dhe i kompensojnë pjesërisht ato vende të origjinës për humbjen e produktivitetit të emigrantëve të tyre.
Përpara se emigrantët e rritur të mbërrinin në Shtetet e Bashkuara, edukimi i tyre financohej nga vendet e tyre të origjinës. Familjet dhe qeveritë e tyre shpenzonin shuma të konsiderueshme për ushqim, veshje, strehim, edukim etj., që nga lindja deri në moshën 15-18 vjeç.
Ata “investonin” tek të rinjtë e tyre, por patën pak të ardhura nga ai investim, sepse të rinjtë emigruan në Shtetet e Bashkuara. Pra nga vitet e produktivitetit të tyre përfitoi ekonomia amerikane, dhe jo ekonomitë e vendeve që investuan në to.
Në të kundërt, njerëzit e lindur dhe rritur në Shtetet e Bashkuara, përballen me kosto të rënda ekonomike për ekonominë amerikane përpara se të bëhen të rritur që punojnë. Familjet amerikane i përballojnë pjesërisht këto shpenzime (ushqim, veshje dhe strehim).
Qeveria federale dhe ato shtetërore dhe lokale, mbulojnë pjesë të tjera të këtyre kostove (shkollimi publik, shërbimet publike, etj). Meqë relativisht pak të rritur amerikanë emigrojnë jashtë vendit, ekonomia e SHBA-së e shfrytëzon produktivitetin e tyre si një kthim në investimin e saj mbi edukimin e tyre.
Dhe këtij fitimi i shtohet produktiviteti i emigrantëve, për të cilin ata nuk kanë investuar. Meqenëse shumë prej vendeve nga vijnë emigrantët janë shpesh ndër më të varfrit, migrimi i qytetarëve të tyre në Shtetet e Bashkuara, bën që ato të humbasin produktivitetin e të rriturve, për të cilin kanë aq shumë nevojë.
Migrimi i transferon ato përfitime tek vendet e pasura që kanë më pak nevojë për to. Edhe e kaluara “madhështore e SHBA-së” që premton të rikthejë MAGA-n, ishte fryt i valëve masive dhe të njëpasnjëshme të emigrantëve. Rritja mbresëlënëse e PBB-së së SHBA-së në shekujt XIX-XXI, i detyrohet më shumë kontributit të madh të ofruar nga emigrantët.
Rritja ekonomike, në të cilën kontribuan valët e dikurshme të emigrantëve, mundësoi suksesin e përpjekjeve të tyre për punë, paga dhe strehim më të mirë. Kjo rritje mundësoi edhe valët e mëvonshme të emigrantëve që zëvendësuan ato të mëparshmet.
Ndërkohë migrimi ka edhe efekte mikroekonomike: ndikimin e tij në marrëdhënien punonjës-punëdhënës. Zakonisht, emigrantët punojnë për më pak para sesa vendasit. Dhe emigrantët pa dokumente pranojnë të paguhen akoma më pak.
Për shkak se emigrantët mund të përfaqësojnë një kërcënim konkurrues të vërtetë, punëtorët e lindur në vend, të paguar më mirë, mund të kenë frikë, inatosen dhe të kundërshtojnë praninë e tyre. Këtu demagogët shohin një mundësi shumë të mirë për të marrë vota, duke e reflektuar dhe përforcuar atë pakënaqësi dhe kundërshtim.
Në Shtetet e Bashkuara, presidentët e fundit kanë kërkuar vota duke përdorur fjalë dhe veprime armiqësore kundër emigrantëve. Planet e tyre dhe dëbimet që pasuan, ishin një kundërpërgjigje ndaj emigracionit të madh disavjeçar. Demagogët politikë dhe racistët, luajtën rolet e tyre të zakonshme.
Trump i ka përfshirë ata në fushatat dhe dy presidencat e tij. Mandati i tij i dytë, synon dëbimin më masiv të emigrantëve në historinë e SHBA. Punëdhënësit amerikanë do të pendohen për reduktimin e numrit të punonjësve emigrantë fitimprurës dhe me paga të ulëta nga dëbimet (dhe sidomos për punonjësit pa dokumente).
Sigurisht, ata ruajnë alternativën e tyre të zakonshme të automatizimit: duke zëvendësuar gjithnjë e më shumë punëtorë me kompjuterë, robotë dhe AI. Miliona njerëz të privuar nga vendet e punës në qeveri (përmes Trump, Musk dhe DOGE), do t’u bashkohen atyre të zhvendosur nga teknologjia, për të konkurruar për tkurrjen e mundësive të punës në sektorin privat të SHBA.
Objektivi Trumpian është një klasë punëtore e pastruar nga emigrantët dhe sindikatat.
Kontradiktat e thella të qasjes anti-migracion - dhe projekteve të tjera - nuk kapërcehen duke i fshehur ato nën parullat “Amerika e Para”. Ne po vazhdojmë të përjetojmë versionin amerikan të asaj që do të thotë një “perandori në rënie”. /Përshtati “Pamfleti” nga “Asia Times”
Shënim: Richard D.Wolff, profesor i ekonomisë në Universitetin e Masaçusets, SHBA.
Lini një Përgjigje