Zv/presidenti Vance, sebepi i sherrit të ndodhur dje në Shtëpinë e Bardhë...
Sulmi i JD Vance ndaj Volodymyr Zelenskyn në Zyrën Ovale të premten, tregoi se zëvendëspresidenti amerikan nuk kishte frikë të shfaqej si një ‘qen sulmues’, në vend që të shërbente si paraardhësit e tij, një lider politik i vetëpërmbajtur.
Ishte Vance ai që nisi sulmin ndaj Zelenskyt, përpara se Donald Trump t'i bashkohej 'përleshjes' në Shtëpinë e Bardhë, në një takim që kishte qenë i përzemërt derisa zëvendëspresidenti kërkoi të lavdërohej presidenti për kërkimin e asaj që ai e përshkroi si një zgjidhje diplomatike për luftën Ukrainë-Rusi.
"Për çfarë lloj diplomacie, JD, po flisni?", tha Zelensky, i cili ka qenë kritik ndaj bisedimeve të drejtpërdrejta midis Uashingtonit dhe Moskës. "Çfarë do të thuash?"
"Unë po flas për atë lloj diplomacie që do t'i japë fund shkatërrimit të vendit tuaj", u përgjigj Vance, duke e 'shqyer’ liderin ukrainas të habitur.
“Zoti President, me respekt, mendoj se është mungesë respekti për ju që të hyni në Zyrën Ovale për të tentuar ta diskutoni këtë para mediave amerikane”, vijoi ai.
Ai gjithashtu akuzoi Zelensky se kishte bërë fushatë në emër të demokratëve gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024. Udhëheqësi ukrainas vizitoi një fabrikë municionesh në shtetin kritik të Pensilvanisë shtatorin e kaluar dhe takoi rivalen e Trump, Kamala Harris, në Shtëpinë e Bardhë.
Qortimi i Vance ndaj Zelenskit tërhoqi mbështetje të gjerë në mesin e republikanëve.
"Unë isha shumë krenare për JD Vance", tha senatori i Karolinës së Jugut Lindsey Graham, një avokat për një kohë të gjatë për Ukrainën dhe një skifter i politikës së jashtme. Ai sugjeroi që Zelensky të jepte dorëheqjen.
Senatori i Alabama Tommy Tuberville iu referua Zelenskit si "nuselalë ukrainase".
Kongresmeni Mike Laëyer i Nju Jorkut ishte më i matur, duke thënë se takimi ishte "një mundësi e humbur si për Shtetet e Bashkuara ashtu edhe për Ukrainën".
Sulmi i Vance ndaj një kreu shteti vizitues nuk është tipik për një nënpresident të SHBA.
Detyra e tyre është shpesh - por jo gjithmonë - të ndihmojnë në zgjedhjen e presidentit dhe më pas të ulen të qetë në krah të shefit të tyre. Të jesh një toger besnik që përfaqëson presidentin në udhëtimet e huaja - duke qëndruar pranë, një rrahje zemre, kështu thonë nga Presidenca.
Kontrasti me zëvendësin e parë të Trump, Mike Pence, i cili ishte shumë më i butë, nuk mund të ishte më i madh.
Por Vance ka qenë prej kohësh skeptik për ndihmën e SHBA për Ukrainën. Kur ai kandidoi për Senatin e Ohajos në vitin 2022, tha një podcast: "Duhet të jem i sinqertë me ju. Nuk më intereson vërtet se çfarë ndodh me Ukrainën në një mënyrë apo në tjetrën".
Zëvendëspresidenti e përqeshi Trumpin si një idiot tetë vjet më parë, përpara një evolucioni politik që kulmoi duke u bërë trashëgimtar i lëvizjes së presidentit “Bëje Amerikën të Madhe Sërish”.
Pavarësisht popullaritetit të Vance në mesin e votuesve konservatorë, Trump tha kohët e fundit në një intervistë për Fox News se ishte "shumë herët" për të thënë nëse zëvendëspresidenti do të ishte i radhës për të kandiduar për president në 2028.
Vance duket se po merr rolin e një grindaveci politik, duke shkuar edhe më larg se presidenti në kritikën e tij të hapur ndaj armiqve të administratës.
Po ashtu shumë viktima të ‘gjuhës’ së Vance janë aleatët e Amerikës. Në Konferencën e Sigurisë së Mynihut Vance e përdori rastin për të nisur një sulm të ashpër ndaj gjendjes së demokracisë evropiane, duke akuzuar liderët kontinental për censurimin e fjalës së lirë dhe dështimin për të kontrolluar imigracionin. Audienca e politikanëve, gjeneralëve dhe diplomatëve u tmerrua.
Ky ishte një sulm ideologjik i plotë - një shenjë se SHBA nën drejtimin e zotit Trump jo vetëm që po largohet nga Evropa, duke e zhvendosur fokusin e saj të sigurisë në Kinë, por gjithashtu po kërkon të promovojë populizmin e saj të stilit Trump në kontinentin evropian. Jo më kot Vance darkoi pas fjalimit të tij me lidershipin e partisë gjermane të ekstremit të djathtë AfD. /Përshtati “Pamfleti” nga “BBC”
Lini një Përgjigje