TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Mars 2025, 22:13

Oligarkët e Amerikës, “Thembra e Akilit” në luftën tregtare që Trump sapo ka nisur ndaj gjithë botës

Shkruar nga Gabriel Zucman

Oligarkët e Amerikës, “Thembra e Akilit” në

Dobësia më e madhe e Amerikës në një luftë të re tregtare, është oligarkia e saj shumë e ndërkombëtarizuar e individëve ultra të pasur, pasuria e të cilëve varet nga baza globale e konsumatorëve.

Midis një morie urdhrash ekzekutivë, presidenti amerikan Donald Trump, i ka kaluar javët e tij të para në detyrë duke u përpjekur të çmontojë rendin ndërkombëtar aktual, i ndërtuar kryesisht nga vetë Shtetet e Bashkuara pas Luftës së Dytë Botërore.

Nën flamurin “Amerika e Para”, administrata e tij është tërhequr nga Marrëveshja e Parisit kundër ndryshimeve klimatike, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Dhe tani është gati që të shkojë akoma më tej.

Aktualisht, po ndodh një rishikim gjithëpërfshirës në lidhje me anëtarësimin e vendit në të gjitha organizatat shumëpalëshe, për të përcaktuar nëse SHBA-ja duhet të qëndrojë apo të largohet prej tyre. Ndërkaq Trump, është i vendosur të ndryshojë edhe sistemin e tregtisë ndërkombëtare.

Më pak se dy javë pas marrjes së detyrës, ai njoftoi vendosjen e tarifave të larta: 25 për qind për importet nga Kanadaja dhe Meksika, dhe 10 për qind për importet nga Kina (përveç taksave tashmë të vendosura).

Që kur i dha Kanadasë dhe Meksikës një afat 1-mujor në fillim të shkurtit, ai ka sinjalizuar se tarifat “do të vendosen”, megjithëse me sa duket me një vonesë tjetër 1-mujore. Po ashtu, ka njoftuar një tarifë prej 25 për qind për të gjitha importet e çelikut dhe aluminit, dhe ka lënë të kuptohet vendosjen e taksave shtesë për makinat, produktet farmaceutike dhe çipat kompjuterikë.

Edhe Evropa mund ta gjejë veten shumë shpejt me shpatulla pas murit. Pasojat e luftës tregtare që Trump duket i vendosur të nisë mund të jenë të rënda, dhe kjo jo vetëm për shkak të vëllimit të madh të tregtisë që është në rrezik. Sot zinxhirët e furnizimit janë shumë të integruar përtej kufijve kombëtare, duke zënë rreth 50 për qind të tregtisë ndër-rajonale.

Në shumë raste, shumë pjesë këmbimi kalojnë kufijtë disa herë përpara montimit të tyre përfundimtar në një produkt. Prandaj pagimi i një tarife prej 25 për qind, sa herë që një element përbërës kalon një kufi shtetëror, do të rriste shumë shpejt kostot.

Marrim Meksikën, e cila ka tejkaluar edhe Kinën si partnerja më e madhe tregtare e Amerikës në mallra. Përtej ndërprerjes së furnizimeve me avokado meksikane (një shembull i njohur), tarifat do të kishin pasoja serioze tek një sektor bujqësor që furnizon 63 për qind të importeve të perimeve në SHBA, dhe 47 për qind të importeve të frutave dhe arrave.

Industria e makinave - një nga sektorët kryesorë ekonomikë të Meksikës, që punëson më shumë se 1 milion njerëz dhe jep rreth 5 për qind të PBB-së - do të pësonte gjithashtu një goditje të madhe. Një raport i fundit i S&P Global, tregon se Meksika është tani burimi më i madh i importeve të makinave të lehta në SHBA, duke ia kaluar Japonisë, Koresë së Jugut dhe Evropës.

Për shembull, Nissan e realizon 27 për qind të shitjeve të tij në SHBA nga dega që ka në Meksikë. Për Hondën përqindja është gati 13 dhe për Volkswagenin 43. Çfarë duhet të bëjë Meksika në këto kushte? Kur Trump vendosi tarifa ndaj fqinjëve të Amerikës në vitin 2018, autoritetet meksikane u kundërpërgjigjën në një mënyrë strategjike, duke synuar produkte nga shtete që ishin politikisht të rëndësishme për SHBA-në.

Ajo vendosi tarifa për mollët, djathin, boronicat, mishin e derrit dhe patatet. Por kjo qasje ka kufizime, sidomos duke pasur parasysh përmasat e mëdha të ekonomisë amerikane në krahasim me fqinjët e saj. Gjithsesi, Meksika, Kanadaja dhe Evropa kanë armët e tyre tregtare.

“Thembra e Akilit” e Amerikës, është oligarkia e saj shumë e ndërkombëtarizuar: një grupim i vogël individësh ultra të pasur, pasuria e të cilëve varet nga qasja në tregjet globale. Kjo dobësi u jep ndikim qeverive të huaja ndikim. Kundërmasa më efektive është e thjeshtë: tarifa të larta për oligarkët.

Vendet duhet të kushtëzojnë qasjen në treg të shumëkombësheve dhe miliarderëve të huaj me taksimin e drejtë. Sapo Trump të nisë të zbatojë tarifat ndaj Kanadasë dhe Meksikës, ato vende duhet të hakmerren duke taksuar oligarkët amerikanë.

Për shembull, nëse Tesla dëshiron të shesë makina elektrike në Kanada dhe Meksikë, Elon Musk - aksionari kryesor i Tesla - duhet të paguajë taksa në këto vende. Sigurisht, kjo strategji është haptazi ekstraterritoriale, pasi kërkon detyrime tatimore ndaj aktorëve të huaj në këmbim të qasjes në tregjet vendase.

Por në vend se të kenë frikë nga kjo qasje, vendet duhet ta përqafojnë atë si një mjet për zbatimin e standardeve minimale, frenimin e pabarazisë, parandalimin e evazionit fiskal dhe promovimin e qëndrueshmërisë. Në dallim nga tarifat tradicionale, një taksë ndaj oligarkëve, synon ata që përfitojnë më shumë nga globalizimi: miliarderët dhe korporatat që kontrollojnë ata.

Kjo qasje, e zhvendos konfliktin ekonomik nga një betejë midis vendeve - e cila nxit tensionet nacionaliste dhe hakmarrjen ekonomike - në një betejë midis konsumatorëve dhe oligarkëve.

Për më tepër, ajo mund të nxisë një cikël zhvillimesh pozitive. Vendet me tregje të mëdha konsumi, mund të mbledhin taksa që korporatat shumëkombëshe i kanë shmangur diku tjetër, duke e dëmtuar gradualisht joshjen nga konkurrenca tatimore.

Kështu do të bëhej e pakuptimtë që kompanitë ose individët të lëviznin në vende me taksa të ulëta, sepse kursimet do të kompensoheshin nga taksat më të larta që detyrohen të paguajnë në vendet me tregje të mëdha konsumi. Kësisoj gara për ata në fund, do të zëvendësohej së shpejti nga një garë drejt majës.

Rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë bart pasoja alarmante. Por paraqet edhe një mundësi. Ndaj ky është moment i duhur për të rimenduar marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare, me qetësi, por në mënyrë radikale. Përgjigja më e mirë është një kornizë e re ekonomike globale që e neutralizon konkurrencën tatimore, lufton pabarazinë dhe mbron planetin tonë.

Nën një kuadër të tillë, vendet importuese do ta zbatonin drejtësinë tatimore përtej kufijve të tyre, duke siguruar që korporatat shumëkombëshe dhe pronarët e tyre miliarderë të paguajnë pjesën e tyre të drejtë. Nëse është lufta tregtare që dëshiron Trump, konsumatorët në Meksikë, Kanada, Evropë dhe më gjerë, duhet të bashkohen për t’u siguruar që Musk dhe kolegët e tij oligarkë të ndjejnë koston e saj. /Përshtati “Pamfleti” nga “Project Syndicate”

Shënim: Gabriel Zucman, profesor i ekonomisë në Shkollën Ekonomike të Parisit dhe drejtor i Observatorit të Taksave të BE-së.

Lini një Përgjigje