
Ukrainasit kanë dalë në mbështetje të Presidentit Volodymyr Zelenskyy, duke e cilësuar atë si një mbrojtës të interesave të vendit, pas vizitës në Shtëpinë e Bardhë dhe bisedës së tensionuar me Presidentin Donald Trump.
Shkëmbimi i pazakontë në Zyrën Ovale ngriti pikëpyetje mbi mbështetjen e ardhshme amerikane për Ukrainën në mes të luftës së saj me Rusinë. Por pavarësisht nga pasojat diplomatike, shumë ukrainas e mbështetën qëndrimin e vendosur të Presidentit Zelenskyy. Zyrtarë në të gjithë Ukrainën vlerësuan qëndrueshmërinë e udhëheqësit të tyre, ndërsa disa paralajmëruan rrezikun e humbjes së mbështetjes kritike amerikane.
Ndërsa dy dronë goditën qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, të premten në mbrëmje, kreu i rajonit që ndodhet në kufirin me Rusinë, Oleh Syniehubov, shprehu vlerësime për Presidentin Zelenskyy.
“Udhëheqësi ynë, pavarësisht trysnisë, qëndron i vendosur në mbrojtje të interesave të Ukrainës dhe ukrainasve. … Ne kemi nevojë vetëm për një paqe të drejtë me garanci sigurie”, tha zoti Syniehubov.
Zyrtarë në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal po ashtu shprehën mbështetjen e tyre në rrjetet sociale për Presidentin Zelenskyy.
“Angazhim të palëkundur ndaj interesave të Ukrainës dhe përkushtim ndaj vendit të tij. Kjo është ajo që pamë sot në Shtetet e Bashkuara. Mbështetje për Presidentin e Ukrainës”, shkroi të premten në rrjetin Telegram Zëvendëskryeministri Oleksii Kuleba.
Megjithatë, jo të gjitha figurat politike të Ukrainës, ishin kaq të bindur për të shprehur mbështetje për mënyrën se si përfundoi takimi në Zyrën Ovale. Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, tha se shpresonte “që Ukraina nuk do të humbasë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, që është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne”, siç u shpreh ai.
"Unë isha krenar për të. Ai ishte i mrekullueshëm," i tha një person BBC-së, duke shtuar se ata duan që vendet evropiane të bashkohen në mënyrë që të jenë edhe më të forta se SHBA.
Një tjetër banor i Kievit thotë se "kjo është toka jonë", duke shtuar: "Ky është populli ynë dhe ne nuk do të ndalemi së luftuari".
Një grua 87-vjeçare thotë se presidenti i SHBA-së, Donald Trump e trajtoi Zelenskyn "me shumë mungesë respekti".
"Ai ka shprehur gjithmonë mirënjohje për popullin amerikan. Ai gjithmonë ka qëndruar me popullin amerikan. Ai është një person i denjë," thotë ajo.
Ajo më tej thotë se katër të afërm të saj janë vrarë në luftë.
“Nipat dhe nipi janë në vijën e parë të frontit. Nuk besoj se do të dorëzohemi”, shton ajo. “Unë jam 87 vjeç, nëse nuk janë më, atëherë do të shkoj vetë në llogore”.
Lini një Përgjigje