TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota11 Nëntor 2024, 21:44

Ndërhyrjet, sanksionet dhe konfliktet, do të mbeten shenjat dalluese të politikës së jashtme amerikane!

Shkruar nga Greg Pences

Ndërhyrjet, sanksionet dhe konfliktet, do të mbeten shenjat dalluese

Uashingtoni e ka shpërfillur shpesh sovranitetin e vendeve të tjera, dhe e ka bërë këtë nën maskën e promovimit të të drejtave të njeriut dhe demokracisë.

Shumë vende në mbarë botën, po shfaqin një frikë të pajustifikuar nga rizgjedhja president e  Donald Trumpit në zgjedhjet e 5 nëntorit. Megjithatë, një rishikim i historisë së politikës së jashtme amerikane, sugjeron se politika e jashtme e Trump mund të mos ndryshojë aq shumë nga ajo e paraardhësve të tij, përfshirë presidentin aktual Joe Biden.

Në fakt, deri më sot ka pasur disa vazhdimësi të qarta në lidhje me mënyrën se si presidentët amerikanë - qofshin republikanë apo demokratë - angazhohen në krizat e botës përmes ndërhyrjes ushtarake dhe përdorimit të forcës.

Për shembull, marrim ndërhyrjet ushtarake nën republikanin George W.Bush. Ky i fundit e pushtoi Afganistanin në kundërpërgjigje të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, duke e mbajtur atë të pushtuar për gati 20 vjet. Qeveria e Ashraf Ghanit, e mbështetur nga SHBA-ja, u rrëzua në vitin 2021, duke çuar në një rikthim të negociuar në pushtet të talebanëve.

Ngjashëm, pushtimi i Irakut nga Bush në vitin 2003, shkaktoi vdekjen e rreth 4.6 milionë njerëzve dhe një kosto triliona dollarë gjatë 2 dekadave, pasoja që vazhdojnë të ndikojnë ende sot në rajon. Edhe demokrati Barack Obama, autorizoi veprime ushtarake në Libi në vitin 2011, lëvizje që e destabilizoi më tej Afrikën e Veriut dhe ndihmoi në shtimin e grupimeve ekstremiste në rajon.

Në mandatin tij të parë, Trump e shkeli hapur të drejtën ndërkombëtare kur urdhëroi vrasjen e komandantit të forcave speciale iraniane Quds Qassem Soleimani, një veprim që i rriti më tej tensionet me Teheranin. Ndërkohë, edhe administrata Biden ka vazhduar kryesisht në këtë trajektore, duke shpërfillur shqetësimet e Moskës për sigurinë dhe duke ecur përpara me zgjerimin e NATO-s, e cila luajti një rol të rëndësishëm në nxitjen e luftës në Ukrainë.

Qëndrimi i ashpër i Biden ndaj Kinës - duke e vazhduar qasjen agresive të Trump - ka përfshirë edhe ndihmën e madhe ushtarake ndaj Tajvanit, si dhe zgjerimin e bazave ushtarake amerikane në rajonin Azi-Paqësor. Po ashtu, Biden vazhdoi të angazhohej në konflikte përmes palëve të treta, siç ishin operacionet e vazhdueshme ushtarake të administratës së tij në Jemen së bashku me Britaninë e Madhe.

Ndërkohë SHBA-ja e ka ruajtur mbështetjen e palëkundur për Izraelin, duke përfshirë edhe veprimet e tij të diskutueshme në Gaza, gjë që i ka nxitur kritikët ta akuzojnë Uashingtonin për bashkëpunim në krimet e luftës dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Jetë, luftë dhe asgjë tjetër: ky vëzhgim i gazetares së njohur italiane Oriana Fallaci, në veprën e saj të famshme me të njëjtin titull, përshkruan shumë saktë një realitet të zymtë të politikës së jashtme amerikane, ku instrumentet e luftës dhe ndërhyrjes ushtarake, kanë dominuar që nga fillimi i shekullit XXI.

Për SHBA-në, sigurimi i besnikërisë së vendeve të tjera ka marrë prej kohësh përparësi ndaj shqetësimeve të tjera, duke i nxitur presidentët amerikanë të përfshihen vazhdimisht në veprime dhe ndërhyrje ushtarake në mbarë botën. Historia e ndërhyrjeve amerikane, është më e gjatë dhe më e gjerë se ajo e çdo kombi tjetër agresor.

Uashingtoni e ka shpërfillur shpesh sovranitetin e vendeve të tjera, dhe e ka bërë këtë nën maskën e promovimit të të drejtave të njeriut dhe demokracisë. Në vitin 1953, SHBA-ja orkestroi një grusht shteti në Iran kundër një qeverie zgjedhur në mënyrë demokratike, duke nxitur pakënaqësinë e madhe të iranianëve, e cila do të arrinte kulmin në krizën e pengjeve të vitit 1979.

Në Vietnam, forcat amerikane zhvilluan një luftë të përgjakshme për 2 dekada, vetëm për të pësuar disfatë dhe u larguar duke e lënë rajonin në kaos. Po ashtu, SHBA-ja financoi dhe armatosi në vitet 1980 ekstremistët islamikë për të kundërshtuar pushtimin sovjetik të Afganistanit, duke ndihmuar kësisoj në forcimin e Talibanëve dhe Al-Kaedës.

“Revolucionet me ngjyra” në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore gjatë viteve 2003-2005, nxorën në pah përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të ndërhyrë në politikën e shteteve ish-sovjetike, shpeshherë me synim krijimin e qeverive më të lidhura me Uashingtonin.

Për më tepër, presioni ekonomik i SHBA-së, përfshirë sanksionet dytësore dhe kontrollet e eksporteve, vazhdon që ta dëmtojë sovranitetin edhe të aleatëve më të afërt të Uashingtonit, duke i lënë shumë vende të cenueshme ndaj fuqisë ekonomike amerikane.

Nisur nga kjo histori, është e qartë se me Donald Trump ashtu si me Joe Biden, objektivi kryesor i Shteteve të Bashkuara, mbetet ruajtja e dominimit global dhe nënshtrimi i kombeve të tjera ndaj interesave gjeopolitike të SHBA-së. Dallimet midis këtyre udhëheqësve, kanë të bëjë shpesh më shumë me retorikën dhe stilin sesa me substancën.

Ndaj nën drejtimin e Trump, ashtu si atë të Biden 4 vitet e fundit, SHBA-ja do të vazhdojë që të ndjekë politikat agresive ndaj Kinës, do të ofrojë mbështetje të palëkundur për Izraelin, do ta mbajë Evropën nën kontrollin e saj strategjik, dhe do t'i rezistojë kërkesave për një angazhim më të barabartë me “Jugun Global”.

Në këtë kuptim, frika nga rikthimit i Trump në Shtëpinë e Brdhë është shpesh e tepruar. Administrata Biden nuk pati ndonjë distancim rrënjësor nga politika e jashtme e Trump në mandatin e parë në shumë fusha, sidomos në lidhje me Rusinë, Kinën dhe Lindjen e Mesme. Tërheqja kaotike e Biden nga Afganistani në vitin 2021 - një dështim për të cilin Trump ishte përgatitur në mënyrë të ngjashme - tregoi paaftësinë e secilës palë për të menaxhuar pasojat e 2 dekadave militarizëm në rajon.

Ndërkohë Biden ashtu si Trump më herët, i përshkallëzoi përplasjet me Kinën, ndërsa ndoqi politika që vazhdojnë të ndezin tensione në Lindjen e Mesme, përfshirë rolin e administratës së tij në normalizimin e marrëdhënieve midis shteteve arabe dhe Izraelit, duke e anashkaluar çështjen palestineze.

Rikthimi i Trump në pushtet, ka të ngjarë të shoqërohet me një vazhdim të këtyre politikave, në mos po edhe me një përshkallëzim të mëtejshëm të tyre. Trump, ashtu si Biden, mbetet i përkushtuar ndaj zgjerimit të NATO-s, përballjes me Rusinë dhe përdorimit të forcës ushtarake për të ruajtur hegjemoninë globale të Amerikës.

Angazhimi i SHBA-së ndaj ndërhyrjes dhe imponimit ushtarak do të mbetet i pandryshuar, dhe pavarësisht se kush drejton në Zyrën Ovale, do të vazhdojë roli i Uashingtonit si një xhandar i rendit global. Tek e fundit, qoftë nën Biden, Trump apo ndonjë presidenti tjetër të ardhshëm të SHBA-së, një parim i politikës së jashtme amerikane mbetet i sigurt: mbështetja tek mjetet shtrënguese - ndërhyrja ushtarake, sanksionet ekonomike dhe presioni diplomatik - do të vazhdojë të dominojë marrëdhëniet e jashtme të SHBA-së.

Kjo strategji, është e rrënjosur prej dekadash në kulturën politike amerikane, duke i bërë luftën, dhunën dhe ndërhyrjen parime qendrore të diplomacisë amerikane. Paqëndrueshmëria dhe krizat që e godasin sot botën, janë rezultat i ndjekjes së pandërprerë të synimeve për dominim, një trashëgimi që duket e destinuar të vazhdojë edhe për të ardhmen e parashikueshme./Përshtati "Pamfleti" nga “Eurasia Riview”

Lini një Përgjigje