TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota30 Dhjetor 2025, 22:53

Modeli Korean: Pse lufta në Ukrainë mund të përfundojë pa një traktat paqeje

Shkruar nga Andrew Latham
Modeli Korean: Pse lufta në Ukrainë mund të përfundojë
Volodymyr Zelensky dhe Donald Trump

Kur diplomacia dështon të prodhojë paqe, lodhja mund të detyrojë një armëpushim. Ja përse rruga drejt përfundimit të konfliktit në Ukrainë nuk kalon nga një traktat, por nga një vijë e ngrirë në hartë...

Bota dëshiron të besojë se një marrëveshje paqeje në Ukrainë është më në fund në horizont. Pas gati 4 vite luftë, titujt kryesorë të gazetave po kapen pas çdo thashethemi për negociata, çdo fotoje me shtrëngime duarsh dhe çdo komunikate Uashington-Kiev që përdor fjalën “zgjidhje”.

Por kur shpresa shuhet, ajo që mbetet është fantazia. Ajo që prodhuan bisedimet e fundjavës në Mar-a-Lago nuk është një marrëveshje paqeje. Në rastin më të mirë, është një dakordësi midis Donald Trump dhe Volodimir Zelenski. Madje edhe ky përkufizim është shumë bujar. Të vërtetat e hidhura që e ushqejnë këtë konflikt mbeten të paprekura: mosmarrëveshjet e thella midis Kievit dhe Moskës në lidhje me territorin, garancitë e sigurisë dhe kontrollin e centralit bërthamor të Zaporizhzhias.

Derisa këto çështje të zgjidhen bazuar mbi parime, dhe jo thjesht të diskutohen midis Uashingtonit dhe Kievit, nuk do të ketë kurrë paqe reale, por vetëm performancë, shfaqje në sytë e opinionit publik. Ekziston një lodhje e kuptueshme në të gjitha kryeqytetet.

Evropa është shumë e kujdesshme ndaj angazhimeve të papërcaktuara në kohë. Ukraina është fizikisht, financiarisht dhe demografikisht e rraskapitur. Ndërkaq Rusia, e përgjakur por e pozicionuar fort në front, po luan me kohën.

Duke hyrë në një cikël tjetër zgjedhor, administrata Trump dëshiron të pretendojë se ka përparime. Secila palë, në mënyra të ndryshme, dëshiron që lufta të mos jetë më në faqet e para. Por luftërat nuk mbarojnë sepse palët jo-ndërluftuese janë të lodhura prej tyre.

Ato mbarojnë kur vetë palët ndërluftuese pranojnë kushte me të cilat mund të jetojnë. Sipas kësaj njësie matëse, distanca midis Moskës dhe Kievit mbetet po aq e madhe sa ishte në fillim.

Pikat e nxehta mbeten të pazgjidhshme

Çështja e territorit është ”nyja gordiane” e këtij konflikti. Moska po kërkon tani njohje ligjore jo vetëm të Krimesë dhe territorit që ajo aktualisht mban të pushtuar, por edhe të të gjithë rajoneve të Donjeckut dhe Luhanskut, duke përfshirë zonat që janë ende nën kontrollin e Ukrainës.

Nga ana e tij Kievi, këmbëngul se sovraniteti nënkupton rivendosjen e kufijve të vitit 1991 dhe refuzon të japë territore shtesë. Kushtetuta ukrainase e ndalon dorëzimin e territorit. Për më tepër, politikisht çdo lëshim i tillë do ta linte shndërronte Ukrainën në një shtet të cunguar.

Ndërkohë komandantët ukrainas i shohin rajonet lindore të kontestuara si thelbësore për mbrojtjen e vendit. Heqja dorë prej tyre do ta ekspozonte brendësinë e Ukrainës ndaj sulmeve të ardhshme ruse. Këto pozicione janë racionale nga të dyja palët, por ato përplasen ballë për ballë me njëra-tjetrën.

Argumentet morale janë të thella, por logjika strategjike është edhe më e thellë. Hartat e ndryshuara nga dhuna e luftës, rikthehen rrallëherë në fazën e tyre të mëhershme pa një forcë të madhe ushtarake. Më të lehta nuk janë as garancitë e sigurisë.

Kievi dëshiron premtime vërtet detyruese, diçka më konkrete sesa zotimet në konferencat për mediat. Çdo marrëveshje që e lë Ukrainën të neutralizuar dhe të ekspozuar, është e papranueshme për presidencën ukrainase.

Nga ana tjetër, Moska e sheh çdo garanci të tillë sigurie si një kërcënim ekzistencial. Çdo marrëveshje që e lë Ukrainën të lidhur ushtarakisht me NATO-n, apo edhe me Perëndimin në mënyrë më të paqartë, është e papranueshme për Kremlinin. Që të dyja palët besojnë se kompromisi është më i rrezikshëm sesa vazhdimi i luftës.

Kontrolli i Zaporizhzhias, hyn në të njëjtën kategori problemesh të pazgjidhshme. Centrali bërthamor më i madh i Evropës nuk është thjesht një mjet negociues. Ai është levë presioni, mjet sigurie dhe një katastrofë e mundshme, të gjitha në një.

Asnjë qeveri ukrainase nuk mund ta dorëzojë atë lehtësisht, dhe asnjë qeveri ruse nuk do ta dorëzojë pa përfituar në këmbim diçka madhore. Kur infrastruktura bërthamore bëhet peng i luftës, zhduket marzhi për gabime. Këto nuk janë çështje që zgjidhen me formulime krijuese nëpër komunikata për mediat, por kërkojnë lëshime reciproke, që asnjëra palë nuk është gati t’i bëjë.

Një rezultat i ngjashëm me Luftën Koreane, por me një tjetër emër

Kjo është arsyeja pse bisedat në qarqet politike janë rikthyer tek fjalori i “ngërçit”. Jo tek fitorja, as te paqja, por tek një armëpushim. Pra tek ajo zonë e paqartë midis luftës dhe paqes, ku luftimet ndalojnë, por lufta mbetet “e gjallë” në aspektin juridik.

Ky skenar i ngjan Koresë së vitit 1953: vijat e frontit ngurtësohen, armët heshtin, diplomatët flasin, ekonomitë rimëkëmben pas kufijve të fortifikuar por ankesat vazhdojnë të ziejnë. Konflikti bëhet një shenjë në vend të një plage të hapur, por shenja mbetet gjithsesi aty.

Është një skenar i zymtë, megjithatë duket i vetmi i arritshëm. Asnjëra palë nuk mund të arrijë qëllimet maksimale me një kosto të pranueshme. Ukraina nuk mund të çlirojë çdo kilometër nën kontrollin rus. Rusia nuk mund ta zhbëjë dot shtetësinë ukrainase. Të dyja palët mund ta përgjakin tjetrin pafund, por asnjëra nuk mund të korrë fitoren përfundimtare.

Kur luftërat arrijnë këtë lloj ekuilibri, ato nuk përfundojnë me parada, por përmes lodhjes së maskuar si diplomaci. Një armëpushim nuk do të kënaqte askënd. Ai do të sanksiononte kontrollin e Rusisë në lindje të Ukrainës, do të linte miliona njerëz të zhvendosur dhe do të krijonte një kufi të militarizuar në mes të Evropës, duke ngrirë për vite me radhë armiqësinë NATO-Rusi. Por, krahasuar me vazhdimin e rraskapitjes, ky mund të jetë opsioni më pak i keq në tryezë.

Pse ky mund të jetë rezultati “më i mirë” i mundshëm

Një konflikt i ngrirë, mund t’i ofrojë Ukrainës hapësirë për të marrë frymë. Mund të fillojë rindërtimi, mund të ngadalësohet rënia demografike dhe mund të modernizohen forcat e armatosura. Perëndimi mund të kalojë nga furnizimet emergjente në një mbështetje afatgjatë. Edhe Rusia mund të pretendojë fitimet e saj, dhe t’u japë fund operacioneve në shkallë të gjerë pa pranuar humbjen. Nuk është fitore, por është mbijetesë. Pas një viti, skenari më i besueshëm nuk është një traktat triumfues, por diçka që i ngjan Gadishullit Korean: një vijë në hartë e ruajtur nga artileria, e ndërprerë nga shpërthime sporadike, por përgjithësisht e qëndrueshme pavarësisht objektivave të pazgjidhura.

Një paqe formale, mund të kërkojë kohën e një brezi të tërë për t’u arritur. Derisa të ndryshojnë realitetet politike, marrëveshjet e armëpushimit mund të mbeten thjesht letra që mbledhin pluhur nëpër sirtarë. Megjithatë, edhe nëse lufta nuk do të përfundojë ligjërisht, të shtënat në front mund të ndalen. Në një botë tragjike si kjo e jona, shpesh mbijetesa vlen sa një triumf.

Pranimi i një realiteti të dhimbshëm: Heshtja e armëve pa një paqe formale

Paqja nuk do të vijë me bujë. Ajo do të depërtojë ngadalë përmes lodhjes dhe llogaritjeve të ftohta. Dhe kur udhëheqësit flasin për një “marrëveshje”, duhet të kujtojmë peshën që mbart kjo fjalë. Ajo që shohim sot nuk është një marrëveshje midis palëve ndërluftuese.

Në rastin më të mirë, është një akord midis njërës palë dhe një fuqie ndërmjetësuese. Mund të mos jemi duke iu afruar Versajës (paqes përfundimtare) por Panmunjomit (armëpushimit korean).

Pra do kemi ushtarë që vështrojnë njëri-tjetrin përtej një vije të fortifikuar, një luftë ligjërisht të papërfunduar, por me armë mjaftueshëm të heshtura për të ndërtuar një të ardhme mbi to. Një paqe e papërsosur dhe frustruese, por potencialisht e qëndrueshme. Nëse ky është rezultati që ndalon vdekjet në fushën e betejës, ai mund të jetë momenti më i afërt me paqen që mund të arrijmë sot për sot./Përshtati "Pamfleti" nga “19Forty Five”

*Shënim: Andrew Latham, është profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe teorisë politike në Macalester College.

ukrainë paqja

1 Komente

  1. T
    Tony

    Qeneria e prodhimit te armeve gjithnje kerkon treg shitje te produktit delikat. Kjo eshte histori e lashte.

    Lini një Përgjigje