TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 2 Prill 2023, 20:36

Merr fund epoka e Gjukanoviç në Malin e Zi, Milatoviç fiton bindshëm zgjedhjet presidenciale

Shkruar nga Pamfleti
Merr fund epoka e Gjukanoviç në Malin e Zi, Milatoviç fiton
Jakov Milatoviç

Pas më shumë se 30 vitesh në pushtet, merr fund epoka e Milo Gjukanoviç në Malin e Zi. Presidencën do ta marrë një 36-vjeçar...

Epoka e Milo Gjukanoviç në Malin e Zi duket se ka marrë fund. Sot u mbajt raundi i dytë për zgjedhjet presidenciale dhe sipas rezultateve, fitues është Jakov Milatoviç. 

Gjukanoviç ishte fitues në raundin e parë, por nuk ka ndodhur kështu në raundin e dytë. Sipas rezultateve preliminare të Qendrës për Monitorim dhe Hulumtim (CeMI), Milatoviç ka fituar 60 për qind të votave, ndërsa kandidati Milo Gjukanoviç 40 për qind. Duhet theksuar se pjesëmarrja në zgjedhje ishte 69.3 për qind.

Vetë Gjukanoviç ka pranuar humbjen. Ai ka uruar Jakov Milatoviç për fitoren. "Zgjedhjet kanë përfunduar. Mali i Zi ka zgjedhur. Unë e respektoj këtë zgjedhje. Përgëzoj Jakov Milatoviç. I uroj që të jetë president i suksesshëm. Nëse ai është i suksesshëm, kjo do të thotë se Mali i Zi mund të jetë një vend i suksesshëm", tha Gjukanoviç.

Ai falënderoi qytetarët të cilët sipas tij, me pjesëmarrjen e tyre masive në zgjedhje kontribuuan që të ketë një proces tjetër zgjedhor demokratik dhe të besueshëm, i cili kontribuon në reputacionin ndërkombëtar të Malit të Zi.

Më pas shpalli fitoren edhe Milatoviç. “Qoftë me fat kjo fitore për të gjithë ne”, tha presidenti i ri. Ai shtoi se Mali i Zi sonte bëri një hap përpara dhe “i tha lamtumirë regjimit të vjetëruar të Gjukanoviçit”.

"I thamë lamtumirë krimit dhe korrupsionit. Kjo është një ditë historike për të gjithë, i ftoj të gjithë të festojmë me dinjitet", theksoi ai.

Milatoviç premtoi se do të jetë president i të gjithë qytetarëve. "Në pesë vitet e ardhshme, ne do ta sjellim Malin e Zi në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, kurrë nuk do të vijnë më konflikte nga Mali i Zi ndaj ndonjë vendi të Ballkanit Perëndimor dhe fqinjëve tanë. Ne duam unitet, harmoni dhe përparim në Ballkanin Perëndimor evropian", tha ai.

Fitorja e Milatoviç shihet si historike, pasi Gjukanoviç është ndër politikanët që ka gjithë jetën në pushtet. Ai u zgjodh kryeministër për të parën herë në ditëlindjen e tij të 29, në vitin 1991 dhe është i vetmi udhëheqës i një ish-republike jugosllave, që ka mbijetuar në krye që prej shpërbërjes së Federatës së vjetër. Pra për afro 30 vitesh, ai ka sunduar herë si kryeministër dhe herë si president.

Por kush është Jakov Milatoviç?

Ai u lind në vitin 1986 në Podgoricë, ku mbaroi shkollën fillore dhe gjimnazin "Slobodan Škeroviq" me diplomë në Luçë. Studimet bazë në degën e ekonomisë i kreu në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Malit të Zi, me notë mesatare 10 dhe ishte studenti më i mirë i gjeneratës së tij. Është fitues i çmimeve të shumta vendore nga Ministria e Arsimit, Universiteti i Malit të Zi, Ministria e Punëve të Jashtme e të tjera, etj.

Si studiues i qeverisë amerikane, ai bëri një vit studimi në Universitetin Shtetëror të Illinois, por u shkollua edhe në Vjenë dhe La Spaienza të Romës. Studimet master në fushën e ekonomisë i kreu në Universitetin e Oksfordit.

Eksperiencën e punës e ka filluar në NLB Bank në Podgoricë si pjesë e ekipit të menaxhimit të riskut. Më pas, ai punoi në Deutsche Bank në Frankfurt në ekipin e vlerësimit të rrezikut të kredisë në vend me fokus në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Që nga viti 2014, ai ka punuar në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Londër, në ekipin e analizës ekonomike dhe politike, fillimisht si analist ekonomik për rajonin e Evropës Juglindore, dhe pasi u promovua në pozicionin e ekonomistit.

Ai mbuloi vendet e Ballkanit Perëndimor nga zyra në Podgoricë. Në vitin 2018, ai u promovua si kryeekonomist me detyrën për të mbuluar vendet e BE-së, duke përfshirë Rumaninë, Bullgarinë, Kroacinë dhe Slloveninë nga zyra në Bukuresht.

Milatoviç ishte ministër i zhvillimit ekonomik në qeverinë e Zdravko Krivokapiçit, si dhe kandidat për kryetar të Podgoricës. Edhe pse qytetarët vlerësuan lëvizjet e tij, ekonomistët besonin se masat reformuese të Milatoviçit ishin të ngjashme me skenarin grek në Mal të Zi. Pas rënies së Qeverisë së Malit të Zi, e udhëhequr nga Krivokapiçi, Milatoviçi formoi projektin e tij politik, të quajtur sipas reformave politike që ai zbatoi. 

 

mali i zi milatovic

Lini një Përgjigje