TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota31 Mars 2025, 13:20

Merr fund ëndrra për presidente/ Marine Le Pen dënohet për mashtrim me fondet e BE, 2 vite me byzylyk elektronik

Shkruar nga Pamfleti
Merr fund ëndrra për presidente/ Marine Le Pen dënohet për
Marine Le Pen

Udhëheqësja e të djathtës ekstreme në Francë  është shpallur këtë të hënë fajtore për përvetësim të fondeve të Bashkimit Evropian dhe është hequr e drejta për të kandiduar për poste publike për pesë vjet, duke goditur ashpër aspiratat e saj për t’u bërë presidente në zgjedhjet e ardhshme në vitin 2027.

Gjykata e Parisit dënoi sot Marine Le Pen dhe tetë eurodeputetë të tjerë për përvetësim të paligjshëm të fondeve publike.

Le Pen u dënua me katër vjet burg, dhe nuk i lejohet për pesë vjet kandidimi, duke e përjashtuar kështu nga zgjedhjet presidenciale.

Ajo është dënuar edhe me katër vite burg, dy prej të cilave me kusht dhe dy të tjerat me arrest shtëpie me byzylyk, si dhe me gjobë prej 100 mijë eurosh.  Le Pen u largua nga salla e gjyqit e zemëruar pas njoftimit, përpara se të mësonte detajet e dënimit të saj. 

Ajo rrezikonte të dënohej me pesë vite burg tre prej të cilave me kusht –, një gjobë prej 300,000 eurosh dhe, mbi të gjitha, pesë vjet ndalim kandidimi në zgjedhjet presidenciale. Kjo lidhet me procesin gjyqësor për punësimet fiktive në Parlamentin Europian, një mashtrim që i ka kushtuar taksapaguesve europianë 2.9 milionë euro. Duke qenë e vetëdijshme për rëndësinë e këtij vendimi për partinë e saj dhe për rrugëtimin e gjatë të ekstremit të djathtë drejt pushtetit, Marine Le Pen përmendi për herë të parë të hënën mundësinë që Jordan Bardella të jetë kandidati i Rassemblement National në zgjedhjet presidenciale të 2027-ës.

"Jordan ka aftësinë për të qenë president i Republikës," deklaroi ajo.

Parlamenti Europian ngriti për herë të parë dyshime për punësime fiktive në vitin 2014, fillimisht në lidhje me partinë Front National, që më pas u bë Rassemblement National. Procesi gjyqësor akuzoi Marine Le Pen për përvetësim të fondeve publike përmes financimit të ndihmësve parlamentarë europianë të FN-RN, të cilët nga viti 2004 deri në 2016 në fakt punonin për partinë në Francë dhe jo për eurodeputetët në Strasburg apo Bruksel.

Disa ditë para vendimit, Marine Le Pen u shpreh në një intervistë për La Tribune: "Kam lexuar këtu e atje se jemi të shqetësuar. Personalisht, nuk jam, por e kuptoj pse mund të jemi: me ekzekutimin e menjëhershëm, gjyqtarët kanë në dorë fatin e lëvizjes sonë."

Pas vendimit, pritet një apelim, dhe duke pasur parasysh ritmet e drejtësisë, procesi i dytë mund të zhvillohet jo më herët se në vjeshtën e vitit 2026, vetëm pak muaj para zgjedhjeve presidenciale.

Dënimi i Marine Le Pen e ndalon atë të kandidojë, duke ndalur kështu rrugëtimin e saj drejt Elysee-së. "Është një mënyrë shumë e veçantë për t’u përgatitur për zgjedhjet presidenciale," komentoi një bashkëpunëtor i saj i afërt, duke e krahasuar këtë vendim me një "shpatë të Demokleut".

Zëvendëspresidenti i Rassemblement National, Louis Aliot, i cili gjithashtu u dënua me 18 muaj burg (nga të cilët gjashtë muaj për t'u shlyer) dhe tre vjet ndalim kandidimi, deklaroi: "Mbështetësit tanë do ta ndjekin këtë çështje me vëmendje, por nuk do të na dobësojë dhe do të luftojmë për të fituar zgjedhjet."

Bardella dhe të tjerët: "Demokracia u ekzekutua"

Presidenti i Rassemblement National, Jordan Bardella, reagoi ashpër në rrjetin X: "Sot nuk është dënuar padrejtësisht vetëm Marine Le Pen, por është ekzekutuar demokracia franceze."

Një reagim erdhi edhe nga zëvendëskryeministri italian dhe lideri i Legës, Matteo Salvini: "Në Paris dënuan Marine Le Pen dhe duan ta përjashtojnë nga jeta politike. Po shohim një skenar të ngjashëm edhe në vende të tjera si Rumania."

Salvini e cilësoi vendimin si një "shpallje lufte nga Brukseli" në një kohë kur "pulsionet luftarake të von der Leyen dhe Macron janë të frikshme." Ai shtoi: "Nuk do të trembemi, nuk do të ndalemi: përpara, mikja ime!"

Ndërkohë, zëdhënësi i Vladimir Putin, Dmitri Peskov, e komentoi procesin kundër Marine Le Pen duke thënë: "Vëzhgimet tona në kryeqytetet europiane tregojnë se nuk hezitojnë të shkelin kufijtë e demokracisë gjatë proceseve politike." Ai tha se Moska nuk dëshiron të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Francës, por beson se "normat demokratike po shkelen."

Kryeministri hungarez Viktor Orbán gjithashtu doli në mbështetje të Le Pen, duke postuar në X: "Je suis Marine". Partia e tij Fidesz është pjesë e grupit të Patriotëve në Parlamentin Europian, ku bën pjesë edhe Rassemblement National./ Pamfleti

marine le pen

Lini një Përgjigje