Lufta tregtare dhe tarifat Donald Trump po alarmon tregjet globale, duke bërë që aksionet të bien në muajin e tyre më të keq në më shumë se dy vjet.
Tregjet e aksioneve në të gjithë rajonin Azi-Paqësor janë në tërheqje këtë mëngjes, pasi investitorët kanë frikë se Trump do të shpallë tarifa të reja të mërkurën, e cila është quajtur “Dita e Çlirimit” nga presidenti amerikan.
Nikkei i Japonisë ka humbur 3.9%, duke rënë 1.457 pikë në 35.662 pikë sot, ndërsa KOSPI i Koresë së Jugut ka rënë 3%, S&P/ASX 200 i Australisë ka rënë 1.7%. Në Kinë, e cila tashmë është goditur nga tarifat e Trump këtë vit CSI 300 është 0.9% më e ulët.
Indeksi i aksioneve globale të MSCI-së kishte rënë rreth 4.5% që nga fillimi i marsit.
Sipas The Guardian, sot konsiderohet si muaji më i keq që nga shtatori i vitit 2022.
Kërcënimet e Trump kanë dhënë efekt edhe tek nafta, ku çmimet e naftës së papërpunuar janë rritur rreth 0.66% këtë mëngjes, pasi presidenti amerikan kërcënoi se do të vendoste tarifa dytësore për blerësit e naftës ruse.
“Nëse një marrëveshje nuk arrihet dhe nëse mendohet se është faji i Rusisë, unë do të vendos sanksione dytësore ndaj Rusisë”, tha Trump për NBC.
Kina dhe India janë blerësit kryesorë të naftës së papërpunuar ruse dhe sipas ekspertëve çdo paketë sanksionesh dytësore do të dëmtojë seriozisht eksportet nga eksportuesi i dytë më i madh në botë i naftës.
“Kërcënimi i Trump për tarifat dytësore ndaj Rusisë dhe naftës iraniane është një faktor i rritjes së naftës në bursa, megjithëse ai ka treguar se nuk po planifikon t’i prezantojë ato për momentin”, shprehen ekspertët.
Nëse miratohen, tarifat do të ishin një hap tjetër drejt një lufte tregtare që do të rëndonte mbi rritjen globale dhe kërkesën për naftë të papërpunuar.
Lini një Përgjigje