
BE insiston për ndërprerje humanitare të luftimeve në Lindjen e Mesme.
"Në sfondin e gjendjes humanitare duhet patjetër një ndërprerje e luftimeve, madje menjëherë", tha i ngarkuari i BE-së për Politikën e Jashtme Josep Borrell në përfundim të takimit të 27 ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel.
Për deklaratën e bërë pas takimit përfaqësuesit e shteteve të BE-së kishin rënë dakord që një ditë më parë. Por ata theksuan se ndërprerja e luftimeve duhet të bëhet "menjëherë".
Sipas tyre, është e nevojshme të krijohen korridore humanitare, në mënyrë që ndihmat të mbërrijnë në Gazë.
Borrell deklaroi gjithashtu, se do të shkojë ditët e ardhshme në Lindjen e Mesme. Brenda javës ai planifikon të shkojë në Izrael dhe në territoret palestineze si dhe në Bahrain, Arabinë Saudite dhe në Jordani, tha Borrell.
Ai do të bisedojë me politikanët drejtues në rajon për ndihmat humanitare dhe çështjet politike.
Në takimin e këshillit për politikën e jashtme ishte i pranishëm edhe komisari përgjegjës Janez Lenarcic. Sipas të dhënave të tij në Gazë nuk ka më furnizim me ujë, ushqime dhe medikamente.
BE insiston për hapjen e korridoreve humanitare, në mënyrë që të mbërrijnë ndihmat në Rripin e Gazës. Ndërkohë, 40 kamionë kalojnë çdo ditë pikën kufitare Rafah mes Gazës dhe Egjiptit. Por kjo është shumë pak, theksoi Borrell. Përpara luftës kalonin 500 kamionë në ditë. Tani po mendohet që ndihmat të transportohen nga deti.
Borrell theksoi se duhet t'i jepet fund konfliktit dhe të fokusohemi tek një perspektivë afatgjatë./ DW
Lini një Përgjigje