Ish-agjenti i FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal do të pranojë fajësinë në lidhje me punën që ai dyshohet se ka bërë për një oligark rus të sanksionuar pas largimit nga qeveria, sipas një urdhri gjykate, raporton CNN.
Gjykatësja Jennifer Reardon, e cila është duke mbikëqyrur çështjen, publikoi një urdhër të hënën duke treguar se ajo ishte informuar se McGonigal “mund të dëshirojë të ndryshojë deklaratën e fajësisë”. Gjykatësja vendosi një procedim për pranimin e fajësisë për javën e ardhshme.
McGonigal u akuzua për lidhjet e tij me Oleg Deripaska, një miliarder rus, i cili është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe është akuzuar penalisht vitin e kaluar për shkelje të këtyre sanksioneve.
Oleg Deripaska u sanksionua për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës në SHBA.
Në të njëjtën ditë, McGonigal u akuzua për fshehjen e 225,000 dollarëve që dyshohet se kishte marrë nga një ish-punonjës i inteligjencës shqiptare.
Lidhur me çështjen e Shqipërisë, javën e kaluar në një seancë gjyqësore në Uashington, avokati i McGonigal, Seth DuCharme, i tha gjyqtarit që mbikëqyr atë çështje se kishte një “shans të mirë që çështja do të zgjidhej” pa pasur nevojë të shkonte në gjyq.
Dy akuzat për McGonigal
Amerikani McGonigal përballet me dy akuza në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një në Nju Jork dhe një në Uashington D.C., ku në rastin e parë akuzohet se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Në rastin e dytë, në akuzën në D.C, McGonigal akuzohet se ka përfituar së paku 225 mijë dollarë si dhe udhëtime me shpenzime të mbuluara nga dy shqiptarë. I pari referohet në aktakuzë si Personi A (Agron Neza?), një shqiptar i natyralizuar amerikan me banim në Nju Xhersi, i cili vihet në dukje se ka qenë punonjës i shërbimeve sekrete shqiptare dekada më parë. Por personi në fjalë i ka dhënë paratë McGonigalit, mes të tjerash edhe që ky i fundit të hapë një hetim në SHBA në lidhje me një lobues që ka lobuar “për një parti të ndryshme me atë të kryeministrit shqiptar”.
Sipas aktakuzës, zyrtari i FBI ka udhëtuar disa herë drejt Shqipërisë dhe është takuar me Ramën në disa prej këtyre vizitave. Aktakuza në D.C. vëren se “as FBI dhe as McGonigal nuk pagoi për hotel ndërsa gjendej në Shqipëri.” Sipas akuzës, McGonigal u takua me Personin A në gusht 2017 dhe e pyeti nëse ai mund t’i jepte atij para. Në 5 shtator 2017, ai udhëtoi në Shqipëri si qytetar privat, një udhëtim që e deklaroi në FBI, por për të cilin, dështoi të thotë se shpenzimet e udhëtimit do të paguheshin nga personi A dhe se gjatë udhëtimit, ai u takua me një të dytë, të quajtur Personi B (identiteti e te cili deri tani është i panjohur), bashkë me të cilin takoi kryeministrin Edi Rama më 9 shtator 2017.
Lini një Përgjigje