
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka mohuar raportimet për lëshim raketash drejt Turqisë, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe ka ngritur shqetësimin për skenarë të inskenuar në rajon.
Gjatë një bisede telefonike me homologun turk, Hakan Fidan, Araghchi deklaroi se “raportet e publikuara nga disa burime që pretendonin se raketat ishin lëshuar nga Irani drejt Turqisë janë plotësisht të pabaza”.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme iraniane, ai paralajmëroi gjithashtu për “përsëritjen e operacioneve me flamur të rremë nga armiqtë e paqes dhe miqësisë në rajon”.
Gjithashtu, shefi i diplomacisë iraniane theksoi se Teherani “e konsideron veten të përkushtuar për të respektuar parimin e fqinjësisë së mirë dhe respektin për sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial të Turqisë”, duke shtuar se vendi i tij është i gatshëm për “bashkëpunim të përbashkët teknik për të hetuar çdo pretendim të mundshëm”.
Deklaratat e tij vijnë pas qëndrimeve të autoriteteve turke, të cilat kanë raportuar në disa raste se raketa të lëshuara nga Irani kanë hyrë në hapësirën ajrore të Turqisë që nga nisja e konfliktit në rajon. Së fundmi, Ministria turke e Mbrojtjes njoftoi se sistemet mbrojtëse të NATO-s kishin neutralizuar një raketë balistike që, sipas saj, ishte lëshuar nga Irani.
Dy palët paraqesin versione të ndryshme për ngjarjet, ndërsa mungon ende një konfirmim i pavarur për origjinën e raketave të raportuara.
Lini një Përgjigje