
8 persona janë arrestuar nga autoritetet ruse pas akuzave se kanë lidhje me sulmin në sallën e koncerteve ku mbetën të vrarë 139 viktima persona. Gjykata në Moskë i caktoi personit të tetë masën e paraburgimit, duke e akuzuar se kishte lëshuar një banesë me qira për katër sulmuesit. Para gjykatës ai tha se e kishte bërë pa e ditur se kush ishin ata. Në Taxhikistan, hetuesit kanë marrë në pyetje familjarët e tyre.
Sulmi i 22 marsit në një sallë koncertesh u mor përsipër nga “Shteti Islamik, Provinca e Khorosanit”, Kremlini vijon të akuzojë Kievin për organizimin e tij. Nikolai Patrushev, sekretar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë dhe një aleat i ngushtë i Presidentit Vladimir Putin, tha se është e qartë se Ukraina qëndron pas sulmit të së premtes në Sallën Crocus të Moskës.
Por, për presidentin ukrainas Volodimir Zelensky, Putin është një krijesë e sëmurë e cinike që sipas mendjes së tij të gjithë janë terroristë përveç atij.
Shërbimet inteligjente ruse shkojnë më tej duke akuzuar edhe Shtete e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe për përfshirje. Shefi i agjencisë ruse të sigurisë Alexander Bortnikov u shpreh se 4 sulmuesit synonin të shkonin në territorin e Ukrainës, ku do të priteshin si heronj.
Si kundërpërgjigje e masakrës së 22 marsit, Rusia nisi një sulm të ri me raketa në Odessa, ku u plagosën 3 gra. Ndërkohë edhe Europa është e alarmuar nga frika e sulmeve terroriste nga ISIS-K.
Ministrja gjermane e Brendshme Nancy Faeser deklaroi se ky grup aktualisht përfaqëson kërcënimin më të madh islamik në Gjermani. Franca rriti gatishmërinë në niveli më të lartë, ndërsa udhëheqësit e ISIS-K kanë kërcënuar se do të ketë sulme hakmarrëse kundër Suedisë, Holandës dhe Danimarkës për shkak të djegies së Kuranit në këto vende.
Sulmi i fundit i marrë përsipër nga kjo organizatë terroriste është ai i vrasjes së 95 personave në qytetin iranian Kerman më 3 janar 2024.
Ndërkohë, shërbimi rus i sigurisë FSB tha sot se ende nuk është identifikuar se kush urdhëroi sulmin në Moskë, për të cilën presidenti Vladimir Putin tha se ishte kryer nga ekstremistët radikalë.
Lini një Përgjigje