Qendra e Londrës për Kërkime Ekonomike dhe Biznesi, llogarit se Kina do të bëhet vërtetë ekonomia më e madhe në botë për 21 vjet, përpara se SHBA ta rimarrë epërsinë e saj në vitin 2057, për t’u kapërcyer nga India rreth vitit 2081.
Pika e kthesës ka nisur, gjërat do të rrjedhin në atë drejtim dhe Kina do ta kalojë SHBA-në për t’u bërë sërish fuqia kryesore ekonomike në botë. Por kur do të ndodhë kjo? Ishte viti 2014, kur Produkti i Brendshëm Bruto i Kinës (PBB), i shprehur në barazinë e fuqisë blerëse (PPP) e tejkaloi atë të SHBA-së.
Kjo e fundit krahason një përzgjedhje produktesh dhe shërbimesh të përbashkëta nga çdo ekonomi për të përcaktuar se çfarë mund të blejë konsumatori, duke eliminuar ndikimin e kursit të këmbimit. Por në një botë të tregtisë së hapur, është PBB nominale e konvertuar në dollarë, ajo që mat peshën reale të një ekonomie në raport me të tjerët.
Megjithatë, rënia e ndjeshme e rritjes ekonomike gjatë pandemisë së Covid-19, e pasuar nga kriza e rëndë në tregut të pasurive të paluajtshme, e kanë lënë Kinën në një situatë të vështirë: nivel i lartë i papunësisë tek të rinjtë, konsum i ulët nga familjet e shqetësuara për të ardhmen dhe deflacion.
Ndërkohë brishtësia ekonomike momentale nuk po parandalon përparime të mëdha në disa fusha, siç janë makinat elektrike. Sipas statistikave zyrtare, ekonomia kineze u rrit me 5.2 për qind vitin e kaluar. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, PPB e Kinës duhet të arrijë në 18.560 miliardë dollarë (rreth 17.026 miliardë euro) deri në fund të këtij viti.
Ndërkohë, ekonomia amerikane e cila po del nga inflacioni, përfiton ende nga avantazhi që ka në teknologji por edhe nga energjia me kosto të ulët si prodhuesja kryesore aktuale në botë e naftës dhe gazit.
SHBA-ja ka regjistruar një rritje ekonomike prej 2.5 për qind në vitin 2023, me një PBB marramendëse prej 27.970 miliardë (trilionë) dollarësh. Situata aktuale është shumë larg asaj të vitit 2010, kur Kina regjistroi një rritje ekonomike prej 8 deri në 10 për qind, ndërsa Shtetet e Bashkuara ishin në recesion.
Një popullsi në plakje
Në këto kushte disa guxojnë të pyesin: A do të bëhet vërtet Kina fuqia kryesore ekonomike e botës? Ata përmendin shembullin e Japonisë që ngeci pas rritjes së saj meteorike në vitet 1980. Për një kohë të gjatë, shumë ekspertë binin dakord se kjo do të ndodhte në vitet 2020 dhe 2030.
Megjithatë, në fund të vitit 2022, ekonomistët në Citibank vlerësuan se kjo do të ndodhë në mesin e viteve 2030. Ndërkaq ekonomistët në Qendrën Japoneze për Kërkime Ekonomike, nga ana e tyre, besojnë se Kina nuk do ta kalojë kurrë këtë pikë. Këtë tezë e mbështet ekonomisti Mohamed El-Erian, poresident i Kolegjit Mbretëror në Kembrixh (Britania e Madhe), në një artikull për Financial Times në shtatorin e vitit 2023.
Qendra e Londrës për Kërkime Ekonomike dhe Biznesi, llogarit se Kina do të bëhet vërtetë ekonomia më e madhe në botë për 21 vjet, përpara se SHBA ta rimarrë epërsinë e saj në vitin 2057, për t’u kapërcyer nga India rreth vitit 2081.
Pesimistët tregojnë vështirësinë e Kinës për të bërë kalimin tek një shoqëri e vërtetë konsumatore, dhe nga barra e një popullsie në plakje që tashmë ka arritur kulmin. Por a kanë këto pyetje ndonjë rëndësi për jetën e përditshme të kinezëve?
PBB-ja për frymë sigurisht që po. Aktualisht ajo është 83.000 dollarë në SHBA dhe vetëm 13.000 dollarë në Kinë (24.000 dollarë sipas fuqisë blerëse). Nëse renditja është e rëndësishme, kjo ndodh para së gjithash sepse Partia Komuniste Kineze (PKK) ka bërë një pakt me popullsinë e saj, që u përsërit nga Xi Jinping në fillim të mandatit të tij: Deri në vitin 2049, 100 vjetori i Republikës Popullore, ai do të ketë ndërtuar një “vend të madh socialist modern”, një fuqi “të fortë”.
Perspektiva e ngjitjes në majë të podiumit global është e nënkuptuar. Udhëheqësit kinezë ishin shumë të përulur kur e kaluan SHBA-në në nivelin e fuqisë blerëse në vitin 2014. Të tillë ishin edhe kur Kina ia kaloi Gjermanisë dhe Japonisë. Tek e fundit, popullsia e di mirë se standardi i jetesës së saj është shumë më i ulët se ai i këtyre vendeve!
Por për t’i bërë individualisht “të begatë” më shumë se 1 miliardë njerëz, Kina duhet të bëhet ekonomia kryesore në botë. Nëse Partia Komuniste nuk do të arrijë të çojë Kinën në atë pozicion deri në vitin 2049, atëherë nuk do të jetë mbajtur premtimi për një të ardhme ekonomike të shndritshme për çdo kinez. 2049 është viti i vetëm që ka vërtetë rëndësi./Përshtati Pamfleti nga “Le Monde”
Lini një Përgjigje